Kryeredaktori i RD-së, Bledi Kasmi, përmes një statusi në rrjete sociale bën thirrje që t'i hapet rruga opozitarizmit. Qartazi, Kasmi duket se është pozicionuar krah ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me përplasjen brenda PD-së.

Ai thekson se Berishës nuk i duhet PD-ja, por demokratëve dhe vendit më shumë se kurrë i duhet Berisha. Në përfundim, Kasmi shprehet se ora e përballjes me regjimin është e afërt dhe do jetë një betejë jetë a vdekje. Ai paralajmëron duke thënë: 'mjer kush i del përpara'.

Statusi i plotë nga Bledi Kasmi

“Sali Berishës nuk i duhet PD-ja, por demokratëve dhe vendit sot më shumë se kurrë i duhet Berisha për atë që përfaqëson dhe lërini përrallat e realizmit socialist me kult individi. Nëse nuk kemi kuptuar këtë, atëherë nuk kemi kuptuar asgjë se pse ata mijëra njerëz kanë mbushur sallat nga jugu në veri këto javë në një furi të jashtëzakonshme ku bashkoheshin zemërimi, revolta dhe shpresa njëkohësisht. Ata njerëz nuk mbushën sallat me shpresë për hallin e Berishës, por për hallin e tyre sepse janë në pikë të hallit.

Natyrisht, duhet të ishte bërë më shumë për kompromisin në PD javët e kaluara, por ajo që ndodhi keq në krye të rrugës mund të ndreqet përgjatë rrugëtimit opozitar dhe për këtë duhet të kursejmë njëri-tjetrin në etiketime, sepse gjuha kocka s’ka, por kocka bluan. E rëndësishme sot është vetëm fryma opozitare që është ringjallur si kurrë më parë dhe ajo nuk mund të shuhet më. Hapini rrugën opozitarizmit! Ora e përballjes me regjimin është e afërt dhe do jetë një betejë për jetë a vdekje. Mjerë kush i del përpara”, shprehet kryeredaktori i “RD”-së.

Situata në PD është mjaft e ndarë, me dy Kuvende Kombëtare, një i thirrur më 11 dhjetor nga Sali Berisha dhe një tjetër më 18 dhjetor i thirrur nga kreu i PD, Lulzim Basha. Pak ditë më parë, Basha tha se kushdo që shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë. Me këtë ai ka nënkuptuar se kushdo që paraqitet në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha do të këtë pasoja.