Gazment Bardhi ka ardhur i zhgënjyer nga SHBA. Kjo është e qartë. Fillimisht mendova se e ka pasur zhgënjimin nga Fatmir Mediu, i cili mund t'i ketë premtuar takime të rëndësishme, por përfundoi në hollin e hotelit duke ndjekur ceremoninë në TV. Por kjo nuk është ndonjë humbje e madhe, se dhe ashtu “Mëngjesi i Lutjeve” nuk ka më rëndësinë e dikurshme për Uashingtonin. Është pothuajse ngjarje boshe. U duhet vetëm tipave si Mediu të dalin në foto.

Kështu që nuk ka arsye të jetë i zhgënjyer nga një gjë që nuk ka ndonjë rëndësi.

Edhe nga fotografitë me kongresmenët nuk ka pse zhgënjehet se ata atë punë kanë. Nëse dikush u kërkon të dali në foto me ta, ata dalin, por zakonisht përtojnë të pyesin kush je dhe nga vjen, po nuk ua the vetë.

Nga i vetmi takim që ai mund të priste ndonjë mesazh ka qenë ai i Eskobarit me gjithë delegacionin shqiptar, por me që ishte takim kolektiv, ai nuk dha ndonjë mesazh special, përveç faktit që duhet mbështetur drejtësia e re dhe duhen forcuar raportet mes SHBA e Shqipërisë.

Kështu që përpjekja për të sjellë ndonjë mesazh nga SHBA, nuk ka shumë kuptim, se SHBA i jep mesazhet me Ambasadën e saj në Tiranë. Ajo nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Sali Berishës dhe kujtdo tjetër të shpallur “non grata” dhe nuk mendon se e ardhmja e politikës shqiptare qëndron tek “Rrugica e Salës”.

Kështu që Flamuri nuk e kishte keq që thoshte se po presim Gazment Bardhin të vijë nga SHBA, që të bashkohemi. Përveç dozave të ironies, kishte një të vërtetë, pasi pas kthimit nga SHBA, ose do dilte me shpatë kundër Berishës për të treguar se është bërë aleat me SHBA, ose do shkonte tek “Rrugica e Salës”.

Ai zgjodhi këtë të dytën. Dhe kjo jo se SHBA i dha ndonjë udhëzim, por nga fakti që SHBA e injoroi dhe nuk i tha as shko, as mos shko tek rrugica. Pra ai kuptoi që për SHBA nuk ekzistonte. Dhe në këtë rast të paktën të ekzistojë për Berishën. 

Dhe ndryshimi ishte i madh. Ndërsa në Uashington nuk e përfilli njeri, tek “Rrugica e Salës” të 40 burrat e gratë që rrijnë aty, bërtisnin “Gazi, Gazi”. Kjo nuk është pak. Të paktën ka një vend ku ndjehet udhëheqës. Se siç pat thënë dhe Haxhi Qamili, “Sa të kem Ndroqin e Shijakun, s’kam çe du talianin e austriakun”.