"Nuk mendoj se duhet të presim nga rinia e sotme të njëjtin qëndrim ndaj pushtetit me atë qëndrim të vitit 1990." Kështu u shpreh Neritan Ceka, ish-nënkryetar i PD-së, teksa kujtoi Lëvizjen Studentore të dhjetorit të vitit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist dhe hapi rrugën drejt demokracisë në Shqipëri.

Në një intervistë për "Sot Live në Shqipëri" në Report TV, Ceka tha se lëvizja e asaj kohe ishte spontante e studentëve dhe jo e intelektualëve, pasi për këta të fundit do të ishim ende në diktaturë. 

“Ishte lëvizje spontante e studentëve, besoj se për intelektualët do të ishim akoma në diktaturë. Intelektualët ë morën drejtimin e lëvizjes ishin të papërgatitur, pa një program dhe kryesisht me iluzione. Kjo shjegon se Shqipëria e sotme është krejt e ndryshme nga imagjinari i 8 dhjetorit 1990. Nuk mendoj se duhet të presim nga rinia e sotme të njëjtin qëndrim që kanë ndaj pushtetit atë qëndrim të vitit 1990. Nuk duhet të presim revolucione apo përmbysje. Kam idenë se programi i PD është ende i lidhur me traditën e ndryshimeve radikale, që një brez i ri do të pastrojë politikën. Nuk ka për të ndodhur. Tani është çështje e atyre që i zgjedh populli me vullnet duke i njohur se kush janë dhe duke ditur pasojat. Pastaj pendohet, ka ankesa, i rrëzon apo zgjedh të njëjtët njerëz. Është një histori që do të zgjasë të paktën 50 vjet, nuk do të ketë ndrysime radikale. Janë të dy palët njësoj, janë ata që zgjedhin këto liderë. Besoj se vetëm 10 përqind e rinisë shkon për të votuar, dhe ata që kanë mbetur nga '90. ", u shpreh ai. 

Sipas tij, pavarësisht se numri i deputetëve të rinj është shtuar në parlament, "janë shumë të pakët zërat që tingëllojnë si evropianë." Kritik ishte ndaj partive teksa u shpreh se kanë punuar vetëm për interesin e tyre, dhe kjo reflektohet te reforma zgjedhore, duke lënë jashtë partitë e vogla.

Ceka tha se PD ka ngelur me programin e dy dekadave më parë, ndërsa shtoi se revolucioni për ndryshim nuk do të vijë nga rruga, por duhet të vijë nëpërmjet mendimit. Për këtë duhet të merret shembulli amerikan apo i Evropës veriore, ku vendi të çlirohet nga partitë politike.

"Fatkeqësia e këtyre viteve ka qenë se është identifikuar pushteti politik me atë ekzekutiv. Kjo bën indiferent popullin. PD duhet të dalë me një program që të thotë si në Amerikë, që një parti është elektorale. Mbaruan zgjedhjet, nuk ka punë më me pushtetin. Pushtetin e ka ekzekutivi dhe ekzekutivi nuk mund të vijë nga partitë politike. Nëse duam një zë të ri, duhet një republikë që çlirohet nga partitë politike. Kaq absurde është kjo gjendje sa që vazhdojnë partitë politike e numërojnë votat. Sado që janë armiqësuar në kulm dhe e kanë çuar njëri-tjetrin nëpër burgje, u bashkuan për reformën elektorale, e cila e ndan Shqipërinë në kantone antikombëtare vetëm që të nxjerrin jashtë loje partitë e vogla që në fakt kanë qenë faktorë qytetërimi. Mendoni sesa figura të rëndësishme kanë dalë nga ayo parti të vogla dhe sa pak figura kanë mbetyur nga ato të mëdha. Mendoj se ka nevojë jo për një revolucion që vjen nga rruga, por nga mendimi politik, një program që merr shembullin amerikan apo të Evropës veriore, që të mos mbetemi me dy parti që janë e njëjta gjë. Ne thamë ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa, asnjë nga këto faktorë nuk është realizuar. Shqipëria është peng i partive politike. Hoqëm një parti dhe sollëm dy parti. Në origjinë nuk kishte si të ishte ndryshe. Nuk mendoj se Partia e Punës u nda në pjesë por vazhdoi në të gjitha partitë politike. Më shumë te partitë kryesore vazhdoi mentaliteti i Partisë së Punës, mendimi që partia udhëheq, që i di të gjitha, që vendos për pyjet, ndërtimet, pikturën, arkeologjinë etj. Nuk ka më elita Shqipëria. Një nga faktorët negativë të ndërhyrjes brutale të partive në jetën e vendit është zhdukja e elitave. Janë më pak elita se sa në Partinë e Punës. Nuk e dimë se kush janë shkrimtarët, piktorët, balerinët, kërcimtarët e as sportistët më të mirë. Nëse nuk reflektojnë partitë politike dalin nga skena kombëtare. Ka nevojë që të rindërtohet kombi.", u shpreh më tej ai. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:43
Ceka: Parlamenti është kthyer në 'estradë', me aktorë nga PS dhe duartrokitës nga PD! Duhet një shkollë politike që përgatit deputetët e rinj

Në intervistën për Report TV, Neritan Ceka u shpreh kritik ndaj partive politike. Duke komentuar gjendjen në të cilën ndodhet PD, ai tha se Sali Berisha e ka mbyllur ciklin e vet, dhe se ai duhet që të largohet dhe t’i lërë vend brezit të ri të politikanëve. Për këtë, tha Ceka, PD duhet që të krijojë një “shkollë politike” për të përgatitur emrat e rinj. Ai tha se deputetët aktualë e kanë kthyer parlamentin në “estradë”, me aktorë nga PS, dhe duartrokitës nga PD.

“Berisha e kam mbyllur ciklin e vet, është njeri i përgatitur dhe mendimi im ka qenë gjithmonë se edhe në politikkë duhet të ndodhë ajo që është në jetën shoqërore, që lideri duhet të largohet dhe t’i lërë vend një brezi të ri politikanësh. Ka dy rrugë, ose  rruga e vullnetit që nuk ndodh kollaj. Pra, ka modele të ndryshme por mendoj se doktor Berisha është vlerë politike. Mënyra sesi i tërheq pasuesit e tij, se si e thotë të vërtetën. Ka një përvojë kolosale politike që është vlerë për PD, por kam propozuar krijimin e një senati, një parlament që do të thithte një pjesë të vlerave politike. E dyta, është krijimi i një fondacioni në PD ku të përgatitet brezi i ri i politikanëve, që përgatiten që 15 vjeç që në shkollë si modeli italian. Meloni në tregimin e saj thotë se ka qenë 16 vjeç kur është angazhuar me të djathtën italiane. Nuk është bërë menjëherë deputete, siç ndodh në Shqipëri që thonë broçkulla dhe e kthejnë parlamentin në estradë. Është e turpshme që një institucion i vlerave të kthehet me aktorë nga PS dhe duatrokitës nga PD. Besoj se nuk e ndihmon kombin. Edhe për Berishën e të tjerë, vlerë e PD është koha që të krijohet një fondacion i tipit gjermanik ku të nisë shkolla e përgatitjes politike të atyre që do të bëhen pas 10-15 vjetësh deputetë. Genc Pollo psh mund të ishte në këtë fondacion me Berishën, Aleksandër Meksin, Dashamir Shehin, që janë larguar nga PD. Mirë është të krijohet shkolla politike e së djathtës shqiptare dhe Berisha mund të luante rol kryesor dhe të hapte një reformë nga PD, i largimit të partive nga ndikimet mbi pushtetin ekzekutiv, nga shkatërritimi total i pushtetit i cili ka dhjetëra vetë nëpër burgje, që vijë nga partitë. Është vend ku kemi ministra, kryetarë bashkie këshilltarë e zv ministra, këtë se kemi menduar kurrë në dhjetor 1990.”, tha ai.