TIRANË, 1 Dhjetor /ATSH/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mblodhi sot pasdite kryesinë e re të partisë pas zgjedhjeve të djeshme.
Në fjalën e tij,  Basha theksoi se, ekipi i ri drejtues i demokratëve u vulos nga vota e lirë.
"Përfaqësimi dhe harmonizimi janë dy fjalët kyçe që shprehin më mirë se të tjerat përbërjen e këtij ekipi. Përfaqësim dhe harmonizim i përvojave, karrierave, kontributeve, moshave, gjinive, duke ruajtur si kriter përbashkues vlerat e gjithsecilit. PD është sot më e fortë me Kryesinë dhe ekipin e ri. Të gjithë demokratët janë sot edhe më të fortë edhe më optimistë", tha Basha.
Sipas kreut të opozitës, shqiptarët i kanë kthyer sytë nga Partia Demokratike, pasi kanë nevojë për shpresë më shumë se kurrë. "Situata po shkon keq e më keq, kriza ekonomike po thellohet ndërsa qeveria bën sehir, nuk dëgjon rënkimin e qytetarëve që nuk arrijnë të sigurojnë as bukën e përditshme pa u zhytur në borxhe", theksoi Basha. /gj.m//a.ke/