Lida Miraj: Amfiteatri i Durrësit
MTKRS e politizon për fushatë

Lida Miraj: Amfiteatri i Durrësit<br />MTKRS e politizon për fushatë
TIRANE - A është shpallur Amfiteatri i Durrësit mes “7 më të rrezikuarve” për shkak se duhej të shpallej si i tillë vetëm për ta mbrojtur, apo është me të vërtetë një nga 7 më të rrezikuarit në Europë? A ka ndonjë rol MTKRS në këtë rast? Ministri i Kulturës Visar Zhiti tha dje në një intervistë të tij se çështja u politizua me qëllim nga deputeti Auron Tare, Artan Shkreli, etj, dhe se në MTKRS ndodhet dokumenti për Europa Nostra.

Nuk kanë kaluar veçse pak ditë nga jehona e Kongresit të mbajtur në Athinë që shpalli fitues një projekt nga Shqipëria dhe MTKRS nxiton ta paraqesë si një arritje të sajën edhe këtë, pa përmendur asnjë çast se në ç’shkallë të rëndë janë dëmet në amfiteatër dhe se kush është përgjegjës për ato dëme.

E sapo kthyer nga Athina, ku ishte pjesë këshillit të Europa Nostra, Lida Miraj, thotë se kjo situatë është e papranueshme dhe politizimi dhe shpallja si arritje sidomos në kohë fushate është po ashtu e pavend.    
 
Znj. Miraj, projekti i Amfiteatrit është një projekt privat apo shtetëror i mbështetur nga MTKRS siç është shprehur sot në media ministri Visar Zhiti?
Nuk di se për çfarë është shprehur ministri Zhiti, por dua të theksoj diçka që projekti është vetëm privat. Edhe Europa Nostra është institucion privat dhe ka bordin e saj drejtues, këshillin shkencor dhe këshillin e saj, pa përmendur presidentin maestron Placido Domingo.

Unë jam anëtare e këshillit të Europa Nostra, ku bëj pjesë që nga 1997, pas kthimit tim nga studimet postdoktorature në një prej instituteve të universitetit Harvard, që quhet Dumbarton Oaks në Washington D.C. dhe në Kongres unë përcolla entuziazmin e banorëve të qytetit të Durrësit dhe të vetë kryetarit të Bashkisë si dhe angazhimit të tij për një projekt të tillë.

Znj. Armada kishte marrë edhe një miratim zyrtar nga Ministri aktual i MTKRS. Por marrja e miratimit zyrtar nga një OJQ nuk e bën shtetëror projektin dhe nuk duhet politizuar për kredo politike, sidomos në fushatë elektorale.

Trashëgimia kulturore nuk ka ngjyra politike, i takon popullit dhe brezave. Ajo që trashëgojmë nuk na takon vetëm ne, por është detyrim që ne duhet t’ua lëmë brezave të ardhshëm, dhe lëmë të ruajtur me kujdes dhe jo të shkatërruar apo të transformuar.
 
Në vijim të bisedës së realizuar gjatë ditëve të kongresit në Athinë dhe që botuam, a mund të na jepni disa informacione se si u aplikua për programin “7 monumentet në rrezik” dhe çfarë mund të na thoni më shumë…?
-Një organizatë jo qeveritare nga Shqipëria e quajtur “Shoqata Shqiptare e Turizmit Kulturor” (ADCT) e drejtuar nga znj. Armada Molla, shoqatë anëtare e Europa Nostra, e informuar për programin  e “7 më të rrezikuarit” mendoi që të aplikonte për një monument nga Shqipëria dhe në morinë e monumenteve përzgjodhi Amfiteatrin e Durrësit.

Me sa di unë ka pasur edhe aplikime të tjera, por të cilat nuk arritën dot në fazën e kualifikimit.  Aplikime për këtë program natyrisht që kishte nga të gjithë vendet e Europës dhe kjo duket nga shpërndarja gjeografike e “7 më të rrezikuarve”. Këshilli shkencor i “Europa Nostra bëri përzgjedhjen dhe nË fillim u shpallën 14 monumente, ku bënte pjesë edhe propozimi për Amfiteatrin e Durrësit.

Me sa di unë votimi për Amfiteatrin e Durrësit ka qenë me numrin e plotë të votave dhe kjo bëri që një ditë para hapjes së Kongresit të Europa Nostra në Athinë, kongres që koincidonte me 50-vjetorin e kësaj shoqate, ky monument të shpallej si një nga “7 më të rrezikuarit” dhe duke qenë se vendi ynë fillon me A, sipas rendit alfabetik, ky monument ishte në krye të listës.
 
Ju jeni marrë prej kohësh me amfiteatrin e Durrësit,  Mund ta rikujtojmë edhe një herë historikun e plotë të monumentit dhe të zbulimit të tij?
-Amfiteatri i Durrësit është monumenti më i madh arkitekturor i vendit tonë dhe një  nga amfiteatrot e mëdhenj dhe më interesantë të antikitetit. I ndërtuar  në fillim të shekullit të dytë  ndoshta në periudhën e perandorit Trajan (98- 117) kur për përurimin bibliotekës së qytetëit u bë një ndeshje me 12 çifte gladiatorësh ose në periudhën e perandorit Hadrian (117-138) sepse teknika e ndërtimit është më e përafërt me këtë periudhë.

Duhet theksuar fakti që Durrësi i njohur në atë kohë me emrin Dyrrachium ishte kryeura e ‘autostradës’ së antikitetit të njohur me emrin Via Egnatia,  që lidhte Durrësin me Selanikun dhe që në shekullin e IV me ndërtimin e Konstantinopojës u zgjat deri në këtë qytet. Amfiteatri me një kapacitet prej 20 mijë spektatorësh i shërbente, jo vetëm qytetit të Durrësit dhe rrethinave, por edhe udhëtarëve të ndryshëm që kalonin nga perëndimi në lindje ose anasjelltas.

Me sa duket amfiteatri u përdor deri në mesin e shekullit IV, sepse ka shumë mundësi që tërmeti i vitit 345/346 solli dëme të mëdha dhe ndërpreu funksionin e tij.  Në gjysmën e dytë të këtij shekulli aty u adoptua një Kapele bizantine e cila ën fillim u dekorua me afreske dhe më pas në shekullin e gjashtë edhe me mozaikë. Në periudhën e mesjetës në amfiteatër u adoptua edhe një Kapele tjetër e dekorua me afreske. Amfiteatri mbas braktisjes shërbeu si gurore guri për ndërtimet e qytetit.

E dhëna e vetme për ekzistencën e një monumenti të tillë i takon humanistit tonë Marin Barleti, i cili thotë se në Durrës ekziston një arenë (amfiteatër) i ndërtuar mjeshtërisht. Me sa duket Marin Barleti e pa amfiteatrin  dhe monumenti i bëri përshtypje. Dhe mbulimi i tij u bë në shekullin e XVI, ndoshta kur filloi ndërtimi i murit rrethues, që zvogëlonte sipërfaqen e qytetit dhe që kalonte ngjitur me monumentin.

Më pas mbi monument u ndërtuan banesa, të cilat gjetën një bazament të fortë dhe galeritë shërbyen si depot ë nëndheshme për këto banesa. Në një pjesë të tyre janë të dukshme edhe sot. Udhëtarë të ndryshëm që kaluan aty ën shekullin e XIX-XX nuk arritën të shihnin asnjë gjurmë të këtij monumenti.

Amfiteatri u  zbulua rastësisht në vitet ’60 dhe gërmimet  aty u drejtuan nga arkeologu Vangjel Toçi, i cili ishte atë kohë drejtori i muzeut arkeologjik të qytetit. Pjesa më e madhe e monumentit që shihet sot i takon gërmimeve të bëra për dy dekada nga ky arkeolog i nderuar.

Në vitet ’80 unë kam drejtuar disa ekspedita arkeologjike duke vazhduar gërmimet dhe duke sqaruar probleme të ndryshme të këtij monumenti. Kapela mesjetare është gërmuar dhe është botuar nga Moikom Zeqo  dhe duhet të përmend praninë në gërmime të mjekut Haki Bllaca, si dhe të shumë studentëve të arkitekturës dhe Akademisë së Arteve. Në fillim të këtij mijëvjeçari aty janë bërë edhe disa ekspedita arkeologjike të drejtuara nga Universiteti i Parmës.
 
Amfiteatri i Durrësit u shpall një nga 7 më të rrezikuarit. Cilat janë dëmtimet reale dhe kush mban përgjegjësi për to?
-Dua të theksoj që asnjëherë më parë ky monument nuk ka qenë në gjendje më të keqe se sa sot. Myshku i gjelbër mbulon sipërfaqet e mureve dhe për fat të keq edhe të mozaikut me vlera shumë të rëndësishme artistike e historike. Nuk po përmendim faktin e zhdukjes së afreskeve nga kapela mesjetare si pasojë e djegies së një gome makine aty brenda. Pa folur për disa restaurime jashtë çdo lloj kriteri që janë bërë aty dhe nga mungesa e profesionistëve të fushës.

Por krejt ndryshe ka qenë tabloja në fund të mijëvjeçarit të kaluar, kur ndërhyrjet kanë qenë vetëm profesionale, realizuar nga profesionistë të mirënjohur si Lazër Papajani, Fabian Miraj, Guri Pani, etj, apo edhe ato pjesë të bukura të shkallëve të restauruara përgjysmë për të ruajtur autenticitetin e pjesës tjetër të bëra nga arkitekti i talentuar Viktor Dhimgjini.

Po ashtu janë dhe punimet restauruese në mozaikun e shek VI, të drejtuara nga Uilliam Çikopano dhe nga Agron Islami. Duhet thënë se në amfiteatër u edukuan breza arkeologësh dhe arkitektësh, të cilët bënin praktikat mësimore gjatë periudhës së Universitetit.

Amfiteatri i Durrësit u zgjodh pasi u panë konkretisht dëmtimet në monument, rreziku i tyre për shkatërrime të mëtejshme si dhe rëndësia e tij në jetën e qytetit dhe të zhvillimit të turizmit kulturor aty. Natyrisht përgjegjës për mbrojtjen e monumenteve të Kulturës në përgjithësi dhe të amfiteatrit në veçanti janë vetëm institucionet shtetërore.

Ju më thatë ato ditë që mbahej Kongresi se përzgjedhja e amfiteatrit të Durrësit është një lajm i mirë. Çfarë konkretisht sjell kjo gjë?
Mijëvjeçari i ri për Këshillin e Europës është një punë vlerësimi e Trashëgimisë Kulturore. Programi i “7 më të rrezikuarve” është një partneritet i Europa Nostra, këshillit të Europës dhe Institutit të Bankës Europiane të investimeve dhe kjo gjë do të thotë hartimin e një plani veprimi dhe financimi shkencor e profesional.

Znj. Armanda Molla mori në intervistë Andrula Vassiliu komisioniere për edukimin, kulturën gjuhësinë dhe rininë, z. Plaçido Domingo president i Europa Nostra dhe specialistë të Institutit të Bankës Europiane të investimeve si dhe disa anëtarë të  këshillit të Europës dhe prej tyre mori aprovimin për mundësitë që do të krijohen në restaurimin e  monumentit dhe unë këtu do të theksoja restaurimin profesional të tij, si dhe rijetëzimin e tij në jetën e qytetit.

Fjala rijetëzim nuk duhet të kuptohet si rikonstruktim siç ndonjëherë mund të mendohet ndonjëherë nga njerëz të papërgjegjshëm. 0Do të doja ta mbyllja me fjalët e thëna nga komisionerja Vassiliu: “Unë pres ditën që ky projekt të realizohet”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë