Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi të shtunën se qeveria po angazhohet të realizojë programin e vet zhvillimor.
Në kohën kur opozita deklaron se do të vazhdojë protestat, gjatë vizitës në panairin "Prishtina 2015", kreu i qeverisë tha se nuk i bën përshtypje asnjë afat i opozitës, pasi programi qeverisës nuk kryhet për dy javë.
Mustafa tha se edhe në këtë panair ka vënë re se nuk është situata ashtu siç paraqitet në terren, pasi asnjë biznes nuk po ankohet. Sipas tij, bizneset këtu patën kërkesa që qeveria të punojë më shumë në politikat fiskale dhe zhvillimore.
"I premtova bizneseve se do t'i përkrahim të konkurojnë në tregun rajonal dhe me gjërë dhe në këtë mënyrë do të ketë edhe rritje të numrit të të punësuarve", tha ai. I pyetur rreth kërkesave të opozitës, Mustafa tha se nuk bëhet fjalë për injorim, por qeveria po angazhohet të realizojë programin e vet zhvillimor.
Lidhur me akuzat e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, se njerëzit afër Mustafës kërcënojnë me vende pune në mënyrë që ta votojnë Mustafën, kreu i qeverisë i mohoi akuzat, duke u shprehur se asnjë të vërtet nuk ka në deklaratën e tij.
"Nuk na bën përshtypje asnjë afat sepse programi nuk kryhet për dy javë, por do të punojmë që të kryhet brenda mandatit qeverisës", ka thënë ai./Kosova Press