TIRANË- Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet sot në orën 12:00 për kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Anëtarët e Këshillit mblidhen në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë ende me një vendim për rastin Balluku.

Socialistët nuk kanë pranuar të shqyrtojnë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit e Ballukut, deri sa Gjykata Kushtetuese të dilte me një vendim. Kjo e fundit e mori në shqyrtim ankimin e qeverisë në një seancë publike më 22 janar, por ende nuk ka një vendimarrje mbi rastin, pasi gjyqtarëve kushtetues iu duhet më shumë kohë.

Mbetet për t’u parë nëse Këshilli i Mandateve drejtuar nga Niko Peleshi do të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, apo njëjtë si “Kushtetuesja” do të kërkojnë më shumë kohë.

GJKKO, me kërkesë të SPAK pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku e pandehur për abuzime me tenderin e Llogarasë, por Kryeministri Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij.

Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.

E pandehur për shkeljet në tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 7 procedura të tjera prokurorimi lidhur me ndërtimin e lotëve të Unazës së Madhe, SPAK ka dyshime se Balluku duke qenë në detyrë, rrezikon të prishë provat hetimore dhe të intimidojë dëshmitarët.