TIRANE-Katër anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga shumica, që injoruan dekretin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit duke vijuar normalisht punën edhe në mbledhjen e sotme, janë marrë në mbrojtje nga Garda e Republikës.

Gazetarja e Report Tv Esiona Konomi raporton se katër anëtarët janë marrë në mbrojtje pas kërkesës që vetë ata i kanë bërë Ministrisë së Brendshme pas situatës së re që u vendosën në qendër të kritikave.

Prej ditës së djeshme n/ kryetari i KQZ-së, Denar Biba dhe anëtarët Bledar Skënderi, Edlira Jorgaqi dhe Rezarta Bitri ruhen nga punonjësit e Gardës. Garda i ka ofruar mbrojtje edhe kryetarit të KQZ, Klement Zguri i cili, edhe pse nuk e ka kërkuar e ka pranuar.

4 anëtarët e KQZ që janë marrë në mbrojtje

Pavarësisht se Presidenti Meta anuloi datën e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit duke i shtyrë pa afat dhe palët janë të ndara në ekstrem, KQZ vijoi normalisht punën edhe sot. Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri në mbledhjen e kaluar, u largua në mënyrë demonstrative duke deklaruar se nuk mund të vijojnë përgatitjet, pasi institucioni që ai drejton, sipas tij duhet ti bindet dekretit të Presidentit.

Por katër anëtarët e PS-së vijuan normalisht mbledhjen e kaluar dhe sot e thirrën sërish në 13:00 duke miratuar rendin e ditës për përgatitjet e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Sot mbledhjen e drejtori n/ kryetari Biba në mungesë të Klement Zgurit. "Në mungesë të kryetarit, mbledhjen e drejtoj unë" deklaroi ai, duke vijuar më pas me rendin e ditës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të rrëzojë vendimin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, por edhe në mbledhjen e sotme, ashtu si para pak ditësh anëtarët e shumicës nuk e hodhën në votim për ta rrëzuar, por e injoruan duke vijuar normalisht punën.

Burime për gazetaren e Report Tv Esiona Konomi thanë se në ditët në vijim njëra nga 36 partitë pjesëmarrëse në zgjedhje të dërgojë në Kolegj një nga vendimet që KQZ-ja ka marrë me katër anëtarë pas vendimit të Metës për të anuluar zgjedhjet në mënyrë që të vlerësojë  nëse dekreti është i vlefshëm apo KQZ-ja duhet të vijojë normalisht punën.

Partia Socialiste vijon fushatën dhe shprehet e vendosur se në datë 30 qershor do të ketë zgjedhje, por opozita thotë se do t'i bllokojë përmes strukturës së re që urdhëroi të ngrihet në cdo degë të PD-së në rrethe. Presidenti nis sot pasdite konsultimet për datën e re të zgjedhjeve.

Rendi i ditës që miratoi sot KQZ-ja
Bazuar në nenin 22, pika 2, e Kodit Zgjedhor, nenin 12 të Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”,  Zv. Kryetari z. Denar Biba, Anetaret; z. Bledar Skenderi, znj. Edlira Jorgaqi dhe znj. Rezarta Bitri kane kerkuar thirrjen e mbledhjes,

Sot, me 12.06.2019, Ora 13:00, me rend dite:

1.    “Për miratimin e listës emërore të shtetasve të cilët mund të emërohen kryesisht anëtarë KQV-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.

2.    “Për dhënien e autorizimit për ndryshimin e vendndodhjeve të disa QV-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.

3.    ‘Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të Institutit Demokratik Amerikan ( NDI), për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.

4.    “Për një shtesë në Vendimin nr.669, të datës 28.05.2019 ‘Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të KSHH’, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.

5.    “Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të Shoqatës për Gratë dhe Fëmijët, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.