Një monument për eksodin!

Një monument për eksodin!
TIRANE- Duket sikur shumëkush e ka harruar ngjarjen historike që shënjoi fundin e diktaturës dhe fillimin e periudhës së tranzicionit. Java e parë e marsit 1991 ka hyrë në historinë e shqiptarëve si java e eksodit masiv të mijëra bashkatdhetarëve, për të cilët askush nuk mbajti statistika; jo vetëm në Durrës, por edhe në anën tjetër të Adriatikut janë gjendur të papërgatitur dhe megjithëse kanë kaluar 23 vjet shifrat janë kontradiktore. Mediat italiane shkruan në atë kohë se në portet e Barit, Otrantos dhe Brindizit mbërritën mbi 25 mijë shqiptarë.

Një gjë është e sigurt: përkufizimi “eksod biblik” i shkonte mjaft afër të vërtetës, jo për mijëra e mijëra qytetarët që u larguan, por për nga motivet që i shtynë ata të lënë pas dheun e tyre, tokën, shtëpinë dhe të afërmit. Krahasimi me largimin masiv të shqiptarëve pas pushtimit otoman në fund të shekullit të 15-të nuk ishte shumë i saktë. Njerëzit që iu ngjitën anijeve në marsin e vitit 1991 shfrytëzuan shumë pak ditë, ndoshta vetëm 100 orë për të ikur. Ishin orët që i dhanë grushtin e fundit diktaturës. Brenda 30 orësh në portin e Brindizit janë ankoruar 24 mjete lundruese, me një numër të jashtëzakonshëm njerëzish. Të dhënat nga libri-album  “Brindizi, il porto della speranza”, Mario Ada botimi 2006, japin disa shifra për njerëzit që kanë qenë në mjetet lundruese. Numri i tyre arrin në 19 924 persona.
 
Projekti në sirtar
shqiptaret ne anije
NëDurrës duket sikur eksodi i vitit 1991 është një gjë e harruar. Vitet e para drejtuesit vendorë dhe përfaqësuesit e partive politike bënin homazhe dhe hidhnin lule në bregdet. Më vonë edhe këto ceremoni u ndërprenë. Qyteti që, për një javë radhazi ishte kthyer në mikpritës të mijëra të rinjve dhe familjarëve nga e gjithë Shqipëria, duket se po fshinte nga memoria disa ngjarje të tjera tejet të rëndësishme. Në korrik të vitit 1990 qindra qytetarë që “vranë frikën” dhe kërkuan strehim në ambasadat e vendeve perëndimore ishin përcjellë me autobusë nga Tirana drejt portit të Durrësit. më pas me tragete në Itali, Francë e Gjermani. Gjithçka ishte kryer natën dhe të nesërmen durrsakët tregonin për letrat që ishin hedhur nga dritaret për familjarët e refugjatëve të parë në historinë e shtetit komunist. Dukeshin si fragmente filmash të neorealizmit italian.


shqiptaret emigrante

Koha e kujtesës
Ka ardhur koha që qyteti të mbajë një shenjë, që të kujtojë eksodin masiv të marsit 1991. Skulptori i njohur durrsak Qazim Kërtusha ka përgatitur prej kohësh një vepër, e cila në ekspozitën e tij të fundit mori miratimin e shikuesve, por edhe të arkitektëve dhe urbanistëve. “Do të jetë një plastikë urbane me përmasa jo të mëdha dhe me një formë elipsoidale”, tregon Qazim Kërtusha, artisti i njohur i veprave të parkut në qytetin bregdetar.

Së bashku me arkitektin Viktor Dhimgjini ata kanë menduar se monumenti me formë moderne, i përgatitur me copa lamierash të montuara me perçina do të ketë në mes elementë që të kujtojnë ditët e marsit 1991. Gjurmë këpucësh të prera, litarë të varur me nyje që presupozojnë ngjitjen dhe që kanë mbetur bosh, një kambanë e vogël, që tringëllin sa herë që poshtë kalon një kalimtar.

“Duket sikur thotë “Unë u ktheva”, njëlloj siç do të jetë shkruar sipër, atje ku do të marrë dritë monumenti”, shpjegon idenë e tij Kërtusha. Kështu që, në shëtitoren bregdetare, një vepër që rikujton përpjekjet e shqiptarëve për të gjetur lirinë do të ishte më tepër se një shenjë kujtese. Një monument për eksodin do të ishte një shenjë respekti për veten dhe për historinë tonë.


qazim kertusha

Shkrimi u publikua sot (07.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë