Rrëshen/ Ekzekutohet me snajper nga tarraca e pallatit pronari i një medie lokale...me një plumb në zemër! Dy pistat e hetimit (VIDEO)

MIRDITE - Ekzekutohet me snajper  në qendër të Rrëshenit me një plumb të vetëm në zemër ish-bashkëpronari i televizionit "Media Plus" në Lezhë, Kastriot Reçi, 47 vjeç, nga persona ende të paidentifikuar nga policia. Reçi është qëlluar me snajper nga tarraca e një pallati në momentin kur sapo ka dalë nga lokali në pronësi të tij për të hipur në makinë. 

Kastriot Reçi, baba i një fëmije, u ekzekutua në qendër të Rrëshenit, shumë pranë komisariatit të policisë. Policia gjeti në tarracën e pallatit edhe snajperin e përdorur nga autori/ët. Duke ju referuar mënyrës së vrasjes, autorët dyshohet ta kenë ruajtur viktimën prej disa kohesh për ta ekzekutuar.

Sipas një njoftimi zyrtar të Autoritetit të Medias Audio-Vizive, Kastriot Reçi ka qenë ortak i televizionit “M+”, të cilit i është hequr licenca me vendim Bordi të AMA-s në vitin 2018. Së fundi, Reçi ishte pronar i një televizioni lokal kabllor, "Lisus".

Dy vite më parë në Itali u ekzekutua vëllai i tij, Gasper Reçi i cili dyshohej të merrej me veprimtari të paligjshme. Ekzekutimi i shtatorit të 2017-ës i Gasper Reçit dyshohet të ketë ardhur si hakmarrje për vrasjen e Kreshnik Gjinit në prill 2017 në Belgjikë. Por vrasja e parë që nisi serialin e ekzekutimeve ishte e vitit 2016 në Rrëshen e ish-zyrtarit të OSHEE për Veriun, Saimir Jaku, i vrarë në një skemë të ngjashme si Kastriot Reçi sot, teksa pinte kafe në lokal në qendër të qytetit. Vrasja e 2016-ës është mbyllur pa autor ndërsa në atë kohë u dyshua edhe Kastriot Reçi, por përfshirja e tij nuk u faktua asnjëherë, ndaj dhe u lirua. Ndërsa në 12 Gusht të 2019, po në Rrëshen vritet Tonin Gjini, i njohur edhe me emrat Armando e Antonio Gjini. Ngjarjet për të cilat ende nuk kanë asnjë autor të arrestuar apo të identifikuar, së bashku me ekzekutimin e Kastriot Reçit po hetohen në një të vetme. 

Burime të besuara pranë policisë bënë me dije se vëllai i Tonin Gjinit dyshohet të ketë qenë i përfshirë dhe bashkëpunëtor në aktivitetin e jashtëligjshëm që dyshohet se kryente në Itali, Gasper Reçi, vëllai të Kastriot Reçit. Të njëjtat burime sqaruan se Kastriot Reçi shte po ashtu në listën e policisë si një nga personat që mund të kishte marrë pjesë në vrasjen e Tonin apo Armando Gjinit, ndërsa ky i fundit njihej si pjesë e grupit të Met Kananit dhe i arrestuar për drogë në 12 Maj të 2018. Në lidhje me ngjarjen policia shoqëruar disa persona mes të cilëve dhe familjarë të Reçit të cilët po merren në pyetje. 

Forca të shumta policie ngritën post-blloqe për të bërë të mundur kapjen e autorëve të dyshuar, ndërkohë që mbërritën në Rrëshen edhe forcat RENEA, dy prokurorë të Lezhës, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj i Policisë Kriminale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:31
Kastriot Reçi u vra më një plumb në zemër, Lleshaj mbërrin në Rrëshen

Pas vrasjes me snajper në qendër të Rrëshenit të ish-bashkëpronarit të televizionit "Media Plus" në Lezhë, Kastriot Reçi, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka mbërritur në Rrëshen.

Lleshaj ka zhvilluar një takim me drejtuesit e policisë së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm Ardi Veliu.

Sipas konfirmimit nga spitali i Rreshenit, viktima është qëlluar me një plumb në zemër.

47-vjeçari Reçi është qëlluar me snajper nga tarraca e një pallati në momentin që sapo ka dalë nga lokali në pronësi të tij për të hipur në makinë. 

Ora 14:49
Vrasja e Kastriot Reçit/ Policia: 2 milionë lekë shpërblim për këdo që jep informacion të saktë

Policia vë në dispozicion 2 milionë lekë të rinj shpërblim për këdo që jep informacion të saktë që do çojë në zbardhjen e ekzekutimit të Kastriot Reçit.

"Kushdo që mund të ketë informacion të vlefshëm, të telefonojnë në numrin unik 112 dhe në numrin në dispozicion për këtë qëllim 069 41 06 449, duke ju garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm", thotë policia.

"Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur grupi i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale, DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe vijon puna për grumbullimin dhe administrimin e çdo prove sado të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit.

Në ndihmë të DVP Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Mirditë kanë shkuar disa grupe të FNSH Shkodër dhe vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve.

Ndërkohë, është bashkëpunuar me DVP Shkodër, Tiranë e Kukës dhe Policinë Kufitare, për të shtuar kontrollet në akset rrugore dhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin e daljes  jashtë vendit të autorit/ve të dyshuar", thuhet në njoftimin zyrtar.

Ora 13:43
Vrasja e Kastriot Reçit, gjendet një snajper në tarracën e një pallati në Rrëshen! E qëlluan sapo doli nga lokali

1578401075_vrasjamirdite.jpg

Pas vrasjes së biznesmenit të mediave Kastriot Reçi, është gjetur një snajper në tarracën e një pallati që dyshohet të jetë përdorur nga autorët, të cilët janë larguar në drejtim të paditur. Dyshohet se autorët kanë qëlluar Reçin nga tarraca e pallatit, sapo ai ka dalë nga lokali. Ndërkohë në vendngjarje kanë shkuar kreu i Policisë Kriminale Tonin Vocaj si dhe drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Ora 12:48
Vrasja e pronarit të televizionit, forcat RENEA mbërrijnë në Rrëshen (VIDEO)
Ora 12:36
Droga dhe hakmarrja, dy pistat për vrasjen në Rrëshen

1578396919_vrasjamirdite.jpg

Burime konfidenciale thonë për gazetaren e Report Tv, Xhensila Kodra, se vrasja e sotme në Rrëshen dyshohet të jetë për hakmarrje apo prishje të pazareve të drogës.

4 vitë më parë, në vitin 2016, Kastriot Reçi është marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e ish-drejtorit të OSHEE për Veriun, Saimir Jakun, ngjarje e mbyllur si pa autor. Reçi ka qenë i dyshuar në vrasje por asnjëherë nuk janë gjetur prova kundër tij, ndaj ai në atë kohë u la i lirë.

Sipas gazetares Xhensila Kodra, Reçi është hetuar edhe për vrasjen e Tonin Gjinit në gusht të 2019-ës në Rrëshen. Vëllai i Tonin Gjinit, dyshohet se ka qenë i përfshirë dhe bashkëpunëtor në aktivitetin e jashtëligjshëm që dyshohet se kryente në Itali, Gasper Reçi, vëllai të Kastriot Reçit, që u vra në 2017-ën në Itali, pasi Saimir Jakut iu vra nipi në Belgjikë, në prill të 2017-ës.

Por sipas gazetares Xhensila Kodra, edhe Kastriot Reçi ka qenë i hetuar në Itali për droge.

Ora 12:34
Kastriot Reçi dyshohet se u ekzekutua me snajper (VIDEO)

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes kur u ekzekutua pronari i televizionit lokal, ngrenë dyshime se ndaj Kastriot Reçit mund të jetë qëlluar me snajper. Kjo, pasi askush nuk ka dëgjuar zhurmë arme, ndërsa në vendin e ngjarjes nuk ka njolla të shumta gjaku. 

Ora 12:15
Rrëshen, Report TV sjell pamje nga vendi ku u vra pronari i televizionit lokal të Lezhës (VIDEO)
Ora 12:15
Seriali i vrasjeve e hakmarrjeve që i mori jetën vëllait të pronarit të medias, si u ekzekutua zyrtari i OSHEE në 2016-ën në të njëjtën 'taktikë' si Reçi sot

1578395551_kastriotreci.jpeg

Kastriot Reçi

Vrasja e vëllait të Kastriot Reçit, Gasper Reçi në 2017-ën, dyshohet të ketë të bërë me një serial serial vrasjesh e hakmarrjesh të ndodhura edhe në vendin tonë dhe në Belgjikë.

Më 9 shtator 2016 është vrarë në Rrëshen Saimir Jaku, ish-drejtor i linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE. Ai u qëllua për vdekje me armë zjarri kallashnikov nga dy persona ende të paidentifikuar, teksa ishte duke pirë kafe në një nga lokalet më të frekuentuara të qytetit të Rrëshenit, ndërsa mbeti i plagosur edhe shoku i tij. Më 28 prill të 2017-ës u vra në Romë të Italisë, Gasper Reçi, 43 vjeç. Sipas autoriteteve të huaja që në atë kohë bashkëpunuar me policinë shqiptare, dyshohet se vrasja e Gasper Reçit të vinte si hakmarrje për ekzekutimin e Saimir Jakut.

Nuk kaloi shumë dhe më 6 shtator 2017 në Belgjikë, u vra Kreshnik Gjini, nipi i Saimir Jakut. Dyshohet e policisë belge ishin se ngjarja vinte si hakmarrje për vrasjen e Gasper Reçit në Itali.

Kreshnik Gjini u vra në komunën e Forestit të Belgjikë, nga dy persona të maskuar që dyshohet se ishin shqiptarë, të cilët qëlluan me armë Kreshnik Gjinin, i cili humbi jetën menjëherë.

Cristina, e dashura e Kreshnik Gjinit, u tha hetuesve belgë se në 2016-ën është vrarë në Shqipëri daja i 31-vjeçarit, pikërisht Samir Jaku.  “Për një vit, ai ndihej i kërcënuar”, deklaronte në atë kohë e dashura e Kreshnikut para hetuesve.

Mister vijon të mbetet arsyeja përse u ekzekutua Saimir Jaku në Rrëshen, çka do të zbardhte historinë e plotë të hakmarrjes së dyshuar mes palëve.  I vetmi fakt që dihet është se autorët e atentatit kanë qenë dy persona. Zyrtari i kishte shpëtuar një atentati më parë. Autorët e qëlluan  me breshëri në rrugicën e lagjes së tij, por asokohe i shpëtoi atentatit që ndodhi për motive banale. Ai i ka shpëtuar një tjetër sherri, ku u tentua të vritej sërish. Këto ngjarje kanë ndodhur vite më parë dhe sipas banorëve të Rrëshenit, konfliktet ishin sheshuar.

-Më 9 shtator 2016 u vra Sajmir Jaku
-Më 28 prill 2017 u vra Gasper Reçi në Romë, Itali.
-Më 6 shtator 2017 , u vra Kreshnik Gjini (nipi i Sajmir Jakut) në Belgjikë

Edhe sot, më 7 janar 2020, u ekzekutua në të njëjtën taktitë si zyrtari i OSHEE-së, teksa ndodhej në një lokal në qendër të qytetit të Rrëshenit.

Ora 12:14
Pronari i televizionit që u vra sot, dy vite më parë fjalë prekëse për të vëllanë: U qëllua pas shpine teksa shkonte tek gruaja dhe fëmijët

Dy vite më parë Kastriot Reçi pronari i televizionit që mbeti i vrarë ditën e sotme ka bërë një dedikim për vdekjen e të vëllait Gasper Reçit. Ai shkruant se i vëllai ishte qëlluar pas shpine teksa po kthehej në shtëpi, ku e prisnin bashkëshortja dhe fëmijët.

"Falenderoj te gjithe ju, shoke, miq e dashamire per rrespektin, mbeshtetjen dhe ngushllimet e sinqerta. Vellai yne Gasper kishte 20 vite qe jetonte ne Rome bashke me gruan dhe dy femijet e tij. Gasper Reci ishte pagezuar dhe martuar ne kishen Katolike Romane. Bashke me gruan dhe dy femijet e tij shkonin cdo te diele dhe luteshin ne kishen San Giovanni della Malva (kisha e shqiptareve ne rome)
Ai besonte dhe mendonte se Jeten ta dhuron Zoti dhe vetem Zoti ka te drejte ta marri ate... Gasper Reci u qellua pas shpine rruges teksa po kthehej ne shtepi ku po e prisnin bashkeshortja dhe dy femijet e tij"
, shkruante Kastriot Reçi dy vite më parë.

Postimi i Kastiot Reçit
Ora 12:08
Vrasja e pronarit të televizionit, policia ngre pika kontrolli në Mirditë (VIDEO)
Ora 11:47
Pronari i televizionit kushëri i Eduart Reçit që u shua familjarisht nën rrënoja nga tërmeti i 26 nëntorit

Pronari i televizionit “Media plus-tv” në Lezhë ishte kushëri me Eduart Reçin, biznesmenin që u shua nën rrënojat e pallatit 6 katësh në Durrës së bashku me familjen e tij, gruan dhe dy fëmijët, nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Më 28 nëntor, Kastriot Reçi ka ndarë një postim në rrjetin social Facebook ku shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të kushëririt. "Lamtumirë kampion! Familja që ju krijuar ishte dhe do të jetë një shembull i shkëlqyer për të gjithë ne", shkruante Kastriot Reçi.

Ora 11:39
Policia jep njoftimin e parë zyrtar për vrasjen e pronarit të televizionit në Lezhë

"Sot, rreth orës 11:05, në afërsi të një lokali në Rreshen,  Mirditë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Kastriot Reçi, 47 vjeç

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/eve.

Shërbimet e Policisë të D.V.P. Lezhë, të Komisariatit të Policisë Mirditë,  po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit/eve".

Ora 11:30
Pronarit të medias dy vite më parë i vranë në Itali vëllain, mesazhi i fundit në Facebook: Sa më larg njerëzve të këqinj

1578393227_rweci001.jpg

Gasper dhe Kastriot Reçi

Kastriot Reçi i cili mbeti i vrarë ditën e sotme në Rrëshen, dy vite më parë kishte humbur edhe vëllain e tij. Gasper Reçi u vra në Romë të Italisë, në prill 2017. 

Ndërkohë në një postim të fundit në Facebook më 1 janar, Kastrit Reçi ka ndarë edhe një urim për vitin e ri, ku jep edhe një mesazh "Qëndroni sa më larg njerëzve të keqinj, mashtrues dhe të pabesë".

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vicidili: 07/01/2020 15:02

    Rrnofsh o Birishe na bane me arme e nuk tutemi e nuk kena frik as zotin as Shan Nojin i kena me zgjidh hallet vec me kallash

    Përgjigju
  • Lora: 07/01/2020 13:46

    Meqenese nderhyri Europa nuk besoj qe te kete konflik ushtarak midis SH.B.A-se dhe Iranit. Bota e qyteteruar kerkon Paqe.

    Përgjigju
    • Santa Quaranta: 07/01/2020 21:52

      Hahahah!! Lora ka lexuar sondazhin e dites qe eshte me siper: Konflikti SHBA-Iran, a mendoni se një luftë e re është në horizont?.... dhe ka komentuar per ate çfare ka votuar, opsionin JO!!!

    • Eri: 07/01/2020 14:52

      O Lora po ca hyn ketu komenti jot se spo e kuptoj ke ngatruar faqe me duket mos ki frik se ska luft jo

  • Emi: 07/01/2020 12:44

    Bukur e kena nis ke vitr per di tu vra

    Përgjigju
  • Gjorm: 07/01/2020 11:32

    Rresheni eshte fshate jo qytet, edhe Mirdita fshate eshte, edhe Vlora fshate eshte, nje rrugë ka.

    Përgjigju
    • Gjorm: 07/01/2020 21:07

      E mire eshte pak me i madhe se fshati se ka dy rrugë hahahahahah o mortjaaaaaaa.... mortja!

    • Eri: 07/01/2020 15:54

      Vlora ka dy rruge o qytetari gjormit

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Gjykata Durrës pushoi hetimet për Elvis Roshin, GJKKO: SPAK të hetojë ish-kryetarin e Bashkisë Kavajë,

Gjykata Durrës pushoi hetimet për Elvis Roshin, GJKKO: SPAK të hetojë ish-kryetarin e Bashkisë Kavajë,