Nën masat anti-COVID, nis sot viti i ri shkollor! Mësuesit detyrim vaksinën, në të kundërtën tampon çdo javë! Prindërit kundër mësimit me turne! Urojnë politikanët

Me lule në duar dhe të emocionuar, rreth 480 mijë nxënës në sistemin parauniversitar në të gjithë vendin janë ulur sot në bankat e shkollës. Deri më tani, është zhvilluar mësimi plotësues për të rikuperuar njohuritë e humbura dhe ka qenë në dëshirën e nxënësve, por nga sot ka nisur zyrtarisht shkolla. Mësimi ka filluar në orën 08:00 dhe orët do të jenë nga 30 minuta, si një masë e marrë për të reduktuar qëndrimin në një ambient të mbyllur për orë të gjata.

Një pikë e rëndësishme është ajo e zbatimit të masave anti-COVID, ku nxënësit janë të detyruar të respektojnë distancimin social, të mbajnë maskat si dhe ambientet duhet të ajrosen vazhdimisht. Në shkollat ku është e pamundur të respektohet distancimi social, mësimi do të zhvillohet me turne.

Të intervistuar nga gazetarja e Report Tv, Dorisa Sallaku, disa prindër shprehen jo dakord me zhvillimin e mësimit me turne.

"Nuk jam dakord fare për mësimin me turne sepse fëmijët i marrin gjyshërit që janë të moshuar. Dje na thanë që mësimi do të jetë me dy turne", shprehet një grua.

"Mësimi është me turne, por fatmirësisht shkolla ka bërë një gjë të mirë se ka koordinuar oraret për të dy fëmijët e mi, kjo është gjë e mirë", thotë një tjetër, teksa shoqëron në shkollë dy djemtë e saj.

Në ndryshim nga vitet e kaluara, mësuesit do të rikthehen në klasa të vaksinuar, ndërsa për ata që nuk e bëjnë, do të duhet të paraqesin test COVID çdo javë për të treguar se nuk janë të infektuar nga virusi.

Në këtë ditë të rëndësishme për nxënësit në të gjithë vendin, nuk kanë munguar as urimet e politikanëve, duke i dëshiruar atyre suksese e mbarësi.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:40
3.732 nxënës në Gjirokastër nisin vitin e ri shkollor, 90% e mësuesve të vaksinuar me dy doza

 

3.732 nxënës në qytetin e Gjirokastrës kanë nisur sot vitin e ri shkollor, ndërsa 298 prej tyre janë ulur në baka për herë të parë. Mësimi do jetë i reduktuar në 4 orë të plotë, ndërsa në klasa do të respektohet distanca sociale, ku lejohen vetëm 15 nxënës në klasë.

Report Tv vëzhgoi ditën e parë të shkollës në qytetin e gurtë, ku vihet re se nxënësve iu është matur temperatura në hyrje të shkollës, ndërsa nuk është lejuar shoqërimi i tyre nga prindërit në ambientet e brendshme.

Burime bëjnë me dije se 92% e mësuesve i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID. Përsa i përket mësuesve të pavaksinuar, mësohet se ata ose janë gra shtatzëna, ose janë me probleme shëndetësore, prandaj do kryejnë tampon. Pranë ambienteve te shkollës sot kane qene edhe punonjës te ISHSH.

Ora 10:09
Presidenti Meta ulet në bankat e shkollës, uron nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor

Presidenti Ilir Meta, i ulur në bankat e shkollës ka uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor, veçanërisht ato që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

‘Një vit të mbarë dhe me plot arritje të shkëlqyera në rrugën e dijes, veçanërisht për vogëlushët, të cilët ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës! Urime të ngrohta dhe shumë suksese për të gjithë mësuesit dhe profesorët në misionin e tyre fisnik!’- shkruan Meta.

 

Ora 10:07
Viti i ri shkollor, Basha i uron nxënësit dhe bën thirrje për zbatimin e masave anti-COVID: Nuk duhet të mungojë kujdesi për të mbrojtur shëndetin

 

Me fillimin e vitit shkollor, Kreu i PD-së, Lulzim Basha i ka uruar suksese të gjithë nxënësve. Me një postim në Facebook, Basha vë theksin te rëndësia e zbatimit të masave anti-COVID, duke i bërë thirrje nxënësve që të tregohen të kujdesshëm dhe të mbrojnë shëndetin.

"Urime të përzemërta nxënësve dhe mësuesve, anembanë Shqipërisë në nisjen e këtij viti shkollor! Urime prindërve që përmes punës dhe sakrificave ushqejnë ëndrrat dhe ambiciet e fëmijëve të tyre! Urime vogëlushëve që plot emocione ulen për herë të parë në bankat e shkollës, në hapjen e një kapitulli të rëndësishëm për jetën e tyre dhe gjithë shoqërisë sonë! Edhe ky vit i ri shkollor do të jetë sfidues për shkak të pandemisë, ndaj kujdesi nuk duhet të mungojë për të mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit dhe të familjeve tuaja. Suksese të gjithëve", shkruan Basha.

Ora 10:02
Dita e parë e shkollës i gjen në protestë nxënësit në fshatin Grizë të Fierit pas mbylljes së shkollës, prindërit: Do t'i mbajmë në shtëpi, në Patos nuk i çojmë

 

Dita e parë e shkollës i ka gjetur në protestë 35 nxënës në fshatin Grizë të Fierit, pas mbylljes së shkollës.  Me thirrjet 'duam të hapet shkolla' ata janë mbledhur para ndërtesës, duke refuzuar të shkojnë në Patos për të filluar mësimin. Prindërit shprehen se do t'i mbajnë ata në shtëpi pasi Patosi për ta është shumë larg. Shkolla e fshatit u mbyll me vendim të Bashkisë për shkak të dëmeve të mëdha që kishte në strukturë.

"Ne fëmijët do t'i mbajmë këtu, nuk i çojmë në Patos. Kryetarja e Bashkisë tha do marrim ekspertizën e Tiranës, ata erdhën që të enjten dhe ende nuk ka përgjigje, ku është kryetarja të na tregojë ça do bëhet. Nëse ka nevojë të riparohet, ne do t'i çojmë në Patos. Do t'i mbajmë në shtëpi", shprehen prindërit.

Ata kanë që prej datës 9 shtator që protestojnë kundër vendimit të Bahskisë për mbylljen e shkollave.

Kryetarja e Bashkisë Patos, Rajmonda Balili ka deklaruar se bashkia me buxhetin e vet ka vendosur një autobus në dispozicion të fëmijëve për t’i çuar në shkollën më të afër që është 2 km larg fshatit Grizë.

 

Ora 08:54
Viti i ri shkollor, Nikolla: Nxënësit të marrin arsimimin e duhur

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar të gjithë mësuesit, nxënësit e prindërit për nisjen e vitit të ri shkollor. Nikolla shprehet se pavarësisht pandemisë, do bëhet më e mira që nxënësit të marrin cilësinë e duhur nga bankat e shkollës.  

“Të dashur nxënëse e nxënës, Të dashur mësuese e mësues, Të dashur prindër!

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ju uroj të gjithë fëmijëve të Shqipërisë një vit të suksesshëm shkollor! Të gjithë jemi me mendje e zemër tek ju dhe do të bëjmë më të mirën që edhe në sfidë me vështirësitë e pandemisë të merrni cilësinë e merituar të dijes në çdo klasë e shkollë të vendit.

Jam besimplotë që mësuesit do të jenë krah jush dhe prindërve tuaj me përpjekjen e çdo dite për t’u ngritur mbi vështirësitë e kohës. Beteja për dijen është më e bukura e jetës. Suksese dhe një vit të mbarë“, shkruan Nikolla.

Ora 08:52
Sot dita e parë e shkollës, reagon PD: Keqmenaxhimi i pandemisë së COVID po rendon mbi mësuesit dhe nxënësit

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa thotë se masat anti-COVID që ka nxjerrë qeveria për mësuesit dhe nxënësit janë ekstreme dhe nuk shkojnë në përputhje me situatën. Zhupa ka ngritur një sërë pyetjesh, ku evidenton sipas saj problematikat me të cilat hasen mësuesit dhe nxënësit.

‘Viti i ri shkollor, halle të vjetra dhe të reja nga keqmenaxhimi kronik! Masat covidiane që ka nxjerr qeveria janë: Vaksinim për mësuesit ose testin më të shtrenjtë pcr çdo javë, dy orë mësim për nxënësit dhe të detyruar të mbajnë maska!

Masa ekstreme që nuk shkojnë as në përputhje me njëra tjetrën, në një vend ku shteti nuk merr asnjë masë për situatën por gjithë barrën e kanë mësuesit-prindërit-nxënësit. Pse duhet bërë mësim i shkurtuar kur mësuesit janë o të vaksinuar o me test pcr dhe nxënësit me maska?

Pse nuk janë marr masat higjieno-sanitare për ujë të rrjedhshëm në të gjitha shkollat?

Pse nuk janë marr masat për dizifektimin të vazhdueshmëm profesional të shkollave?

Pse nuk janë marr masat për ndihmë financiare mësuesve për përballimin e covid, apo teste të shpejta falas që mos detyrohen të bëjnë pcr?

Këto janë hallet e reja të keqmenaxhimit të situatës covid, ndërkohë që sistemi arsimor që sot hap dyert e dijes vuan si një pacient kronik nga halle të vjetra të rregjimit.

Emigrimi masiv, të diplomuar më pak vit pas viti në arsimin e detyruar edhe atë të mesëm edhe sipas të dhënave të INSTAT.

Shkolla që mbyllen nga amortizimi dhe mos vëmendja e shtetit, duke detyruar prindërit sidomos në fshatra ose t`i lënë pa shkollë fëmijët ose të udhëtojnë edhe me orë për shkollën më të afërt.

Klasa kolektive dhe shkolla me turne janë dy fenomene që nuk mungojnë edhe këtë vit shkollor. Tekstet aspak cilësore dhe pa filtra kontrolli rigoroz që janë kthyer në mankthe për prindërit.

Mësues të keqpaguar dhe pa mbështetje. Mësuesit me rezultate të shkëlqyera që nuk punësohen edhe ata me teserë partie i marrin vendet në kundërshtim me ligjin. Çfarë është bërë për të përmirësuar këtë situatë të sistemit tonë arsimor?

Ministria e Arsimit do jetë e detyruar ti përgjigjet këtyre pyetjeve por edhe shumë të tjerave në një kërkesë për seance dëgjimore urgjente në komisionin e edukimit, për vitin e ri shkollor që do kërkoj si deputete anëtare e këtij komisioni.’- tha Zhupa.

 

 

Ora 08:46
Nxënësit rikthehen në banka, Rama: Suksese e mbarësi çdo nxënësi në këtë rrugëtim të bukur dijeje për të ardhmen

 

Kryeministri Edi Rama i ka uruar një vit të mbarë shkollorë të gjithë nxënësve që sot u rikthyen në bankat e shkollës. Me një postim në Facebook të një video nga një nga shkollat e rindërtuara pas tërmetit, Rama i uron mbarësi nxënësve.

"Mirëmëngjes dhe me zilen e parë që bie për disa nga shkollat e reja të rindërtuara pas tërmetit, uroj përzemërsisht çdo nxënës që nis sot vitin e ri shkollor, shumë suksese e mbarësi në këtë rrugëtim të bukur dijeje për të ardhmen", shkruan Rama.

 

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shkolla: 27/09/2021 07:21

    "Sa me shume 5-a nxenes te dashur" uron ????ishminisria, se vetem keshtu behesh ministre dhe k/parlamentare????????????

    Përgjigju
  • vidvid: 27/09/2021 05:52

    1 Tetor ne respekt te armes biollogjike qe po perdorin langaraqet kunder njerzimit, ne Itali do kete bllokim total te punes dhe te rrugeve per rreth dy jave

    Përgjigju
    • Janis Skuthaqis: 27/09/2021 11:32

      Ndoshta keshtu duhet vepruar edhe ne Albanistan... Me perjashtim te zonave ne jug te Vjoses, domethene ne Vorio Epir, ku jeta duhet te vazhdoj pa bllokime idiote dhe pa propagand vdekjeprurese kunder vaksinave.

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Zhgënjen Denver, Golden State dhe Lakers fitore play-offi

Zhgënjen Denver, Golden State dhe Lakers fitore play-offi