‘Pak para se ta pushkatonin, komunikova për djalin e Enverit, ai tha…’/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

‘Pak para se ta pushkatonin, komunikova për djalin e Enverit, ai tha…’/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

Memorie.al / “Ma bëni hallall se, kam bërtitur e rënkuar kur më rrihnin…”. Këto kanë qenë fjalët e fundit me zë të lartë të Shkëlzen Doçit, të dënuarit me vdekje për falsifikimin e biletave të trenit, në kohën kur i lidhur këmbë e duar, është marrë nga policia për t’u çuar në vendin e pushkatimit. Britmat kumbuese janë lëshuar në oborrin e ‘Burgut 313’ të Tiranës, mbrëmjen e datës 9 prill 1985, ndërkohë që një nga dëgjuesit e vëmendshëm të tyre, ka qenë pikërisht Skënder Haluci, me origjinë nga Tropoja, në atë kohë bashkëvuajtës në burg, dhe pas viteve ’90-të, jurist, kryetar gjykate, komisioner i Avokatit të Popullit, etj.

“Shkëlzen Doçi foli që ta dëgjonim të gjithë. Ndërsa mua, m,u duk sikur ai u çlirua, sikur po gëzohej prej daljes nga ferri i katër muajve tortura në birucë edhe pse po shkonte drejt plumbit. Duhet të kalosh edhe vetë një kohë të gjatë një qeli të ngjashme burgu, për të kuptuar dëshirën përvëluese për të thithur pak ajër tjetër, pak ajër të pa molepsur, dëshirën për të parë më shumë se sa mundësi të krijon katrori, sa një tavllë cigareje, i dritares së qelisë.

Prandaj Shkëlzeni, shpërtheu duke kërkuar ndjesë me zë të lartë, prandaj u duk sikur u çel, sikur u kënaq pas daljes nga qelia. Krijohet një situatë që e përjeton sikur të jesh i dehur…”, na rrëfente me sytë e ngulitur diku tej, Skënder Haluci, si ai njeriu që rrëmon nëpër dosjet e memories, që më shumë dhemb prej rikujtimeve.

“Shkëlzen Doçin, që ishte pasardhës i një familjeje nga më të respektuarat në Tropojë, unë e njihja para se të futej në burg. Së pari e kishim nga Tropoja, edhe pse jetonte në Tiranë, së dyti ai ishte një djalë që, e kalonte mirë me të gjithë, nga ata tipat e veçantë që zënë shoqëri e miqësi me të gjithë. Ishte njëkohësisht kavalier, por edhe kishte shumë informacion. Mos gaboj, si funksionar në Postën Qendrore, atij i ishte dhënë mundësia që të dilte jashtë shtetit, diçka e rrallë për kohën. Kujtoj që, na rrëfente se kishte qenë deri në Brazil.

Në Postën Qendrore, punonte me djalin e Enver Hoxhës, këtë e pohonte, por në asnjë rast me mburrje dhe neve na bënte përshtypje. Kështu e kisha njohur para burgut. Ndërsa në burg, Shkëlzeni më shumë pati kontakte me kushëririn tim, Isuf Halucin, pasi i kishin qelitë ngjitur. Kështu që një pjesë të kujtimeve që kam për Shkëlzen Doçin, i kam në memorie jo drejtpërdrejt, por në formën e rrëfenjave të kushëririt”, vazhdonte rrëfimin ish-bashkëvuajtësi i të pushkatuarit për falsifikimin e biletave të trenit.

Sipas rrëfimit të Halucit, Shkëlzen Doçin, e torturuan në mënyrë të pashembullt, para se ta pushkatonin. Të gjithë të arrestuarit dhe të dënuarit e burgut 313 i dëgjonin britmat e torturave. “Ende pa e dënuar Shkëlzenit i futën një të dënuar me vdekje në qeli. Një veprim që bëhej rëndom nga hetuesit dhe Sigurimi i Shtetit. Me qëllim që tjetri të terrorizohej. Që t’i thërriste mendjes, të bënte llogaritë mirë, pasi ashtu do të përfundonte edhe ai. Sepse i dënuari me vdekje, rrinte i gozhduar në një kënd të qelisë, me skafandër në kokë, me duar të lidhura nga pas me pranga gjermane, që shtrëngoheshin me bulon dhe mbylleshin edhe me çelës.

Një të dënuari që priste ekzekutimin, i hiqeshin prangat e duarve, vetëm kur hante bukë, ndërsa kur çohej në banjë i hiqeshin edhe ato të këmbëve. Por në banjë ai qëndronte i lidhur nga shpatullat me një litar, fundi i të cilit mbahej nga gardianët. Litari ishte vendosur në një mënyrë të tillë, që po të tentoje të bëje lëvizje të papritura, shtrëngohej deri në asfiksi…”!

Amaneti i Shkëlzenit

Të burgosurit e kohës së komunizmit, kanë pasur një mënyrë tyren për t’u marrë vesh, pa përdorur gjuhën e folur dhe kur muret ndarëse ishin të gjerë. “Ishte si një lloj alfabeti MORS, ku çdo germë, kishte një numër të caktuar goditjesh në mur. Një mënyrë komunikimi që, me kalimin e kohës, përvetësohet shumë mirë. Ndërsa pas orës 24:00 të natës, kur bëhej qetësi, komunikonim edhe më zë. Meqë i kishin qelitë ngjitur, Shkëlzeni dhe kushëriri im, ishin marrë vesh gjatë gjithë kohës me këtë kod, apo edhe duke biseduar në qetësinë e natës.

Ndërsa pak orë para se ta çonin në plumb, Shkëlzeni, kishte trokitur murin duke i kërkuar kushëririt tim, Isuf Halucit, që nëse një ditë fitonte lirinë, të shkonte të takonte nënën Lirie. Ta përqafonte njëherë për të. Ishte një amanet. Ne patëm fat që nuk u dënuam me vdekje. Një fat që na e dhuroi edhe pushkatimi i Shkëlzen Doçit, por kjo është një tjetër temë. U liruam një ditë para se të vinte në Shqipëri Sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker. Pak ditë më pas, kushëriri, Isufi, më tregoi se si kishte shkuar të takonte nënën e Shkëlzenit, për të përmbushur amanetin e tij të fundit…”!

Para së të rrëfejë takimin e kushëririt të vet me familjarët e Shkëlzen Doçit, Skënder Haluci kthehet pak mbrapsht, pasi kujtohet për të sqaruar një tjetër moment. “Duke gjykuar se Shkëlzeni, kishte një xhaxha Admiral të Flotës Ushtarake Detare dhe njëkohësisht anëtar të Komitetit Qendror të PPSh-së, dhe njëkohësisht, duke bërë bashkë me këtë edhe faktin se ai rridhte nga një prej familjeve më të nderuara në Tropojë, unë gjatë gjithë kohës, kam qenë i bindur se atë, të paktën nuk do ta pushkatonin. Kjo bindje më ka shoqëruar deri në ditën që Presidiumi i Kuvendit nuk e fali.

Ndërkohë, kisha pasur debat edhe me një oficer të Sigurimit të Shtetit, që donte të më fuste frikën. Ai, duket erdhi tek qelia ime në të njëjtën ditë që gjykata dënoi Shkëlzen Doçin, Gasper Çurçinë dhe atë gruan që shiste bileta me vdekje. M’u mburr se, i dënuan që të tre dhe se së shpejti do i ekzekutonin. Ndërsa unë iu ktheva duke i thënë: ‘Vetëm Shkëlzen Doçin nuk e vrisni dot’. Por nuk më doli fjala, apo më saktë nuk doli fjala ime…”!

Në fund të rrëfimit, Skënder Haluci, sjell takimin me kushëririn e vet Isuf që kishte shkuar të takonte nënën e Shkëlzen Doçit. “Isufi më tha se si kishte shkuar te familja e Shkëlzenit. Por para se të takonte nënën e tij, i kishte dalë përpara dikush nga familja, duke e sqaruar se, gruaja plakë nuk e dinte që Shkëlzeni ishte pushkatuar. Për mos ta vrarë edhe atë, i kishin thënë se, e kishin nisur me shërbim jashtë vendit ‘për interesa të larta të Partisë dhe të shtetit”.

“Si njoftova të afërmit se Shkëlzeni, nuk ishte më i gjallë”!

Një nga ish-funksionarët e sistemit të Drejtësisë që asistuan në pushkatimin e Shkëlzen Doçit dhe Gasper Çurçisë, i cili e rrëfeu këtë histori, veç të tjerave, përmendi edhe keqkuptimet me fatin e Shkëlzen Doçit. Sipas tij, menjëherë pas ndryshimit të sistemit, pas vitit 1990, në media ishte shkruar se, Shkëlzen Doçi nuk ishte pushkatuar, se ai ishte i gjallë diku jashtë vendit, i dërguar si agjent.

“Me të mësuar për këtë histori, u dërgova fjalë të afërmve që të më kontaktonin. Nuk doja që të vazhdonin të vuanin më tepër. Kur erdhën, unë u shpjegova se, Shkëlzenin e kishin vrarë dhe se unë vetë isha një nga njerëzit që e kishin parë me sytë e mi këtë”, kishte qenë pak a shumë, shpjegimi i ish-funksionarit të drejtësisë për të afërmit e Shkëlzen Doçit. Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Scutari: 15/04/2023 15:35

    Komisioneri Haluci nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël institucionale që 313-ta të mbyllej ose të përshtatej me standardet ndërkombëtare! Nuk e la vettingu si duket....

    Përgjigju
  • Hajduti eshte me i rrezikshem se armiku: 13/04/2023 12:17

    C'fare fati per hajdutet e sotem demokratik!!Hajnat demokratik bejne gallat me djersen e popullit skllav e nuk u hyn gjemb ne kembe....Mire qe ju rikujtoni seriozitetin e nje shteti te dikurshem, por Saliu,Zeni,Mediu...nuk ja u varin fare..

    Përgjigju
  • Kasem Gahinji: 13/04/2023 08:30

    Ka mbajtue qendrim heroik ne burg. Antikomuniste i vendosur, ai dhe gruppi i tij, sepse Kane luftuar per te demtuar komunizmin ne ekonomi

    Përgjigju
  • Daku: 13/04/2023 08:07

    Gazeta ben mire qe shkruan per persekutimin nga diktatura komuniste. Sepse njerezit harrojne shpejt. Dhe komunistet nuk kane kerkuar falje per krimet e diktatures komuniste.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja