Në “Shënimet e javës”, kryeministri Edi Rama është shprehur për miratimin e qëndrimit të përbashkët të vendeve anëtare për avancimin e Shqipërisë në një fazë të re të bisedimeve për anëtarësim. Rama tha se ballafaqimi mori kohën e vet, ndërkohë që “molotovarët e Tiranës” gëzoheshin dhe digjnin kryeqytetin.
Ai tha se opozita u gënjye nga “mendja e mbrapshtë” duke iu referuar akuzave të saj për ngecjen e procesit të anëtarësimit. Rama shtoi se Konferenca Ndërqeveritare është vulosja me sukses e fazës hapëse të negociatave.
“Në fakt, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë, kudo ku ishte e mundur, mblidhu e hidhu lart e poshtë për të kërkuar ndëshkim, bllokim, izolim për Shqipërinë, duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve që sot janë pjesë e Bashkimit Europian apo synojnë të bashkohen me të. Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, thanë se Shqipëria ishte më në fund e ndëshkuar, thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar. U gënjyen, u gënjyen, se gjithnjë nga ajo mendja e tyre e cekët dhe e mbrapshtë dhe, në fund, në fund, humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari. Kështu, më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri - Bashkimi Europian vulos përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hap fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë me çdo kusht brenda kësaj dekade dhe ku do të vendosim flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar”, tha kryeministri.
Rama foli edhe për planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor nga i cili Shqipëria përfiton një fond prej 49 milionë eurosh. Kryeministri tha se asgjë nuk e ndal Shqipërinë europiane.
“Tjetër mbështetje financiare e Bashkimit Europian ka ardhur nga Brukseli, ndërsa është vendosur çelja e fazës përmbyllëse të negociatave, është njëkohësisht vijuar edhe me çeljen e një tjetër fondi për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. 49 milionë euro, të cilat e çojnë mbështetjen deri këtu në 212 milionë euro, ose shifra më e lartë e përftuar nga vendet e rajonit prej Planit të Rritjes. Plani i Rritjes është një plan financimi mbi bazë rezultatesh dhe janë rezultate të certifikuara nga Komisioni Europian, të padiskutueshme në objektivitetin e tyre, sepse, ndryshe nga sa e përflasin ditë e natë ata që në fund gjithmonë humbasin, Shqipëria jonë, Shqipëria europiane që po ndërtojmë, është një histori suksesi, një histori që nuk shkruhet me britma, nuk bëhet me shpifje apo me molotovë, por me vizion, me punë, me durim të madh dhe me përkushtim hap pas hapi, reformë pas reforme. Forca Shqipëria, asgjë nuk e ndal dot Shqipërinë europiane!”, tha Rama.
Lajm në përditësim...
Komente










