Kanë nisur punimet për restaurimin dhe konservimin e Teqesë së Koshtanit në Tepelenë, Monument Kulture i Kategorisë I dhe një nga qendrat më të rëndësishme të bektashizmit në jug të Shqipërisë. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Sipas tij, projekti është hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër dhe parashikon ndërhyrje për ruajtjen e objektit.

Punimet përfshijnë konsolidimin strukturor të godinës, restaurimin e çatisë me rrasa guri, rikuperimin e elementeve drusore origjinale, restaurimin e dyshemeve dhe tavaneve, si dhe trajtimin e fasadave për mbrojtjen afatgjatë të monumentit.

Sipas ministrit, punimet po realizohen me financimin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

E themeluar në vitin 1807, Teqeja e Koshtanit konsiderohet një objekt me rëndësi të veçantë historike dhe shpirtërore. Në vitin 1908, aty u hap edhe shkolla e parë shqipe për krahinën e Tepelenës.