Kosova i kaloi edhe një palë zgjedhje, të cilat nga ata që vlerësojnë nivelin e demokracisë u konsideruan të rregullta, fer dhe pa manipulime. Hije të keqe i qitën ekstremistët serbë të veriut, të ndërsyer nga disa liderë në Beograd, të cilët shkatërruan disa vendvotime në veri. Për këtë pjesë të zgjedhjeve, faturën e paguajnë vetë serbët që po luajnë me dy karta, BE-në dhe Kosovën.

Tash kur kanë përfunduar, si zakonisht, shtrohet pyetja e pashmangshme se kush doli fitues e kush humbës në këto zgjedhje?

Janë të shumtë ata që fituese e konsiderojnë LDK-në, sepse i fituan dy tri komuna të humbura në zgjedhjet e kaluara dhe e rritën elektoratin për 3-4 për qind. Të tjerët humbës e nxjerrin “Vetëvendosjen”, e cila në kryeqytet, megjithatë solli befasinë e madhe të këtyre zgjedhjeve.

Kush është humbësi e kush fituesi, mund të jetë relative.

Por këtu ka diçka edhe absolute.

Gjithsesi humbës, madje në fund të pusit, shumëkush i shohin edhe AAK-në e AKR-në.

Pa dashur t’u thur lavde atyre që fituan në zgjedhjet e 3 nëntorit, as t’ua këndoj nekrologun partive që humbën, dua vetëm t’iu tregoj se populli “nuk ha kashtë”.

Partitë politike livadhisin katër vjet, duke ecur (siç thotë Adem Demaçi) poshtë e përpjetë, ndërsa populli e ka vetëm një ditë, “ditën e votimeve”.

Është dita e vetme kur populli i ndëshkon ata që s’ia dinë kimetin, ndërsa ua jep nga një “sheqerkë” atyre që u duken më parimor.

****

Më 3 nëntor, PDK u ndëshkua nga elektorati, duke humbur rreth 40 mijë vota dhe duke rënë në ranglistë në 27 për qind. Humbja e njërës betejë në Gjilan, është dëshmi e mospunës dhe mungesës së investimeve në këtë komunë, ndërsa Vitinë e ka humbur, sepse vetë ka investuar në humbje, duke nxitur përplasje ndërmjet dy përfaqësuesve atje. Malisheva, ndërkaq është leksion më i mirë, jo vetëm për PDK-në, por edhe për partitë tjera, se ndarja në dysh, është humbje e pakontestueshme.

Humbësve i bashkohet edhe AAK e Ramush Haradinajt, e cila sado që duket e konsoliduar, ka humbur 6 ose 7 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara lokale. AAK ka marrë 14 për qind, por ka humbur primatin në dy komunat kryesore, ka humbur Pejën dhe Gjakovën, pa i llogaritur ato “të voglat” Rahovecin e Suharekën.

Edhe “Vetëvendosje” ka humbur nëse bëhet krahasim me zgjedhjet e kaluara parlamentare. Ajo ka marrë 8 për qind, ndërsa në zgjedhjet parlamentare kishte 12 për qind. Edhe AKR po ashtu është ndëshkuar, me përjashtim të Gjakovës në të cilën prin, por nëse do të mbetet prijës, pritet të shihet.

Krijuesi Fatos Arapi e ka një poezi me emrin “Gloria Victis” (Lavdi humbësve), të cilëve u thurë lavde.

“Artin e shkëlqyer të humbjes/ Ne e kemi ngritur në fat/ Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë.../.” thoshte Arapi.
Edhe pse kjo poezi rikthen në feniks të humburit, megjithatë edhe në këtë betejë ka fitues, ashtu si edhe humbës që meritojnë respektin.

****

Besnik Tahiri, kandidat i AAK-së për Prishtinën e meriton respektin sepse ia ka bërë hyzmetin fushatës deri në fund. Duke qenë më i përgatituri për pushtetin lokal, ai ka lëvizur çdo gur në kryeqytet dhe në fund pranoi vlerësimin e sovranit. Dhe përfundimisht deklaroi se nuk do të kandidojë më për të parin e Prishtinës. Edhe Shpend Ahmeti i “Vetëvendosjes” mund të konsiderohet fitues i këtyre zgjedhjeve, sepse arriti një përqindje solide kundrejt liderit të një partie, që konsiderohet fituese e zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Kandidati që meriton “like” special është Gazmend Muhaxhiri i LDK-së, i cili fitoi relativisht shumë në garën e Pejës. Nëse dikujt i duhet edhe titulli i “humbësit legjendar” atëherë ai i takon, kujt tjetër përveç Hisni Kilaj në Malishevë dhe Agim Çekut në Prishtinë.

Në gjithë këtë garë, e mira është se asnjë parti nuk bëri shantazh, nuk kërcënoi me mospranim të rezultateve, por fitoren dhe humbjen i morën me relativitet. Humbësit e pranuan disfatën si i sëmuri injeksionin në prapanicë.
Prandaj lavdi për humbësit...

Marrë nga "Zëri"