/ATSH/-14 institucione dhe ndërmarrje portuale kanë nënshkruar këto ditë një Memorandum Mirëkuptimi, që mundëson monitorimin e Korridoreve të lëvizjes në vendet e Evropës Juglindore nga Autoritetet përkatëse.

Marrëveshja u arrit në Konferencën përmbyllëse të  Projektit ADB Multiplatform.

Burime zyrtare nga Autoriteti portual I Durrësit (APD), bënë të ditur për ATSH-në se në Konferencën e organizuar në Bari (Itali) morën pjesë 14  delegacione nga 10 vende të Evropës Juglindore.

Tematika kryesore e Konferencës përmbyllëse ishte harmonizimi i procedurave legjislative/administrative dhe të IT për transportin në korridoret e lëvizjes në vendet e Europës juglindore të përfshira në projekt. Përdorimi i transportit alternativ në korridoret e lëvizjes së ngarkesave dhe sigurimi i transportit multimodal përbën qëllimin dhe impaktin kryesor të projektit-shtuan burimet e APD.

Memorandumi parashikon marrëveshjen që transporti të mos dëmtojë mjedisin, ndërsa zbatohet parimi që ndotësi duhet të paguajë, pa e dëmtuar veprimtarinë prodhuese. MoU synon të sigurojë një transport eficient pa ndotje, duke ulur kostot e jashtme dhe pa i rritur kostot e transportit.

Në Projektin që sapo përfundoi ku APD ishte partner që prej dy vjetësh janë përfshirë edhe 14 institucione dhe kompani nga 10 vende të rajonit te Europes Juglindore. Partneri Lider i Projektit ishte Rajoni i Friuli Venecia Xhulias në Itali.