Miratimi në Kuvend i Ligjit për pronat me 94 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenim ka sjellë reagimin e ashpër të Ministrisë së Jashtme greke, ku e cilëson këtë si një 'zgjidhje' pa marrë parasysh të drejtat themelore të minoriteteve greke në vend.

Ministria e Jashtme greke shprehet se votimi i këtij ligji ishte një rast i humbur për kuvendin shqiptar për të bërë zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të pronave që ekziston në Shqipëri. Gjithashtu theksohet se pavarësisht ndryshimeve në ligjin e miratuar ka ende probleme dhe se aplikimi i drejtë i tij për minoritetin do të jetë dhe një gur prove për integrimin e vendit në BE.

"Votimi nga ana e Parlamentit Shqiptar, të ligjit mbi çështjen e pronave, përbën një shans të humbur  për zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të një problemi që mundon qytetarët Shqiptarë, përfshirë këtu edhe anëtarët e Minoritetit Etnik Grek. Autoritetet  Shqiptare zgjodhën për t’i dhënë  ‘’zgjidhje ‘’ pa marrë parasysh vlera  dhe të drejta themelore. Zbatuan në mënyrë të pjesshme Opinionin e Komisionit të Venecias të dt. 14 tetor 2019, i cili  theksonte se ‘’dispozitat e projekt Ligjit janë të paqarta  dhe të papajtueshme me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zbatimi i mundshëm i tyre  do të përbënte shkelje të së drejtës së pronësisë’’.  Megjithëse në momentet e fundit  u bënë disa përmirësime, problemet kryesore mbetën edhe tek Ligji që u votua.  Presim nga Autoritetet Shqiptare të mbrojnë në mënyrë efektive  të drejtën e pronësisë dhe të pronës, një çështje kjo, që përfshihet në bërthamën e ligjeve kryesore të së Drejtës Europiane.  Sanksionimi i kësaj të drejte  do të përbejë gurin e provës,  në kontekstin e  marrjes së vendimeve  për hartimin e kuadrit negociues  dhe thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave për  integrimin e Shqipërinë', shkruhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme greke.