Mbledhja e djeshme e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët e Shqipërisë, i ka vendosur këta të fundit ‘në lëvizje’ për të përmbushur kërkesat e shefit të qeverisë për dorëzimin e hartave me zonat priroritare përsa i përket investimeve që priten të bëhen nëpërmjet Paketës së Maleve.
Për Report Tv në ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori, në një lidhje live ishte kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu, i cili ditën e djeshme u kritikua nga Rama për mospërmbushje të detyrave.
Topçiu u shpreh se deri më tani kërkesa për të investuar në zonën e Maliqit të ardhura nga sistemi i Paketës së Maleve, është 62, por ai evidenton se jo të gjithë janë të mirëinformuar për paketën.
“Ishte një takim normal, ishin vërejtjet që bën dhe ndaj nesh nisur ndaj zbatimeve të akteve ligjore në fuqi. Është një procedurë që ne jemi duke e zhvilluar. Pjesa e jugut të Shqipërisë, kanë një status tjetër, krahasimisht me pjesën veriore ku toka është ndarë jo sipas ligjit 7501 ku ka edhe sipërfaqe toke që dhe pese i posedojnë nuk kanë dokumentacionin, ndërsa zonat tona në masë e kanë zbatuar ligjin dhe nuk kanë probleme me titujt e pronësisë.
Dhe ne si bashki sot kemi 62, jemi duke e parë problematikën në të gjitha territorin e zonës malore për të përcaktuar zonat në zhvillim dhe për të parë pastaj se cilat janë kërkesat. Një pjesë e qytetarëve që kanë aplikuar nuk janë të mirëinformuar. Procesi është i hapur. Ne kemi filluar të evidentojmë çdo rast në territor. Po mbyllim hartat bazuar në kërkesat për të përcaktuar dhe zonat zhvillimore, 3-4 zona për pjesën malore. Mund të ketë shtesa që mund t’i përfshijmë në zonat zhvillimore”, tha Topçiu.
Në studio gjithashtu i ftuar ishte dhe ambientalisti Sazan Guri, i cili argumentoi mendimin e tij kundër kësaj pakete. Guri shprehet se Shqipëria sot nuk gëzon infrastrukturën e duhur për t’i ofruar investitorëve plotësim të kushteve për të ndërtuar një biznes.
“Të gjithë janë sot në Angli e Gjermani, që kryeministri i bën thirrje për të ardhur, ky ishte ai që i dëboi. Pavarësisht ca thotë kryeministri, ai nuk ka arsye të vijë se në fshatin e tij, 10-12 kullat në Dibër, atje nuk ka një pikë uji se futet në një kanal devijues dhe fshati është shkrepë.
Duhet të përcaktohen qartë detyrat, të lejuarat apo të palejuarat. Kur mendoj që ka shumë zona që po i shkëputen copa copa Shqipërisë, këto që dalin si projekte malesh janë ajsbergë. Ja ku është Shqipëria sot, vendi më i varfër nga pikëpamja ekonomike, vëni më i pakënaqur nga pikëpamja sociale, kështu është dhe Projekti i Maleve. Unë do të bëj investigim, do të zbuloj e ku i rreh çekani kryeministrit”, tha Sazan Guri.
Komente












