TIRANË- Shpëtim Hidra, pjesë e grupit që hiqeshin si zyrtarë të lartë në rrjetet sociale, është kapur në flagrancë duke i marrë 70 mijë euro një biznesmeni në Tiranë. 52-vjeçari Shpëtim Hida përdorte rrjetet sociale për t’iu kërkuar shuma të mëdha parash biznesmenëve, pasi iu prezantohej atyre si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror. Biznesmeni në Tiranë dyshohet se nuk është i vetmi që ka rënë pre e këtij mashtrimi.
Ka qenë vetë biznesmeni, i cili ka kuptuar që po mashtrohet në rrjetin social, që ka lajmëruar policinë për këtë rast. Në momentin që biznesmeni është takuar për t’i dhënë 70 mijë eurot 52-vjeçarit kanë ndërhyrë forcat e policisë dhe kanë bërë të mundur arrestimin e tij.
Ai ka rënë në pranga pas hetimi që po zhvillon prokuroria e Tiranës gjatë 5 muajve të fundit për goditjen e një grupi personazh që hiqen në rrejte sociale si zyrtarë të lartë duke u marrë miliona lekë biznesmenëve. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale ‘Mashtrimi’.
Katër biznesmenë denoncuan nga janari i këtij viti deri në maj një grup mashtruesish që përdornin emra zyrtarësh dhe personazh publikë duke kërkuar shuma të mëdha monetare. Në 4 operacione të ndryshme të Njësisë “E” në Policinë e Shtetit për këto krime u arrestuan 11 persona, pjesa më e madhe e të cilëve kishin role dytësore në mashtrim. Në operacionin e parë të koduar me emrin “Signal” ranë në pranga Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç. Tre të rinjtë shkodranë tentuan që përmes një mesazhi ku prezantoheshin me emrin “Edi” të mashtrojnë biznesmenin e ndërtimit Pëllumb Salillari duke i kërkuar 130 mijë euro. Tri ditë më vonë, policia prangosi 3 të dyshuar të tjerë, Erjon Likën, Edmir Jaçen dhe Gazmir Ismailajn, në operacionin “Subjekti”.
Ata tentuan që t’i merrnin 13 mijë euro administratorit të një biznesi në Kamzë. Më tej, më 13 shkurt në operacionin “Tentativa” u arrestuan Ergys Ahmetaj, Andi Basha dhe Gëzim Kusi, të cilët i kërkuan para pronarit të një kazinoje në Tiranë. Në rastin e fundit, autorët i kërkuan 100 mijë euro biznesmenit Ram Geci, të cilit në mënyrë mashtruese iu prezantuan në emër të kryebashkiakut të Tiranës. Policia gjurmoi personat që shkuan të marrin paratë dhe arrestoi babë e bir, Bedri e Albert Vodha, gjatë operacionit të koduar “Telegram”. Sipas policisë, të katër episodet kanë të përbashkët mënyrën se si tentohet të kryhet mashtrimi, por i veçuar është operacioni “Signal”, ku u mashtrua Pëllumb Salillari, pasi autorët e tij nuk kanë asnjë lidhje me tri rastet e tjera. Në hetimet e kryera nga Njësia “E” ka rezultuar se koka kryesore kriminale e mashtrimit në operacionet “Subjekti”, “Tentativa” dhe “Telegram”, është 39-vjeçari Florian Gjergji, i cili i ka shpëtuar arrestimit.