LONDËR, 2 maj /ATSH-AFP/ - Bashkëshortja e princit, William, Kate Middleton u shtrua sot në mëngjes në maternitetin e spitalit "Saint Mary" në Londër për të sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë, një ngjarje që pritet me padurim nga britanikët dhe media në mbarë botën.
"Dukesha e Kembrixhit u pranua sot në orën 05:00 GMT në spitalin "Saint Mary" të Londrës në fazën e dhimbjeve të lehta", sipas një komunikate të residencës londineze të çiftit trashëgimtar.
Kate dhe William, të cilët janë shprehur se nuk kanë dijeni për seksin e bebes që do të lindë, kanë lënë së bashku pallatin e Kensingtonit për të shkuar në krahun Lindo të spitalit ku ndodhet materniteti ku dukesha kishte lindur tashmë edhe fëmijën e saj të parë, princin George, më 22 korrik 2013. Aty kanë lindur gjithashtu edhe dy princat William dhe Harry, dy fëmijët e Charles dhe Diana, e cila vdiq në vitin 1997.
Ashtu si dhe në lindjen e princit George, William do të qëndrojë pranë Kate gjatë procesit të lindjes, që do të zhvillohet nën kontrollin e mjekut gjinekolog, Guy Thorpe-Beeston.
Ndryshe nga dy vjet më parë, gazetarët e akredituar nga e gjithë bota kanë qenë më të kufizuar nga prania e rreptë e policisë. Që prej njoftimit zyrtar shtypi botëror dhe shumë mbështetës janë vendosur para spitalit në pritje të lindjes së fëmijës së dytë të çiftit mbretëror.
"I gjithë vendi i dërgon urimet më të mira", u shpreh në rrjetin social "Twitter" kryeministri David Cameron./
/ec/







