Pse u kujtua pas 27 vitesh për një Rezolutë për Srebrenicën, kur ka qenë edhe 8 vite në pushtet? Berisha asnjë përgjigje: Ne e dënojmë gjenocidin

TIRANË- Sali Berisha nuk ka asnjë shpjegim se pse u kujtua pas 27 vitesh për të  ‘rizbuluar’ masakrën e Srebrenicës dhe propozoi si ‘rrufe në qiell të hapur’ një Rezolutë për të dënuar gjenocidin serb. Pyetjes së gazetarëve se pse nuk e bëri kur ishte 8 vite në pushtet dhe çfarë ndryshoi tani, dhe nëse do të kërkonte falje se pse nuk e ka propozuar një Rezolutë të tillë kur ai ishte mazhoranca, Berisha iu përgjigj siç di më mirë ‘duke mos thënë asgjë. Ndër të tjera i bëri ftesë kreu të qeverisë që të propozojnë ndryshime në Kodin Penal për të përjashtuar kryeministrat nga parashkrimi.

“Ishte një proces. Sigurisht që ne e dënojmë gjenocidin. Shqipëria do të mbështeste fuqimisht Kosovën për të paditur Serbinë për gjenocid në Kosovë në gjykatën ndërkombëtare. Nuk mund të ketë asnjë lloj pengese në qëndrimin ndaj gjenocidit. Asnjë arsye, thjesht proces”, tha Berisha, duke mos i sqaruar shqiptarët.

Sali Berisha riktheu masakrën e Srebrenicës pas 27 vitesh përmes një rezolute ditën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë, por kërkesa nuk u fut në kalendarin e Kuvendit, Në konferencën për media sot ai tha se nuk e priste që të mos dënohej genocidi serb. Në mënyrë të pashpjegueshme pas gati 27 vitesh, grupi i Berishës në Kuvend përmes deputetit Tritan Shehu dhe firmave të tyre propozuan një Rezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës në korrik të vitit 1995. Kuvendi ia ka rrëzuar kërkesën duke mos e futur në procedurë.  

"Është detyrim madhor, moral dhe ligjor ndërkombëtar. Siç jeni dëshmitarë, në parlamentin e Shqipërisë dje ndodhi akti më i rëndë, më i turpshëm, më i pabesueshëm në historinë 30 vjecare të këtij vendi, refuzimi për të dënuar me një rezolutë, një genocid të konfirmuar nga 2 gjykatat ndërkombëtare. Mbi bazën e vendimit të tyre, vendet e lira në tërësi kanë kaluar në parlament rezoluta në të cilën dënoi genocidin serb si barbaria më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore në Europë. E ka bërë këtë PE, Kongresi i SHBA, parlamentet e vendeve të tjera dhe parlamenti i Malit të Zi, ku jeton një shumicë serbësh.

Në vitin 2019 e ka dënuar dhe vetë parlamenti i Serbisë. Shqipëria ishte vendi i vetëm që nuk ka dënuar asnjë nga genocidet që kanë ndodhur. Jo që nuk dënoi por shkalla e lartë e kriminalizimit të pseudomazhorancës bëri që Shqipëria të refuzojë rezolutën për dënimin e genocidit në Bosnje. Nuk mendoja se kjo rezolutë nuk do votohet.  Rama dhe Balla mashtrojnë, të kriminalizuar në çdo skaj.  Nuk u shty për më vonë Vota e djeshme ishte më e egra që mund të bëhej kundrejt një rezolute. PD do të paraqesë para jush qëndrimet dhe politikën e saj të jashtme. Dënoj qëndrimin e djeshëm, rezoluta nuk ishte kurth", tha Berisha.

Lojë e ulët e një njeriu të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë cilësuar si të korruptuar dhe minues të demokracisë e ka konsideruar Kryeministri Edi Rama rezolutën e propozuar nga grupi i deputetëve të Sali Berishës në Kuvend për Masakrën e Srebrenicës plot 27 vite më parë. Rama ka shkruar në Twitter se Berisha njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t'u ringjallur nga varri i tij politik.

Partia Socialiste deklaroi dje prerë se asnjë propozim të një ‘non grata’ nuk do të pranohet. Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla bëri të qartë edhe njëherë qëndrimin e Partisë Socialiste. Balla theksoi se ky veprim nuk ka të bëjë me përmbajtjen e kërkesës, pasi Shqipëria e ka dënuar masakrën e Srebrenicës, por ky është një qëndrim ndaj një deputeti i futur në listën e zezë të SHBA.

Nuk dihet arsyeja se pse Berisha e ka kthyer pikërisht dënimin e kësaj masakre që ka ndodhur 27 vite më parë. Kjo kërkesë e tij duket e një natyre “djallëzore”, pasi nuk do të shërbente për asgjë tjetër përveç se krijimin e tensioneve me Aleksandër Vuçiç. Absurde është dhe fakti që Berisha ka qenë 8 vjet në pushtet dhe nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, por e kërkon pikërisht në këtë moment për të krijuar trazira, ndërkohë që vetë Balla një ditë më parë e ka bërë të qartë që Shqipëria  Shqipëria e ka dënuar masakrën e Srebernicës dhe madje ka mbështetur edhe rezolutat në OKB dhe OSBE në 1995.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:20
Do votojë Fatos Nanon për President? Përgjigjet Berisha: Nuk ia vlen t'ia prishim privatësinë

 

Një ndër emrat e përfolur se do të propozohet si kandidat për president është Fatos Nano. Në konferencën për media, Berisha u pyet nëse do të votonte emrin e tij dhe u përgjigj duke thënë se nuk duhet t'ia prishin privatësinë.

"Mendoj se nuk ia vlen t'ia prishim privatësinë e tij. Lëre se është i akomoduar në jetën e tij, është edhe një lloj hedonisti kështu që më mirë të mos e citojmë", tha Berisha.

Ditën e sotme, PS pati takime me grupet parlamentare të opozitës për negociatat për presidentin e ri, por nuk mori pjesë Enkelejd Alibeaj. Por vetëm atë e cilëson "peng" të Ballës, ndonse nuk u ul në tryezë me të. Për grupet e tjera parlamentare thotë se janë të pavarura dhe rithekson se Rama është shpërfytyruar nga opozita e vërtetë.

"Problemi është që loja me kukulla duhet të marrë fund. Nëse e sheh dhe e ndjek Edi Ramën, ai është shpërfytyruar se në skenë ka dalë opozita e vërtetë, kaq është zhvillimi më kryesor. Ndaj dhe loja me kukullat e tjera merr fund. Partitë e tjera janë të pavarura, unë po flas për PD", tha Berisha.

Ora 12:52
Berisha: Serbia po armatoset se po përgatitet për gjenocide të reja, por do të marrë përgjigjen që meriton

 

Ish kryeministri Sali Berisha u pyet përse ka rizbuluar cështjen e masakrës së Srebrenicës pasi mund të nxisë trazira në Ballkanin Perëndimor. Berisha u përgjigj duke thënë se Serbia po armatoset për gjenocide të reja.

"Serbia po armatoset se po përgatitet për gjenocide të reja. Ne nuk përulemi. Nëse do të ndërmarrë aventura, do të marrë përgjigjen që meriton. Nënshtrimi është inkurajimi i revanshit të tij dhe Putinit në Ballkan", tha Berisha.

Ora 12:47
Berisha i bën thirrje anëtarëve të braktisin Bordet: Mund të merrni zarfe, por turpëroni veten!

 

Sali Berisha i ka bërë thirrje anëtarëve që të braktisin Bordet që përcaktojnë çmimet për produktet e shportës dhe karburanteve.

"I bëj thirrje anëtarëve të braktisin bordet së një qeverie që vetëm vjedh. Qëndrimi në këto borde do ju skalisë me të zeza në memorien e këtij vendi dhe kombi. Çfarë biznesmenësh jeni ju që pranoni në interes të një qeverie dhe njeriu që vjedh nga mëngjesi në darkë t'i caktoni njerëzve çmimet. Në praninë në borde mund të fitoni lehtësira e të merrni zarfe, por turpëroni veten tuaj", tha Berisha.

Ora 12:43
Berisha ftesë Ramës: Nëse ta mban, hajde të kalojmë ligjin në parlament që përjashton kryeministrat nga çdo lloj parashkrimi

 

Ish kryeministri Sali Berisha i ka bërë ftesë Edi Ramës që të kalojnë ligjin në parlament për të përjashtuar kryeministrat nga çdo lloj parashkrimi,  por thotë se nuk e bën këtë dhe e krahason me Kim Jong Un për deklaratat që i referohen drejtësisë.

"I them sot mos tento të spostosh vëmendjen se do përballesh me revoltë popullore, drejtimi ynë është vetëm një integrimi në BE. Nuk ka faj asnjë vend në BE nëse ti sillesh si gangster me gazetarët. Nuk kanë përgjegjësi vendet e Evropës kur ai mban qëndrime si Kim Jong-un ndaj Drejtësisë për të hetuar kundërshtarët e tij.

Në je burrë dhe ta mban hajde të kalojmë ligjin në parlament, të përjashtojmë kryeministrat nga çdo lloj parashkrimi, të ndryshojmë kodin penal. Ti s’e bën dot këtë! Se nuk e di ç’ke firmos për të mbushur valixhet. Do ti jap një paralajmërim të fortë, nuk mund të luajë me këtë vend. Vasal i Aleksandër Vuçiçit. Le ta provojë po të dojë", tha Berisha.

A.M./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se Presidenti i ri do të jetë një prej emrave të propozuar nga opozita?



×

Lajmi i fundit

John

Me Buron Sadik Kacelin, dy thesare arti në një studio!