Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ka reaguar në lidhje me ndërtimin e resortit të kompanisë “Gener 2” të biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj, në Rrjoll të Velipojës, ku banorët pretendojnë se u është zaptuar toka.

Përmes një deklarate publike, PPNEA ka shprehur kundërshtinë për këtë projekt, që ndodhet brenda peizazhit të mbrojtur Bunë–Velipojë.

PPNEA thotë se Lumi i Bunës – Velipojë është Zonë e Mbrojtur me ligj dhe njëkohësisht Ligatinë me Rëndësi Ndërkombëtare (Ramsar).

Në deklaratë thuhet se ndërhyrjet masive, betonizimi dhe ndryshimi në këtë zonë, përbëjnë një rrezik real dhe të menjëhershëm për dëme të pakthyeshme në biodiversitet, në shërbimet jetike që ofron ligatina dhe në mirëqenien e komuniteteve lokale.

Deklaratë publike

Lumi i Bunës – Velipojë: Zonë e Mbrojtur me Rëndësi Ndërkombëtare, JO Betonizimit të saj

Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA shpreh kundërshtimin e saj të qartë ndaj projektit turistik “Blue Borgo”, të planifikuar në Baks–Rrjoll, brenda Peizazhit të Mbrojtur Bunë–Velipojë.

Kjo nuk është një zonë e zakonshme zhvillimi. Lumi i Bunës – Velipojë është Zonë e Mbrojtur me ligj dhe njëkohësisht Ligatinë me Rëndësi Ndërkombëtare (Ramsar), zona më e madhe e kësaj konvente në Shqipëri. Ky kompleks ligatinor është ndër më të pasurit dhe më të rëndësishmit në rajonin e Adriatikut për biodiversitetin dhe për ruajtjen e integritetit ekologjik të ekosistemeve bregdetare.

Në këtë zonë strehohen qindra shpendë shtegtarë, përfshirë lloje të rrezikuara globalisht, duna bregdetare të paprekura, laguna, habitate të rralla dhe korridore ekologjike jetike për peshqit dhe gjitarët e egër. Çdo vit, shpendë dimërues gjejnë strehë në këtë ekosistem unik, duke e bërë këtë zonë një thesar natyror kombëtar dhe evropian.

Ndërhyrjet masive, betonizimi dhe ndryshimi në një Zonë të Mbrojtur dhe Ramsar përbëjnë një rrezik real dhe të menjëhershëm  për dëme të pakthyeshme në biodiversitet, në shërbimet jetike që ofron ligatina dhe në mirëqenien e komuniteteve lokale.

Zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të ndërtohet duke dobësuar statusin e mbrojtjes së një zone me vlera kaq të jashtëzakonshme natyrore. Mbrojtja e saj është një detyrim ligjor, kombëtar dhe ndërkombëtar.

PPNEA qëndron në mbrojtje të këtij ekosistemi, një pasuri e përbashkët që nuk mund të zëvendësohet, dhe një e mirë publike që duhet t’i lihet banorëve të zonës për përkujdesje dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Më 15 janar të këtij viti, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka firmosur lejen e ndërtimit për resortin turistik gjigant në zonën bregdetare, ndërmjet Ranës se Hedhun dhe Velipojës. Kompleksi, sipas projektit do këtë sipërfaqe rreth 146 hektarë, një nga investimet më të mëdha turistike në vend. Por për banorët, kjo leje nuk zhbën realitetin e ashpër pasi toka e tyre është zaptuar nga privati dhe shteti është vënë kundër tyre për të shtypur protestën me dhune.

Më 31 dhjetor 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, botues dhe pronar i stacionit televiziv A2 së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” nga "Gener 2"  “Aba Blue Borgo”, sh.p.k. Ky fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër.