‘Pasi u arratisa në Francë, më ndihmoi, presidenti i ‘Olimpik’ i Marsejës, Bernard Tapi!’ Rrëfimi i ish-futbollistit shkodran të ‘Dinamos’

‘Pasi u arratisa në Francë, më ndihmoi, presidenti i ‘Olimpik’ i Marsejës, Bernard Tapi!’ Rrëfimi i ish-futbollistit shkodran të ‘Dinamos’

Ekipi i Dinamos

Sa herë që e takoj Pjerin Nogën, kam një ndjesi të veçantë. Jo vetëm si ish-futbollist, i edukuar, në fushë e në jetë, por edhe për faktin se në vite, në mjaft takime, kemi qenë bashkë në fushë, ai lojtar dhe unë arbitër. Karriera e nisur me “Partizanin”, i pëlqyer, i vlerësuar nga traineri Refik Resmja, deri te momenti kur u arratis pas ndeshjes së “Olimpik” të Marsejës, me “Dinamon” e Tiranës, një largim i bujshëm për kohën, që tronditi regjimin komunist të Tiranës. Interesimi i Bernard Tapisë, reagimi i ashpër i Tiranës, takimi me Neptun Bajkon dhe transferimi në SHBA-ës, ku prej shumë vitesh, jeton me familjen në Nju Jork. “Vetëm Ilir Daja e dinte që do të largohesha. Isha në dhomë me të. I dhashë fanellën time me numrin 5 që ta dorëzonte në Klub”, tregon ai në intervistën për ne, që po publikojmë më poshtë në këtë shkrim.

Një ngjarje për t’u kujtuar, jo vetëm për ata të brezit tonë, por edhe për lexuesit, ata që pak e dinë se çfarë ndodhi me “tradhtarin” Noga, në aeroportin e Marsejës, në mëngjesin e së enjtes së 20 shtatorit 1990. Vetëm pak muaj më parë, Shqipëria ishte goditur me ngjarjen e ambasadave…!

ARRATISJET E BUJSHME TË SPORTISTËVE SHQIPTARË NË DIKTATURË

Nga Bule Vathi, Bahri Kavaja, Qemal Vogli, tek Aleksandër Kondo, Lulzim Bërsheni, Arvit Hoxha dhe Pierin Noga. Të gjitha arratisjet e sportistëve të shquar në vitet e diktaturës. Të parët, dy futbollistët e njohur të “Dinamos”, Kombëtares, Vathi e Kavaja, që duke udhëtuar me anije për një turne në Varshavë, në ngushticën e Bosforit, u hodhën në det, duke u arratisur. Jehona ishte e madhe. Vetëm me ardhjen e demokracisë, më 1997, Bule Vathi, u shfaq në “Qemal Stafa”, por si vizitor.

Pastaj Qemal Vogli, portieri i famshëm i “Dinamos” dhe Kombëtares, që u largua gjatë një turneu në Gjermaninë Lindore, por pa qëndruar gjatë, vetëm katër muaj, duke u detyruar të rikthehet në Tiranë. Nuk e burgosën, por nuk e lejuan të vazhdojë futbollin. Në dekadat që vijuan, asnjë largim, frikë, nga pasojat e tmerrshme për familjarët, ishin disa nga arsyet që i frenonin.

Ishte viti 1965, më 3 gusht, atleti i Partizanit në ecjen sportive, Adem Sabli, gjatë qëndrimit disaorësh në aeroportin e Beogradit, pas kthimit nga itinerari; Pekin-Moskë-Pragë-Budapest, në pritje për t’u nisur në Tiranë, ai merr arratinë duke vrapuar, ndonëse i vihen pas, por pa mundur ta ndalojnë. Pastaj, largimi tejet sensacional i peshëngritësve Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqit, kur në kthim, nga një veprimtari në Poloni, në Titograd, u larguan.

Pak vite më vonë, do të arratisen me bujë futbollistët e “Vllaznisë”, Lulzim Bërsheni dhe Aarvit Hoxha, që në tetor të vitit 1987, pas ndeshjes ndërmjet ekipeve “Rops Rovaniem”-“Vllaznia” e zhvilluar në Finlandë (Kupa e Kupave të Europës, turi i dytë), në kthim, gjatë një ndalese 24 orëshe në Athinë, pas mesnate braktisën hotelin. Pasojat ishin katastrofike; dënime për familjarë, trajnerë dhe drejtues. Pastaj ajo e Pierin Nogës, futbollist i “Dinamos”, Kombëtares, pas “Olimpik” Marsejë-“Dinamo” e Tiranës, në, Kupa e Kampioneve, shtator 1990.

Një tjetër ngjarje, siç kanë qenë të gjitha ato me arratisjet në diktaturë: Me plot të pathëna, sekrete, ankthe, enigma, emocion dhe histori. Ndoshta nuk do të mjaftonin as një dhe as dy faqe gazete, por libra pa fund…!

KUSH ËSHTË PJERIN NOGA?

I datëlindjes 1963, një mbrojtës surprizë kur u shfaq, me një stil loje të veçantë dhe tërheqës, me cilësi teknike individuale, lojtar taktik për futbollin që demonstronte. Tipik lojtar i filozofisë dhe taktikës së “Dinamos”. Pse?! Sepse ishte i qetë, me një zotërim të mirë të topit, pozicional dhe i pagabueshëm në rolin e mbrojtësit të lirë. Elegant, një “libero” modern, me vizion loje, shumë korrekt dhe gjatë një dekade që luajti, vetëm një karton të verdhë ka marrë, nga arbitri shkodran Tef Prela.

Një karrierë e nisur me “Partizani”-n, “Shkëndijën”, “31 korrikun” e Burrelit, më pas debutimi më 1982-in me “Dinamon”, ku luajti deri në vitet 1989-’90-të. Pjesëmarrës në Kupat e Europës, me kombëtaret e moshave, ndaj “Aberdin” të Skocisë dhe dy herë me përfaqësuesen: Në Londër, më 26 mars 1989, Angli-Shqipëri, 5-0, në Suedi-Shqipëri, 3-1. Qëndrimi në Marsejë deri më 1994, për t’u larguar përfundimisht në SHBA, për të veshur në pak kohë edhe fanellën e “Konektikat”, “Nju Jork Sentauërs”.

Tifoz i Holandës, “Ajaksit” dhe i Krujfit. “Kur isha fëmijë doja të bëhesha si Safet Berisha, mbrojtësi legjendar i “Partizani” dhe Kombëtares shqiptare. Kam një kujtim me të, jemi takuar në Francë, ‘Euro 2016’”. Fans i këngëtares Vaçe Zela, këngëtarit grek, Janis Parios, aktorit amerikan të filmave uestern. Klint Instvud, dhe i Leo Mesit: “Ku shkon Mesi, me atë skuadër bëhem tifoz”, thotë.

Pa harruar edhe Sefedin Brahon: “Sa i vështirë, i papërmbajtshëm”! Pastaj rivaliteti me “17 Nëntorin” e Mingës, Kolës dhe Muçës: “Ishte një skuadër më solide se “Partizani” i Perlat Mustës, Ylli Shehut, Ilir Lames dhe Ledio Panos”. Ndërsa Sulejman Demollari, për Nogën shprehet: “Një futbollist inteligjent, shumë i saktë në lojë, gjithmonë me radion afër, një intelektual i vërtetë. ‘Dinamo’ e Birçes, ishte një skuadër që i fitoi të gjithë trofetë kombëtarë në atë sezon”.

NË MARSEJË, PËR HERË TË PARË

Shtatori i vitit 1990, regjistron të parën përballje historike të futbollit shqiptar me atë francez, kurrë më pare, as me klube as me përfaqësuese. Shorti i edicionit 1990-‘91 i Kupës së Kampioneve në turin e parë, “Dinamo”-“Olimpik” Marseja, klubit të presidentit të njohur, Bernard Tapi. Një humbje e thellë, ndaj një skuadre me 8 lojtarë të Kombëtares, midis tyre golashënuesit Kantona dhe Papen (fitues i “Topi i Artë”), e në stol trajnerin e mirënjohur, Franc Bekenbauer. 90 minutat marsejeze nuk kanë histori. Rezistenca dinamovite, mundi t’i bënte ballë sulmit të fuqishëm të francezëve deri në fund të pjesës së parë që u mbyll 1-0 me gol të Papen.

Rrëfimi i Pjerin Nogës për arratisjen është kaq i detajuar, saqë të duket si një film i denjë për “Hollivud”. Madje, me humor përmend se ishte frymëzuar nga historia e librit të famshëm “Konti i Monte Kristos” para se të merrte vendimin ekstrem. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, ai tregon se si ia pushuan prindërit nga puna dhe presionin që i bënë pas kthimit në Tiranë shokut të dhomës, Ilir Dajës, që sot është një nga trajnerët më në zë të trojeve shqiptare.

Z/ Pjerin, pyetjen e parë e kam pak ndryshe: Çfarë do të ishte bërë Noga, nëse jo futbollist?

Ka qenë im atë, ai që më mungon më shumë se kushdo tjetër sot, që më shtynte të luaja futboll. Si ish-notar i Vllaznisë, tifoz i këtij Klubi, ndonëse me profesion agronom, ngulte këmbë që unë të luaja futboll. Isha djalë i vetëm, mua më pëlqente arti më shumë se sporti, doja të bëja shkollë arti. Por edhe një arkitekt shumë i mirë apo një shahist. Shahun e luaj me kënaqësi gjithë ditën.

Flasim pak për sfidën marsejeze, cila ishte atmosfera?

Një qytet me një ngjarje dhe me një detaj që më lidhte me adoleshencën. Në një kështjellë “Ifi”, edhe sot e kujtoj këtë emër, që ndodhet në një ishull të vogël, përballë gjirit të Marsejës, patën burgosur Edmod Dantesin. Shikoja detin, kërkoja të gjeja ishullin, duke fantazuar më pas arratisjen e tij, një histori shumë tërheqëse, që e kemi lexuar te libri i famshëm “Konti i Monte Kristos” i Aleksandër Duma-së.

Më pas e kemi parë gjithashtu edhe në film. Një ditë më parë bëmë stërvitjen njohëse në stadium. Takimi u luajt në mbrëmje, kishte shumë emigrantë. Isha i qetë dhe gjatë ndeshjes, nuk kam reflektuar asnjë moment pasigurie, hutimi, madje kam qenë shumë normal, asnjë emocion. Kujtoj kur Uodëll, më tha: “Të mbaj mend nga ndeshja në Wembli” dhe qeshi. Edhe unë gjithashtu iu përgjigja. Pas takimit, u kthyem vonë në hotel. Në dhomë kam qenë me Ilir Dajën.

E kishit menduar tjetër herë largimin?

Mendimin për të ikur, e kam pasur që në Ballkaniadën në Turqi, më 1981-in me Kombëtaren e të rinjve, ku isha edhe kapiten. Ndonëse 17-vjeçarë, bisedoja me Sul Demollarin, pasi kuptonim gënjeshtrat e këtushme. Pra, ishte e sigurt që një ditë do të largohesha. Por sigurisht, frika dhe zhurma që u bë pas arratisjes së Lul Bërshenit e Arvit Hoxhës, u bënë shembull i ashpër, që të mos largoheshin futbollistët e tjerë. Duhej të mendoheshe dy here, nëse do të merrje një vendim të tillë.

E dinte njeri tjetër planin?

Në dhomë isha me Ilir Dajën, siç ju thashë. Planin e kisha bërë që në Tiranë, të cilën ia kisha treguar Ilirit para nisjes, askujt tjetër. As familjes nuk i kisha thënë, vetëm diçka mamasë. Largimin do ta bëja, jo duke ikur fshehurazi pas mesnate nga hoteli, kur lojtarët qëndronin në dhomat e tyre, por kur të ishim në aeroport, në kthim. Dhe ashtu veprova. Ajo që më shtynte, përveç mendimit personal, ishte se 2 muaj përpara, ikën ata të ambasadave dhe kur pashë që nuk i bënë gjë, mendova se edhe unë, nuk do të kisha pasoja, në veçanti familja. Por me mua ndodhi e kundërta.

Si i kujtoni orët e fundit me skuadrën dhe nisja për në aeroport. Çfarë ndodhi saktësisht?

Atë natë, pak orë na kishin mbetur, pasi nisja do të bëhej herët. Hipëm në autobus, morëm rrugën drejt aeroportit. Isha ulur qëllimisht në fund dhe me Ilir Dajën, shkëmbeja ndonjë fjalë. Bluzën time me numrin 5, ia kisha dhënë atij ta dorëzonte. Klubi i Marsejës, duke parë mungesat tona kryesisht në materiale sportive, na dhuroi uniforma, të cilat do t’i sillnin, kur të vinin në Tiranë.

Për këtë arsye, me ne në autobus, ishte edhe një përfaqësues i tyre, që na pyeste për masat trupore, numrin e këpucëve, etj. Kur m’u afrua, unë nuk tregova interes, i fola diçka në anglisht me zë të ulët, duke bërë kujdes. Vetëm Demollari që ishte para meje, ktheu kokën dhe më pa. Kisha mendje tjetër, shumë gjëra nuk më hynin në sy, më priste një vendimmarrje jo e lehtë dhe isha jashtë nga çdo mendim. Isha 27 vjeç, isha i bindur për atë që po bëja. Ka qenë mëngjes, e enjte, 20 shtator 1990.

Dhe pastaj…?

Unë dola i fundit, e ndërsa lojtarët, drejtuesit morën drejtimin për te “check in”-i pa e kthyer kokën. Unë rrëmbeva çantën time dhe në heshtje pa më vënë re askush, me shpejtësi, pa humbur asnjë sekondë, u largova pas autobusit. Dola jashtë dhe mora një taksi, të parën që erdhi, duke i thënë shoferit të më dërgonte të zyrat e Klubit të Marsejës, të cilin e gjykova si të vetmin vend qëndrimi, si fillim. Tashmë vendimi ishte marrë dhe ishte bërë realitet, kthim mbrapa nuk kishte.

Po me skuadrën tuaj çfarë ndodhi?

Vetëm kur kanë qenë në avion, ndërsa ai po nisej, ishte mbyllur dera, e kanë kuptuar se u mungon një futbollist. “Ku është Noga”? filluan të pyesnin, por ishte vonë. Dalja për të më kërkuar ishte e pamundur. Ndërkohë, unë isha larguar nga aeroporti. Me vete kisha çantën, dy ndërresa dhe një sasi të vogël me dollarë. Në avion vetëm heshtje, asnjë bisedë apo koment i lojtarëve dhe drejtuesve për ikjen time. Ishin të befasuar, siç më ka treguar Daja më vonë.

Reagoi shtypi dhe ju kërkuat ndihmë apo jo?

Qëndrimi im në Marsejë, bëri bujë të menjëhershme. Lajmi u bë publik nga gazetat e ditës të nesërmen, kur më shumë flisnin për mua dhe arratisjen time, sesa për ndeshjen. Në faqet e para të tyre shkruhej: “Një futbollist shqiptar largohet pas ndeshjes “Olimpik” Marsejë – “Dinamo”, ishin titujt, shoqëruar me komente, informacione. Kujtoj se nuk dhashë asnjë intervistë për to dhe televizionet.

Është e vërtetë që, informohet dhe kërkohet ndërhyrja e Bernard Tapisë?

Po, atë mëngjes shkova te Klubi i “Olimpik” i Marsejës, takova një zyrtar. Komunikova me të dhe po prisja. Bernard Tapi nuk ishte në zyrë, dikush i bën një telefon, “na ka ardhur qendërmbrojtësi i ‘Dinamos’, kërkon azil politik, kërkon ndihmë, do që të qëndrojë në Francë”, i thanë Tapisë. “Do të merrem unë me çështjen e tij”, u përgjigj ai. Fillimisht më futën në vilat e tyre. Ndërkohë filloi procesi i dokumenteve. Tri javë aty, pastaj më sistemuan në Istres, një qytet i vogël, ku më dhanë një apartament, në të cilin qëndronin lojtarët e ekipit të dytë.

Pas disa javëve vjen një zotëri, senator asokohe, por edhe tani, Patrik Menuci, njeri i jashtëzakonshëm, i cili u interesua dhe më ka ndihmuar në sistemimin tim. Edhe sot vazhdon të jetë senator, ruaj ende miqësinë me të. Në atë periudhë, shkoja në shkollë për të mësuar gjuhën franceze. Një pjesë të kohës, e kaloja i ftuar nga familja e senatorit. Por edhe Tapi nuk harronte, duke më ftuar të ndiqja ndeshjet e “Olimpikut” të Marsejës.

Po në Tiranë, çfarë ndodhi me familjen tuaj?

Idenë për arratisje ma dhanë ambasadat, pra shqiptarët që ikën pak kohë para se “Dinamo” të luante në Marsejë. Më shumë më nxiti fakti, se familjet e tyre, nuk patën pasoja dhe mendova se kështu do të ishte edhe me mua e familjen time. Prandaj vendosa të ikja. Por largimi im u bë problem dhe unë u cilësova si “tradhtar”. Im atë e përjetoi shumë keq, nuk i largohej hidhërimi, kur me urdhër të Xhelil Gjonit, për ta bërë shembull, e hoqën nga puna, si drejtor i Drejtorisë së Blegtorisë në Ministrinë e Bujqësisë, madje u bënë gati ta denonconin. Edhe mamanë e larguan nga puna. Mënyra se si e trajtuan babanë, ndikoi që ai të sëmurej. Me familjen flisja nga një telefon makine.

Thatë se fanellën tuaj e mori Daja për ta dorëzuar…?!

Edhe ajo u bë problem. Kur u thyhen në Tiranë dhe Daja e dorëzoi në Klub, u mblodhën, duke e provokuar dhe duke e akuzuar, “pse ta dha ty, pra ti e ke ditur që ai do të ikte. Pse nuk na ke treguar”, etj., etj. Këto m’i ka treguar Daja vite më vonë. Një qëndrim shumë korrekt e njerëzor ka mbajtur edhe Faruk Sejdini, zv/ trajneri, që edhe kur e pyetën për jetën time personale, ai foli me shumë burrëri, pa dhënë asnjë informacion të tepërt.

Thuhet se për ju, ka reaguar edhe FIFA, cili ishte motivi?

Fillova stërvitjen me klubin “ISTRES”, në Kategorinë e Dytë, që ishte satelit i Marsejës. Kur papritur vjen një njoftim i FIFA-s që më pezullonte gjashtë muaj, nga çdo aktivitet zyrtar. Një vit pa ndeshje kam qëndruar, pa ndeshje miqësore, që më prishi shumë punë, humba formën, kujtoj që ka qenë situatë e rëndë dhe e vështirë, duke mos luajtur. Kujtoj rastin tim, si dhe largimin e futbollistëve të tjerë shqiptarë, disa muaj më vonë, pas takimit me Francën.

Ishin shtatë futbollistë, 3 u larguan në Gjenevë, në tranzit dhe 4 pas ndeshjes në “Parc de Prince”. FIFA e shfrytëzoi rastin tim, për ta bërë shembull që të mos largoheshin lojtarë të tjerë nga vendet e Lindjes. Për këtë arsye, aty u aktivizova shumë pak. Doja të luaja. Ndërsa të bëhesha trajner, nuk e kam menduar asnjëherë.

Thuhet se jeni takuar në atë kohë, me futbollistin e “Dinamos” Eduart Abazin dhe Neptun Bajkon, na tregoni pak çfarë ndodhi?

Tri vjet kam qëndruar në Francë. Asnjë kontakt me shqiptarët e tjerë, vetëm kujtoj krejt rastësisht në Marsejë, jam takuar me Eduard Abazin. Duhet të ketë qenë 1993-shi. Kishte ardhur aty, pasi ishte në bisedime me drejtuesit e Marsejës, për të kaluar më pas drejt Portugalisë. Ishim shokë skuadre, për shumë vite. Tjetri ka qenë Neptun Bajko, që gjatë qëndrimit në Paris, gjeti mundësinë të vinte në Marsejë, më kërkoi dhe u takuam. Ka qëndruar një javë në shtëpinë time. “Me çfarë dëgjova këtu, sa mirë flasin për ty, ke lënë mbresa të jashtëzakonshme”, më tha para se të largohej.

Në ato vite, një shkrim, Gëzim Sinemati, me një titull befasues, ka shkruar: “Tradhtari që nderon vendin”.

Gëzim Sinematit, pasi kishte takuar Bajkon e sapo kthyer nga Franca, Marseja, duke e pyetur për mua, Neptuni i kishte treguar se; “isha kudo në bisedat me njerëzit në Marsejë. Ndërsa në vendim tim, më kishin etiketuar si tradhtar, duke dëgjuar opinionet e tyre, ata me humor shpreheshin: “I arratisuri është një zotni”; “Çfarë tradhtari, ai është një njeri i mrekullueshëm”?! apo; “Tradhtari që nderon vendin”, të cilat Gëzimi i shkroi në gazetën e tij.

Cili ka qenë takimi i parë me familjen, pas arratisjes?

Ka qenë viti 1993, kur kishte rënë komunizmi dhe në Marsejë erdhi babai im, Mark Noga, një njeri shumë i sjellshëm. Ka qenë një takim në aeroport, shumë emocionues, si asnjëherë më parë. E ndërsa prisja edhe ndonjë reagim të tij, përkundrazi, pasi u përqafuam më tha: “Ishte një vendim yti, asgjë më shumë”. Qëndroi një muaj. Pastaj kam ardhur unë në Tiranë, me pasaportë franceze. Edhe sot, sa herë që kthehem aty, kam pa fund kujtime, shumë nostalgji. Veçanërisht kur takoj shokët e skuadrës, Demollarin, Dajën, Tahiri, Jançen, etj. Edhe Italia më pëlqen, Roma ku ndalem, qëndroj disa ditë, sa herë vij në Shqipëri.

Po me trajnerin Bejkush Birçe a jeni takuar?

Në një rast, duke qenë me disa futbollistë të “Dinamos”, ata i bënë një telefonatë trajnerit Birçe, duke i thënë që; kemi një surprizë për ty, të presim. Ai erdhi dhe mbeti kur më pa. Trajneri Birçe, më ka trajtuar me respekt e më ka vlerësuar shumë, ndaj atij nuk do t’i ikja asnjëherë, por ai qëlloi në atë moment. Birçe, ndërtoi një “Dinamo”, të fortë, atë sezon morëm gjithçka.

Pas Francës, ku shkuat?

Fillimisht shkova në Amerikë, si vizitor, pa idenë se do të qëndroja. Pastaj më 1994-ën, ndryshova mendim dhe vendosa të jetoja atje. Dy vite u aktivizova me “Konektikatin”, në ligën amatore, skuadrën e qytetit ky jetoja. Ndeshjen e parë e kujtoj, kemi fituar 3- 0 dhe një gol e kam realizuar unë. Atë vit u hap MSL (Major Soçer League), me 7 ekipe, 5 amerikane dhe dy kanadeze. Pas një seleksionimi, u aktivizova me “Nju Jork Sentauërs”. Luanim në stadiumin ku ka luajtur “Kozmosi”, i famshëm i Pelesë, Bekenbauerit, Kinaljes, etj. Kam qenë në një skuadër me dinamovitin Naun Kove, si dhe dy shqiptarët, njerëz të mrekullueshëm, Mirsad Hysenaj, Sadri Gjonbalaj. Kam 25 vjet në Nju Jork.

Më thatë një detaj, kur ju konsideronin si një lojtar francez…?!

Pak më njihnin dhe nga informacioni që kishin, më dinin si një lojtar francez. Vite më vonë, një shok, asokohe lojtar i një skuadrës tjetër, më thotë: “Të kujtohet kur luanim, sa futbollist i mirë ishte ai francezi”? E pashë, dhe duke iu përgjigjur i them: “Ai francezi, kam qenë unë, ‘Nogi’, – se kështu më thërrisnin, – por nga Tirana, Shqipëria”. U befasua. Më 1994-ën, kam ndjekur disa takime të Botërorit amerikan, madje deri pak kohë më parë, ruaja edhe biletat e ndeshjeve.

Largoheni dhe ndaheni përfundimisht me futbollin, a ndieni keqardhje?

Vetëm dy vite luajta, pasi pata një ofertë pune, isha i detyruar të ndahesha me futbollin. Në 25 vite në Nju Jork, isha 18 vjet i angazhuar në një kompani të njohur, ku ndihesha mjaft mirë. Ishte gjuha franceze, që u bë shkak, më ndihmoi, kur fola dhe u njoha me pronarin. Kam djalin 25 vjeç, Tyler John, pasionant i futbollit amerikan, si dhe NBA-së, e mjaft takime i shohim bashkë. Kur mundem, ndjek kampionatin shqiptar, ndeshjet e Kombëtares dhe “Dinamon” time.

Si e gjykon sot Noga atë arratisje?

Janë 32 vite. Koha dhe energjia ishin dy faktorë që nuk duheshin humbur, që edhe më nxisnin çdo ditë, për të pasur një liri të munguar. Ai sistem, ajo diktaturë nuk t’i ofronte, përkundrazi, t’i kufizonte. Nëse do të rikthehej historia dhe nëse jeta do të fillonte edhe një herë tjetër, nuk do të kisha ikur. Kurrë nuk do ta merrja atë vendim, të kryeja atë veprim. Aq më shumë, duke parë si u trajtua familja ime, do të kisha zgjedhur një moment më të sigurt, për t’u larguar. Memorie.al

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë