TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, u shoqërua nga paraburgimi i Durrësit, ku ndodhet prej shkurtit të vitit 2025, drejt Gjykatës Administrative. Në duar mbante librin “Mbi durimin e të urtit”. 

Seanca e radhës në Gjykatën Administrative për padinë e Veliajt për pavlefshmërinë e emërimit prokuror të Ols Dados, sot prokurori i Posaçëm që ka ngritur akuza penale ndaj tij, u shoqërua me një zhvillim të ri që lidhet me 4 vrasjet e 21 janarit në protestën kundër qeverisë Berisha.

Ishte shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë”, që zbuloi se Ols Dado ka qenë pjesë e hetimit për vrasjet në bulevard, para kryeministrisë së udhëhequr nga Sali Berisha në 2011-ën.

Shoqata kërkoi të bëhej palë në procesin ku Veliaj kërkon që Gjykata Administrative të shpallë të pavlefshëm dekretin me të cilin Ols Dado u emërua prokuror në vitin 2008.  Sipas përfaqësuesve të saj, çështja ka interes publik dhe lidhet me integritetin e sistemit të drejtësisë, një nga objektivat kryesore të veprimtarisë së kësaj shoqate.

Sipas tyre, mënyra si është hetuar 21 janari, me përfshirjen edhe të Ols Dado, lidhet drejtpërdrejt me kriteret dhe rrethanat e emërimit të tij si prokuror në shkelje te ligjit. Ky argument i ri, solli reagimin e menjëhershëm të Erion Veliajt, i cili iu referua vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg sipas të cilit 21 janari është krim i pazbardhur shtetëror, çka detyroi SPAK të marrë për herë të parë në dorë hetimin e të zbulojë se kush urdhëroi të qëllohet ndaj protestuesve.

“U përmend se Olsa Dado ka qenë prokuror për 21 janarin. Gjykata e Strasburgut e ka vlerësuar atë hetim si të metë, me probleme dhe ndërhyrje në hetim. Tani ky prokuror më ka rënë edhe mua. Aty u vranë 4 socialistë, dhe hetimi për këtë çështje është vlerësuar me probleme nga Strasburgu. Unë e shoh këtë si një element tjetër që më jep të drejtë të jem pjesë e këtij procesi, si individ, si kryetar bashkie dhe si përfaqësues politik i Tiranës.”

Veliaj tha se ky fakt forcon nevojën që shoqata për media e drejtësi, të legjitimohet si palë në gjykim. Sipas tij, interesi i tij në këtë çështje lidhet jo vetëm me pozitën personale, por edhe me rolin e tij si drejtues politik në Tiranë.

Në vijim të seancës, kryebashkiaku përsëriti kritikat ndaj prokurorit Dado dhe po ashtu edhe mungesën e tij në sallën e gjyqit, ku që nga nisja e deri më tani nuk është paraqitur në asnjë seancë.

"Unë jam sot 500 ditë larguar nga detyra nga një noter me pesa. Pas 500 ditësh, Olsi Dado nuk denjon të vijë. Ju e dini që ai e ka marrë shkollën me pesa. Kush i pastron plehrat? Janë bërë mullar, aq sa shoh nga dritaret e autobusit. Kush i ndërton kopshtet? Sot Tirana po drejtohet nga njerëz që nuk i ka votuar askush. Ktheni solemnitetin e procesit",tha Veliaj.

Ndërkohë, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, kërkoi më shumë transparencë duke iu referuar  vendimit të gjykatës që nuk lejon kamerat në proces.

Në seancë, si Veliaj ashtu edhe avokati i tij kundërshtuan qëndrimin e përfaqësueses së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e cila, njësoj si mbrojtja e Ols Dados, kërkoi që kryebashkiaku nuk duhet të legjitimohet si palë paditëse në këtë proces.

Për t'u dhënë kohë palëve të njihen me kërkesën e shoqatës që kërkon të përfshihet në gjykim, Gjykata Administrative vendosi shtyrjen e seancës më 3 korrik.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:05
Emërimi i Dados prokuror, avokati Ndreca: Qëndrimi i KLP-së për këtë çështje lë shumë për të dëshiruar, po bëhet palë me paligjshmërinë

1781899677_80001775045798xndreca2451.webp

Në komunikimin e tij me gazetarët, pas përfundimit të seancës në Gjykatën Administrative, e cila u shty për në datën 3 korrik, avokati mbrojtës i kryebashkiakut Veliaj, Plarent Ndreca, e vuri theksin te qëndrimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbi çështjen e emërimit të Ols Dados prokuror.

Deklarata e plotë e avokatit Ndreca me gazetarët:

Ndreca: Ashtu siç e thashë edhe në seancë, qëndrimi i KLP-së i jep një përmasë tjetër këtij procesi, në kuptimin që, përtej një dekreti, përtej një emri prokurori, po kthehet në një problem institucional, kur institucioni më i lartë i qeverisjes së prokurorisë bëhet palë me paligjshmërinë, ndërkohë që duhej të ishin shumë të shqetësuar mbi një pretendim i cili është në verifikim. Normalisht, duhej ta kishin bërë verifikimin më përpara, por tashmë, ne ia kemi drejtuar Gjykatës; është një verifikim që ia kemi drejtuar një pale të tretë, pra ata nuk duhet të kenë asnjë frikë që të fusin një proces në shqyrtim gjyqësor dhe të dëgjohen palët në themel, të mbajnë qëndrimin e tyre dhe të presin vendimin e Gjykatës. Fakti që institucioni më i lartë i prokurorisë, i cili është institucioni më i interesuar që e vërteta të dalë në pah, edhe për këtë çështje mban qëndrim të tillë që në terma të thjeshtë përkthehet në “mos i fol gjykatës, mos iu drejto gjykatës, ju nuk keni të drejtë të ngrini kështu lloj pretendimesh”, tregon për një qëndrim i cili, të them të drejtën, lë shumë për të dëshiruar dhe tregon që ka një situatë shumë të rëndë në këtë pikëpamje në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të paktën për këtë çështje që është në zhvillim.

Ajo që doja të evidentoja mbi këtë moment është fakti që situata e publicitetit në seancë gjyqësore përkthehet në një situatë qesharake. Nuk e kuptoj nga çfarë kanë frikë gjykatat që nuk lejojnë kamerat dhe nuk lejojnë nëpërmjet tyre publikun të marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë me argumente në proces gjyqësor. Përmendja e një udhëzimi të KLGJ, i cili është një udhëzim krejtësisht i paligjshëm, dhe siç e thashë edhe në seancë gjyqësore, gjykata e ka gjithë kompetencën për ta konstatuar si të tillë që nuk lejon kamerat të filmojnë, duke reduktuar publicitetin e seancës gjyqësore në 30 vende që ka një sallë, ndërkohë që publiciteti i  parashikuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është mundësia që çdo qytetar i interesuar për të ndjekur një proces gjyqësor të ketë mundësinë ta dëgjojë procesin gjyqësor.

Pyetje: Nuk e di nëse jeni i informuar z. Ndreca, të gjitha televizionet kryesore kanë vënë në lëvizje Këshillin e Lartë Gjyqësor mbi këtë çështje, kështu që mendoj që ne po kërkojmë po aq sa ju transparencë, jo vetëm në këtë proces, por edhe...

Ndreca: Jam shumë i informuar dhe i kam mbështetur. Ju inkurajoj dhe jam palë me ju në këtë proces dhe me aq sa e parë dhe në proces, unë bëra një gjysmë ore hapje vetëm për të këtë çështje, që unë mendoj që është një çështje e drejtë dhe absurdi është që një kryetar bashkie që është në masë sigurie në arrest me burg kërkon transparencë. Gjyqtari, prokurori, KLP, Presidenca nuk e kërkojnë këtë transparencë, kur asnjë prej tyre nuk ka asnjë masë sigurimi dhe nuk kanë asnjë pasojë në jetën personale.

Pyetje: Pse duhet të vijë Dado në Administrative tek Veliaj dhe nuk duhet të shkojë Veliaj në GJKKO tek Dado?

Ndreca: Sepse Veliaj është i pandehur, ka të drejta specifike që ia garanton Kushtetuta dhe siç ju duhet ta dini, z. Veliaj nuk vjen në proces për shkak të kafazit të artë, që tashmë përkthehet në kafaz të artë xhami, - ai kafaz 5 yjesh, siç thotë prokurori, - të cilin Veliaj e konsideron si cënim të dinjitetit njerëzor, ashtu siç thotë edhe Komiteti i Helsinkit, siç thotë edhe Gjykata Evropiane e Strasburgut. Z. Veliaj ka vlerësuar që të mos vijë aty dhe t’i cënohet dinjiteti se mjaft i është cënuar liria. Nuk është mirë që të vijojë të cënohet dinjiteti në një proces gjyqësor, ndërsa këtu z. Dado nuk vjen si individ, këtu z. Dado vjen si përfaqësues i shtetit shqiptar, personazh i cili ka një funksion publik dhe që ka detyrim ligjor të përballet me publikun dhe të jetë në sytë e publikut, për mënyrën se si është emëruar dhe kur vjen momenti për mënyrën se si i ka zbatuar detyrat e tij. Pra, është funksionar publik. Z. Veliaj në ndryshim nga z. Dado ka qenë gjithë kohës në dispozicion, gjithë kohës bashkëpunues me hetimin. Nuk ka ndërhyrë në asnjë moment në hetim, ka pranuar çdo lloj mase dhe masën që ka aktualisht dhe ka pranuar çdo lloj hetimi nga prokuroria. Z. Dado, në vend që të vijë këtu e të përballet me argumentet, ka zgjedhur, sigurisht është e drejta e tij ligjore, formalisht, të mos jetë prezent.

Pyetje: Si e konsideroni faktin e ndërhyrjes së një shoqate “Media për drejtësi” në këtë proces?

Ndreca: Po sigurisht, madje shoqatat kanë të drejtë, nuk e njoh mirë argumentin përveç atyre që u thanë në seancë, por shoqatat kanë të drejtë shkojnë drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese. Janë të vetmet subjekte që legjitimohen drejtpërdrejt në Gjykatë Kushtetuese, për shkak të objektit të veprimtarisë së tyre, nëse e kanë në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut, që mund të legjitimohen drejtpërdrejtë në Gjykatë Kushtetuese. Vlerësoj që në këtë proces është i legjitimueshëm për të hyrë çdo qytetar i Tiranës, i cili paguan taksa, taksat e të cilit nuk administrohen në mënyrën se si vetë qytetarët kanë zgjedhur për t’i administruar nga një i zgjedhur i tyre dhe për rrjedhojë çdo qytetar legjitimohet e jo më një shoqatë, e cila siç duket dhe u relatua në seancë kishte për objekt veprimtarie verifikimin e gjithë veprimtarisë së organeve të drejtësisë dhe mënyrën se si ato ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Ne sigurisht rezervuam të drejtën të shprehemi në themel mbi kërkesën e bërë nga shoqata, por ajo çka u përmend në seancë gjyqësore vlerësoj që ishte një fakt i ri, për të cilin unë personalisht nuk kam pasur informacion, që z. Dado paska qenë edhe prokuror i çështjes së “21 janarit” dhe sigurisht që, objekti i padisë sonë ndikon drejtpërdrejtë edhe tek çështje të një niveli të tillë interesi publik, ku çështja e “21 janarit”, ju e dini shumë mirë që është kthyer nga Gjykata e Strasburgut, pikërisht për shkakun se nuk është bërë hetim i thellë dhe hetimi i duhur. Pra, ka qenë një hetim me të meta. Në kushtet kur ne po flasim, nëse një prokuror ka qenë i emëruar në mënyrë të ligjshme apo jo, sigurisht që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe tek hetimi, sepse ai prokuror që paska hetuar “21 janarin” nuk është emëruar në mënyrë të ligjshme dhe këto janë të lidhura me njëra-tjetrën. Në lidhje me shoqatën, ne do shohim argumentin e thelluar të tyre dhe më pas do japim qëndrimin tonë më 3 korrik.

Pyetje: A do jeni ju dakord me kërkesën që deklaroi avokati Karanxha, kur kërkoi si një dëshmitar z. Bamir Topin dhe znj. Ina Rama?

Ndreca: Nuk mund ta them në këtë moment, sepse këtë mund ta shpreh vetëm pasi të shoh gjithë argumentet që kanë trajtuar dhe lidhjen e tyre mbi çështjen.

Unë mendoj që çdo qytetar, çdo taksapagues i Tiranës ka legjitimim aktiv, për t’iu bashkuar kësaj padie, sepse ka interesin për të ditur, nëse prokurori që e ka marrë nga detyra kryetarin e Bashkisë së tyre të zgjedhur është i ligjshëm apo jo dhe sigurisht edhe shoqatat që kanë objekt veprimtarie, mirëfunksionimin e drejtësisë, mirëfunksionimin e institucioneve publike, kanë patjetër interes të ligjshëm për të vlerësuar ligjshmërinë e emërimit të një prokurori. Patjetër që KLP është e para që ka interes të ligjshëm, por siç duket institucionet shtetërore nuk e kanë interesin real, për të zbuluar të vërtetat që në fakt janë në dëm të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.

Ora 16:07
Veliaj në Administrative, momenti kur kryebashkiaku del nga salla dhe përshëndet të pranishmit

 

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ishte sot në Gjykatën Administrative për seancën me prokurorin e posaçëm Ols Dado. Në përfundimin e seancës, Veliaj i shoqëruar nga forca të Operacionales, ka përshëndetur të pranishmit në sallë përpara se të largohej. Seanca nuk u lejua të transmetohej live ndërsa në sallë në mbështetje të të parit të Tiranës ishte aktori i njohur i humorit Gaz Paja.

Ora 16:05
Ols Dado hetoi edhe vrasjet e 21 Janarit, Veliaj: Gjykata e Strasburgut e vlerësoi hetim të metë dhe me shkelje të rënda

 

Në seancën e sotme të Gjykatës Administrative, ku u shqyrtua kërkesëpadia për shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit të Ols Dados prokuror, u zbulua edhe një fakt i ri.

Dado mësohet se ka qenë hetues i vrasjeve të 21 janarit 2011 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një hetim i cili më pas është hedhur poshtë si hetim me të meta dhe shkelje nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Nisur nga ky fakt i ri, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha sot në seancë se ai ka edhe një arsye tjetër për të qenë palë në shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit të Dados.

“U përmend një vendim i GJEDNJ-së, të Strasburgut, për ’21 janarin’, ku prokuror i ’21 janarit’ ishte Ols Dado. Strasburgu e vlerësoi hetimin për ’21 janarin’ një hetim të metë. Strasburgu tha, ‘ky është një hetim i metë, këtu ka ndërhyrje në hetim’. Tani, ky prokuror më ka rënë edhe mua, kështu që, patjetër që këta (Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë”) janë të legjitimuar sepse paskan zbuluar se ky qenka një shkelës sistematik.

Pra, noteri me pesa, bëhet prokuror dhe të bëka hatanë. Patjetër, unë jam edhe kryetar i PS për Tiranën. Aty u vranë 4 socialistë. Unë paskam edhe një arsye tjetër për të qenë në këtë proces sepse prokurori i ’21 janarit’, hetimet e të cilit i rrëzoi Strasburgu, ishte ai që hetoi vrasjen e 4 socialistëve. Pra, qenka edhe një element tjetër i legjitimimit: si individ, si kryetar bashkie dhe si përfaqësues i PS Tiranë, ku u lanë rrugët me gjak, dhe ky prokuror kishte për detyrë ta hetonte dhe hetimi i ra në Strasburg si i metë”, tha Veliaj në fjalën e tij në seancë.

Ora 14:48
Gjyqi në Administrative/ Veliaj: Jam 500 ditë i pezulluar nga një noter me pesa, Dado s’denjon të vijë! Kush i pastron plehrat në Tiranë?

1781870022_veliaj.jpg

Në senacën në Administrative, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se prej 500 ditësh është i pezulluar nga detyra nga një “noter me pesa”, ndërsa kritikoi mungesën e prokurorit Ols Dado në gjyq.

“Po të isha në vendin tuaj, do të isha i shqetësuar që përfaqësuesja e KLP-së gënjeu hapur. Minimalisht, ju duhet t’u tërhiqni vëmendjen institucioneve shtetërore. Kemi arritur në ditën kur përfaqësuesja e një institucioni të lartë të drejtësisë gënjen hapur. Për diplomën me pesa të të akuzuarit, unë jam sot 500 ditë larguar nga detyra nga një noter me pesa. Nuk po flas më për veten time, sepse nuk kërkoj mëshirë nga askush. Unë edhe në maternitet do të shkoj me polic.

Pas 500 ditësh, Olsi Dado nuk denjon të vijë. Ju e dini që ai e ka marrë shkollën me pesa. Nuk ka asnjë dosje. Është qokë. Edhe Bamir Topi doli dhe tha hapur se bëhej fjalë për një qokë. Kush i pastron plehrat? Janë bërë mullar, aq sa shoh nga dritaret e autobusit. Kush i ndërton kopshtet? Sot Tirana po drejtohet nga njerëz që nuk i ka votuar askush. Ktheni solemnitetin e procesit. Ju jeni zoti i seancës. Si qenka KLGJ-ja? Atëherë kot që jemi këtu. Nëse KLP thotë se kemi bërë prokuror noterin me pesa që shkatërroi jetën e një njeriu, kush e përfaqëson tani KLP-në? Askush nuk është mbi ligjin, por askush nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen minimale që të jep ligji”, tha Veliaj.

Ora 14:28
Seanca e Veliajt ndaj Dados në Administrative, aktori Gaz Paja në mbështetje të kryebashkiakut

 

Aktori i njohur i humorit, Gaz Paja, është paraqitur pranë Gjykatës Administrative për të ndjekur nga afër seancën e Erion Veliajt.

Paja ishte i pranishëm edhe gjatë seancës së kaluar në shenjë mbështetjeje ndaj kryebashkiakut.

Ora 14:20
Administrativja nuk lejoi gjyqin kundër Dados live, avokati i Veliajt: Proces qesharak, po kthehet në gjykatë të mbyllur me hekura

1781600407_ndreca.png

Gjykata Administrative nuk e lejoi transmetimin live të seancës së Erion Veliajt kundër Ols Dados. Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Plarent Ndreca tha në gjyq se procesi po bëhet qesharak. Ndreca deklaroi se po kthehet në një në gjykatë të mbyllur me hekura, duke mos lejuar transparencë.

"Duket që në këtë proces po humbet durimi në çdo kuptim po kthehet në proces qesharak, e kjo vihet re që tek dera, një polic pa kompetencë rri te dera dhe ndalon hyrjen e qytetarëve në seancën publike. Salla e gjyqit administrohet nga ju, as nga gjykata, kanë bërë kërkesë gazetarët, ka kaluar çdo lloj mirëkuptimi, s’gjej fjalë etike për të vlerësuar këtë absurd, mbyllja hermetike që duhet të jetë në sy të publikut po kthehet në një gjykatë të mbyllur me hekura. Është një udhëzim i KLGJ, dhe më e rënda gazetarët e publiku janë prezent, dhe ndalohet të filmojë. Ju deklaruat diçka tjetër dhe e vërteta është diçka tjetër për masat e regjistrimit, më thatë se do interesoheni personalisht. Ju nuk jeni në varësi të KLGJ, por të ligjit dhe të kushtetutës", tha Ndreca. 

Ora 13:52
Me librin 'Mbi durimin e të urtit' në duar, Erion Veliaj mbërrin në Gjykatën Administrative (VIDEO)

 

Nën masa të posaçme sigurie, Erion Veliaj ka mbërritur në ambientet e Gjykatës Administrative për seancën e radhës lidhur me padinë që ka ngritur ndaj prokurorit Ols Dado.

Në duar, Veliaj mbante në duar librin me titull "Mbi durimin e të urtit" të Seneca-s.

Ora 12:52
Gjyqi i Veliajt kundër Dados, Administrativja refuzon sërish kërkesat e gazetarëve për transmetimin live të seancës

1778240970_erionveliaj.jpg

Gjykata Administrative refuzon sërish kërkesat e gazetarëve për transmetimin apo regjistrimin e seancës live në procesin e padisë së Veliajt kundër Ols Dados. Në një përgjigje drejtuar gazetarëve, Gjykata Administrative thotë se vendimi i gjyqtari Hazbi Balliu për të mos lejuar transmetimin e seancës live është marrë më 8 maj dhe është ende në fuqi. Si në seancën e kaluar, kamerat do të jenë sallë vetëm në fillimin e seancës, për pjesën teknike, si edhe kur te jepen vendime të ndërmjetme ose përfundimtare.

Ora 12:00
Shoqata kërkon të bëhet palë kundër Ols Dados në gjyq: Proces kyç për integritetin e sistemit të drejtësisë

Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” i është drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës me një kërkesë për t’u pranuar si palë në gjykimin e nisur nga Erion Veliaj, ku kërkohet konstatimi i pavlefshmërisë së emërimit të Dados si prokuror.

Në kërkesën drejtuar gjyqtarit Hazbi Balliu, shoqata argumenton se ligjshmëria e zgjedhjes së një prokurori lidhet drejtpërdrejt me integritetin e sistemit të drejtësisë, besimin e qytetarëve te organi i akuzës dhe standardet e funksionimit të institucioneve të drejtësisë.  Sipas saj, nëse provohet se emërimi i Ols Dados është kryer në kundërshtim me ligjin, pasojat nuk kufizohen te karriera e tij, por shtrihen mbi të gjitha procedimet dhe çështjet ku ai ka ushtruar funksione si prokuror. 

Në kërkesë, shoqata ndalet edhe tek çështja e 21 Janarit. Shoqata argumenton se interesi i saj forcohet nga fakti se Olsi Dado ka ushtruar funksione si prokuror edhe në këtë çështje, të cilën e cilëson si një nga ngjarjet më të rënda në historinë e drejtësisë shqiptare. Sipas saj, nëse provohet se zgjedhja e prokurorit ka qenë e padrejtë ose e paligjshme, atëherë lindin pikëpyetje mbi besueshmërinë e hetimeve dhe mbi legjitimitetin institucional të veprimeve të kryera në çështje me rëndësi të lartë publike.

“Kjo çështje, për nga natyra dhe objekti i saj, nuk përbën një mosmarrëveshje të zakonshme administrative, të kufizuar vetëm në raportin ndërmjet palëve formale të procesit, por prek drejtpërdrejt një interes të lartë public, ligjshmërinë e zgjedhjes së një funksionari të organit të akuzës, integritetin e sistemit të drejtësisë, besimin e publikut te prokuroria dhe standardin e përgjegjshmërisë së institucioneve që vendosin mbi karrierën e prokurorëve. Në këtë proces pretendohet dhe provohet se zgjedhja e Olsi Dados si prokuror është kryer në mënyrë të padrejtë, në kundërshtim me parimet e ligjshmirisë, transparencës, meritokracisë, barazisë në konkurrim dhe funksionimit të rregullt të organeve të drejtësisë. Për këtë arsye, objekti i gjykimit nuk ka rëndësi vetëm për statusin individual të një prokurori, por edhe për pasojat që një zgjedhje e tillë sjell mbi ushtrimin e pushtetit penal, mbi vlefshmërinë institucionale të vendimmarrjes së prokurorit dhe mbi besimin e qytetarëve se drejtësia ushtrohet nga funksionarë të zgjedhur në mënyrë të ligjshme. Rëndësia publike e kësaj çështjeje bëhet edhe më e theksuar për faktin se Olsi Dado është caktuar dhe ka ushtruar funksione si prokuror në çështjen e njohur të 21 Janarit, një nga ngjarjet më të rënda në historinë e drejtësisë shqiptare, ku humbën jetën katër qytetarë dhe ku shteti shqiptar ka pasur detyrimin më të lartë për të garantuar një hetim të plotë, të pavarur, efektiv dhe proceduralisht të rregullt. Në këto kushte, çështja objekt gjykimi merr një dimension më të gjerë se sa vetë pavlefshmëria e aktit të zgjedhjes. Ajo lidhet me pyetjen nëse një funksionar i organit të akuzës, i zgjedhur në mënyrë të kontestuar dhe të pretenduar si të paligjshme, mund të ushtrojë kompetenca në çështje me rëndësi madhore publike, me pasoja për jetën, të drejtat e viktimave, interesin publik dhe besimin te drejtësia. Pikërisht për këtë arsye, Shoqata "Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë", duke qenë një subjekt që ka në objektin e veprimtarisë së saj mbrojtjen e drejtësisë së pavarur, denoncimin e shkeljeve institucionale, nxitjen e transparencës, përgjegjshmërisë së pushtetit, mbrojtjen e lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për informim, ka interes të drejtpërdrejtë, të ligjshëm dhe të posaçëm për të ndërhyrë në këtë proces gjyqësor si ndërhyrëse kryesore”, thuhet në kërkesë.

 

kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë