E kaluara dhe raportimi rreth saj zë një hapësirë të rëndësishme në median shqiptare, por problematikë mbetet cilësia e këtij raportimi, që shpesh është problematik. Kjo është çfarë u tha mes të tjerash, në mënyrë të përmbledhur, në konferencën “Media dhe Kujtesa – Si Mediat Raportojnë mbi të Kaluarën në Shqipëri” të mbajtur këtë të hënë në mjediset e “Europe House” në kuadër të Edicionit të 10-të të Ditëve të Kujtesës.
“Që nga viti 2017, BE po mbështet Shqipërinë në përballjen me të kaluarën e saj. Media luan një rol vendimtar në formësimin e narrativave historike, por sfidat serioze mbeten. Epoka digjitale paraqet rreziqe të reja për demokracinë dhe saktësinë historike. Keqinformimi dhe dezinformimi në mediat sociale kërcënojnë të kuptuarit publik të historisë.BE, KiE dhe Fakulteti i Gazetarisë nisën (janar 2025) në Universitetin e Tiranës një Platformë gjithëpërfshirëse të Dialogut Mediatik - që bashkon qeverinë, profesionistët e medias, akademinë dhe shoqërinë civile - për të promovuar reformat e nevojshme në sektorin e medias. Ftoj Qeverinë e Shqipërisë për më shumë fonde për të mbështetur iniciativat e kujtesës, për të përforcuar bashkëpunimin ndërmjet aktorëve kryesorë dhe për të forcuar rolin e medias së pavarur në rritjen e ndërgjegjësimit.”, - tha ambasadori Gonzato.
Gjatë konferencës u prezantua edhe një studim i realizuar nga IDMC mbi mënyrën se si raportojnë për të kaluarën mediat në vendin tonë. Drejtorja ekzekutive e IDMC-së, Jonila Godole tha se nga televizionet e monitoruara ka rezultuar se Report TV dhe Top Channel, janë dy televizionet më numrin mw të lartë të emisioneve për të kaluarën.

“Çfarë synonim përmes këtij studimi ishte të bënim një skanim të medias, duke marrë një periudhë konkrete, që janë 35 ditë të zgjedhura gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, një muaj përgjithësues dhe simbolik, pasi është muaj që gjithmonë kemi debate historike. Punimi i plotë do të paraqitet në muajin maj. Janë analizuar 701 përmbajtje: emisione, shkrime, artikuj të marra në mediat klasike: televizioni. Nga televizionet kemi 51 dhe numrin më të lartë të përmbajtjeve e gjejmë në rrjetet sociale. Nga televizionet e monitoruara, Report TV dhe Top Channel në këtë periudhë që kemi marrë si etalon janë dy televizione që bien në sy me numrin më të lartë të emisioneve për të kaluarën. Ndërsa nga mediat e shkruara Panorama dhe Balkan Web.”, - tha drejtorja ekzekutive e IDMC-së, Jonila Godole.
Në bazë të monitorimit të kryer, mediat sociale kanë ndikimin më të njëanshëm, duke u fokusuar në glorifikimin e periudhës komuniste, ndërkohë që mediat tradicionale janë më neutrale dhe analitike, ndërsa platformat OTT priren të jenë më të njohura dhe më pak shkencore. Sipas përfundimeve të arritura media online kombinon analizat dhe historitë personale, duke krijuar një perspektivë të ndërmjetme.
Temat historike më të diskutuara janë ato që lidhen me periudhat 1941–1944 dhe 1961–1981, ndërsa qasja kryesore është ajo përkujtimore, por shpesh e ngarkuar me lavdërim ose akuzë. Një tjetër gjë që bie në sy është mungesa e këndvështrimeve alternative dhe shumë përmbajtje janë ose gjuhë shumë pozitive ose shumë negative, pa balancën e duhur. Ndërkohë, fokusi më i madh është në figura të veçanta historike, si Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, ndërsa vërehet pak përpjekje për të eksploruar periudha të tjera ose ngjarje historike më pak të njohura. Konferenca synon të nxisë dialogun mes profesionistëve të medias, historianëve, studiuesve dhe aktorëve të tjerë të interesuar, duke adresuar mënyrën se si mediat tradicionale dhe sociale raportojnë mbi të kaluarën në Shqipëri.
B.G/SI.E./Shqiptarja.comKomente

