Kur BE, përmes përfaqësuesit të saj u kujtoi dje shqiptarve se do ketë edhe apel ndaj vendimit, kush deshi e kuptoi mesazhin? Ata dhe të tjera qeveri ishin njoftuar për dënimin e pritshëm të të gjithë zinxhirit drejtues të UÇK-së. U përforcua kjo bindje kur gjyqtari, në nisje të verdiktit, shqiptoi se “…procesi gjyqësor nuk ka të bëjë me luftën çlirimtare dhe Kosovën”, gjë që vete ai nuk e beson! Ajo çka kuptohet më qartazi, tani pas vendimeve, është ndikimi i tmerrshëm që ka Rusia mbi Europën (që vazhdon luan rolin e xhandarit) si dhe qëndrimi i Shteteve të Bashkuara te Amerikës (vëndi i cili e ka krijesën e vet Kosovën e lirë), e flashkët, me mungesë vullneti dhe autoriteti për të penguar marrëzinë e disa punonjësve, veshur me toga. Me toga gjyqtarësh, por sa rrogëtarë aq dhe të ndikueshëm politikisht (siç ndodh kudo).
U përmendën krime që ka bërë UÇK. Nuk kam pse e vë në dyshim se ka patur apo nuk ka patur vrasje, por luftë ka qenë!? Janë vrarë pa gjyq bashkëpuntorë të pushtuesit dhe pas hyrjes së trupave të KFOR-it kanë ndodhur krime që askush nuk mund t’í kontrollonte. Thaçi me Krasniqin, jo që jo! Kështu ka ndodhur në çdo luftë. 14 mijë të tillë u vranë në Francë pas çlirimit dhe kapitullimit të Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore, ish bashkëpuntorë të pushtuesit nazist.
Mjerimi i vendimeve të Gjykatës së Hagës, cilësohet i tillë sepse e dinë që lufta u krye kundër makinerisë më të tmerrshme ushtarake që përdori Serbia për shfarrosjen e të tjerë popujsh në Ballkan, me besim tjetër fetar, por sidomos kundër shqiptarëve, me kombësi e gjuhë tjetër nga sllavishja. Drejtohej sundimi dhe genocidi kundër një race tjetër, popullit shqiptar, duke e ditur se ishte i paarmatosur, i pa mbrojtur, pa përkrahjen e një shteti me peshë ndërkombëtare. Dhe do ta kishin bërë realitet shfarrosjen e kombit shqiptar, nëse NATO, nën drejtimin e Amerikës, nuk do kishte ndërhyrë!? Më kujtohen mirë vitet para kësaj kohe, kur Europa bënte sehir, ndërkohë që shqiptarëve në Kosovë ju mbyllën shkollat, u larguan nga çdo punë dhe burgjet u tej mbushën. Do mjaftonte akuza se kishin përdorur flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrerëshe ose dhe pa asnjë akuzë madje?
Për të shpjeguar pse shqiptarët ngelën si jetimë, do i sjell lexonjësit disa momente historike!?
Në vitin 1536, pas përkeqësimit të marrëdhënjeve me Austrinë, Franca, atëbotë lider ushtarak dhe udhëheqëse e botës së krishterë, nën sundimin e Fransisit të Parë nënshkroi me Sulejmanin e Madhërishëm të Perandorisë Otomane, Aleancën Franko-Osmane. Kjo aleancë politike, ushtarake dhe ekonomike, ishte kapaku i varrit për popujt e krishterë ballkanas, që kishin rënë nën sundimi turk. Ngelën të tilla, në robëri për 450-500 vjet. Vetëm Franca kishte kapacitetet ushtarake ta çlironte Ballkanin. Të tjerat, Austria, Venediku, Gjenova, as që llogariteshin, deri kur Rusia u forcua së tepërmi, mori nën sqetull popujt sllavë në Ballkan, siç kish ndodhur me Greqinë, që u vendos nën mbret dhe ombrellë gjermane. “Turqia e vogël”-Shqipëria, pjesërisht e islamizuar, vetëm sa ju mbrojt bregdeti, për interesat austriako-italiane, të cilët nuk vonuan ta pushtojnë.
Shqipëria shtet, por jo komb-shtet, sepse gjysma e saj ngeli jashtë, ishte tërë kohën lakmi e Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Nëse shpëtoi, kjo nuk ndodhi për meritë të saj, por nga shkaku i statukuosë së vendodur në luftën e ftohtë, NATO-Traktat i Varshavës ose me saktë, Bashkim Sovjetik! Aktualisht bota, që siç e shohim nuk është më ajo e para, po ndryshon me ritme të shpejta. Deri tani, si anëtarë të NATO-s dhe si partnerë strategjikë me SHBA, i jepnim vetes siguri. Nuk mjafton më! Gjykata e Hagës, me vendimin që mori, tërthorazi na bën me dije kërcënimin, retë e zeza mbi kryet tanë dhe na ndërmend kujdesin që duhet të tregojmë për ushtrinë, për armatimin, për vemendjen nga kurthet serbe e më gjerë.
Ajo që nuk na thotë, por që e marrim me mend është uniteti kombëtar! Nuk mjafton në të dy shtetet shqiptare vetëm një shoqëri e përçarë politikisht, me unitet të cënuar rëndë, por mbajmë në shpinë dhe sjelljet foshnjërake të drejtuesve qeveritarë. Njëri ndërton hapësira “’bashkëpunimi” me Vuçiç, pa përfilluar dhe pa kaluar të vëllai më i vogël, sepse nuk e gjykon të nevojshme, ndërsa tjetri, si fëmijë qefprishur, përmes sjelljes i përcjell publikut mërinë ndaj vëllait të madh. Dhe sikur këto të mos ishin të mjafta, shohim se si raportet e Republikës së Kosovës me SHBA-në kanë rënë në nivelet më të ulta? Kosovës, që vuan prej një kohe të gjatë krizën qeveritare e të presidentit, i shtohen tani dhe pakënaqësia që do shoqërojnë në popull vendimet për katër krerët e UÇK-së.
M’u duk se kaloi pa u vënë re qëndrimi i AfD-Alternativa për Gjermaninë, partia që fitoi në Saksoni-Anhalt? Si parti me karakter ekstremisht të djathtë, ajo tronditi opinionin shqiptar kur deklaroi se do
kërkojë zyrtarisht tërheqjen e njohjes për Kosovën. Nuk pashë asnjë prononcim prej republikave tona, ta dimë: pse e kërkon kjo parti këtë gjë? Pasojat dihen. Serbia, prej lakmive të saj, ekstremizmit nacionalist, urrejtjes racore, ka provokuar dy luftra botërore. Ky deklarim i AfD-së i ngjall Serbisë shpresa se një ditë do kthehet në Kosovë. Përderi sa e thotë gjermani, pse jo?!
Organizmat tona kanë gjithçka, kohë, mjete, mëndësi dhe praktikë për ta vënë në shërbim të begatisë kombëtare. Gjëja më e zgjuar që ndodhi gjatë këtij viti ishte marrëveshja në fushën e mbrojtjes përmes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Një marrëveshje kjo rajonale, e cila kërkoi dhe mori miratimn e NATO-s. Pas vendimit të Gjykatës së Hagës nuk dimë se çka do bëjë Serbia,? Dimë se po armatoset rëndshëm dhe po i përdori, kundër nesh do e bëjë? E njohim dhe nuk i kemi besë.
Nuk është aspak e tepërt ta mbyll me vlerësimin se Gjykata e Hagës, me vendimin e marrë, i bëri një dëm shumë të madh paqes në rajon, sepse nuk dënoi katër veta, por (ndonëse nuk do ta pohojnë kurrë), por dënoi luftën e armatosur të një populli për liri.








Komente
Komento