Mund të mendohesh natë e ditë, të rrish net pa gjumë e të kalosh ditë duke medituar, dhe në fund do të arrish në konkluzionin e thjeshtë se Doktori nuk është as më shumë dhe as më pak vetëm se një Xhambaz. Ka qejf të shesë gjithçka. Shit e bli e bli e shit, kështu i iku jeta. Shiti dikur shpirtin te Partia kur iu desh, pastaj bleu PD-në prapë nga e njëjta Parti, sikur të merrte mbrapsht një makinë të keqpërdorur. Sot vijon me të njëjtat xhambazllëqe: Na 3 deputetë, nëm 10 hektarë në Porto Palermo; na 100 rrena, nëm 10 shpifje; na 1 palë zgjedhje, nëm vulën, na 53 bashki, nëm 10 leje për kulla; na 3 paturpësi, nëm 10 pafytyrësi...

Në xhambazllëqe e sipër, shiti si pa mendje edhe Avokatin e Popullit, atë që nuk i hyn në punë as popullit, as avokatit. Avokatët e vet nuk i shet, se i duhen për gjyqe, toka, kulla, grataçiela e ndonjë amnisti që i bie nga qielli. Por pikërisht këtë, Avokatin e Popullit, të vetmin që s’duhej ta shiste, e nxori në treg pa pikë hezitimi dhe e shiti duke gënjyer se ia vodhën. Në botën e tij çdo shitje është një blerje e fshehur dhe çdo blerje është shitje e radhës. Kjo është filozofia politike e Doktor Xhambazit: qarkullimi i mallit, jo i vlerave.

Ulen e mblidhen gjithë ditën rreth tij, diskutojnë e vrasin mendjen, duke çarë arra e duke pjekur gështenja, dhe në fund i vetmi muhabet që dinë të bëjnë është: Ma shet-ta shes-ta qisë matanë. Vijojnë më tej: kush bleu kë, kujt ia shiti, çfarë pazari u mbyll, ç’llogari u hap, kush fitoi më shumë e kush humbi më pak, pse fitoi aq ai e kaq ky e pse fitova unë aq e kaq dhe nuk fitova kaq e aq.

I vetmi kapital që qarkullon janë interesat, dyshimet, pazaret e ndyta, qëllimet e mbrapshta të atyre që nuk e kanë problem as të shesin veten, veç të mos dalin pa fitim.

E ka kthyer partinë në një tezgë gabi. Madje, përtej saj, Doktor Xhambazi është i bindur se vetë Shqipëria është një treg i madh gabi, ndaj e trajton si të tillë, edhe partinë edhe Shqipërinë, ndërsa njerëzit që e ndjekin i trajton si arixhinj bohemë pa shtëpi, pa shkollë, si kuaj të ngordhur që duhen parë vetëm nga dhëmbët.

Të tmerruar nga palaçollëqet e pafundme dhe të paturpshme të Doktorit, tashmë shqiptarët nuk presin më çfarë do bëjë a çfarë do thotë, por çfarë do shesë e çfarë do shpifë, ndërsa ata që vijojnë ta ndjekin nuk kanë guxim t’ia thonë Xhambazit në sy, por merren me të tjerët që janë rreth mangallit të prushit që presin pazarin e radhës dhe kalin e ngordhur t’i kontrollojnë dhëmbët./Tema