Pelivan Malaj: Qeveria
avokatë kundër prokurorëve

Pelivan Malaj: Qeveria <br />avokatë kundër prokurorëve
TIRANE-  Kreu i shoqatës së Prokurorëve, Pelivan Malaj e cilëson si tendencioz raportin e ministrisë së Drejtësisë dhe që stregon aspak realitetin e punës së prokurorisë. Malaj shprehet se avokatë që kanë mbrojtur çështje penale në gjykatë, janë punësuar nga ministria si inspektorë dhe kjo është e pafalshme, pasi sipas Malaj ata kryejnë inspektime në dosjen ku kanë mbrojtur të pandehur. Kjo gjë është në konflikt të hapur me interesin dhe se është e nevojshme përzgjedhja e emrave të inspektorëve. Gjatë një interviste për gazetën “Shqiptarja.com” prokurori Pelivan Malaj, sqaron se raporti i ministrisë së Drejtësisë ka si qëllim fillimin e procedimeve disiplinore ndaj një numri të madh të prokurorëve. Sipas Malaj, kjo është një ndërhyrje e ligjëruar në ligjin për prokurorinë, por që është kundërshtuar fort gjatë diskutimeve të bëra për ndryshimin e ligjit

Z.Malaj, Ministria e Drejtësisë pak ditë më parë dorëzoi në parlament një raport ku nxirte me shkelje 59 prokurorë dhe kërkonte fillimin e procedimit disiplinor ndaj tyre. Ju si kreu i shoqatës së prokurorëve si e cilësoni raportin?
Nisur nga periudha e kontrolluar (vitet 2005 deri 2011)numri i procedimeve të kontrolluara për këtë periudhë, (gjithsej 653), mund të themi se ky kontroll nuk ka qënë efektiv dhe nuk pasqyron gjithë realitetin e procedimeve, për shkak se është tepër i kufizuar dhe ndoshta edhe jo objektiv. Ajo që të bën përshtypje në këtë kontroll është se nxirren konkluzione në vitin 2011 edhe për procedime të vitit 2005. Hedhja në tregun mediatik e të dhënave të përftuara nga ky kontroll në këtë periudhë nuk është vështirë të kuptohet pse bëhet. Gjithashtu duket e ekzagjëruar kërkesa për procedim disiplinor për plot 59 prokurorë që përbëjnë më tepër se 20 për qind të numrit të përgjithshëm të prokurorëve. Ndërkohë që kontrolli i brendëshëm i prokurorisë i realizuar në mënyrë periodike apo tematike si dhe ai vjetor nëpërmjet analizave (ku përfshihet edhe analiza e vitit 2011) ka evidentuar më shumë problematika që kanë të bëjnë me hetimin paraprak dhe procedimin penal në përgjithësi, problematika këto që janë bërë publike edhe në media me rastin e mbajtjes së këtyre analizave në prokuroritë e shkallëve përkatëse.

A ka vend për panik mes radhëve të prokurorëve, kur ministria thotë se prokurorët nuk njohin ligjin dhe bëjnë gafa të pafalshme në zbatimin e procedurës ligjore?
Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë u përgjigj me një deklaratë për shtyp në lidhje me këtë raport dhe ky është dhe qëndrimi zyrtar i Shoqatës. Nisur nga përcaktimet që bëhen në statutin e shoqatës sonë, kjo deklaratë shpreh edhe atë synim që ne kemi në mbrojtje të interesave legjitime të prokurorëve nga çdo cënim që u bëhet padrejtësisht gjatë ushtrimit të detyrës së tyre shumë të rëndësishme. Po të kemi parasysh statusin që prokurorët kanë me ligj(status ky thuajse i barabartë me atë të gjyqtarit)mënyra se si emërohen dhe shkarkohen ata, kam mendimin se, pavarësisht interpretimit që i bëhet raportit të Ministrisë së Drejtësisë në media, kjo nuk ndikon në gjëndjen e përgjithshme të trupës së prokurorëve dhe cilësinë e tyre të punës.

Ju si kreu i shoqatës, jeni vënë në dijeni të kontrolleve të inspektorëve të ministrisë dhe a ka pasur ankesa nga kolegët tuaj që janë “kapur” me shkelje?
Në asnjë rast nuk jemi vënë në dijeni si shoqatë në lidhje me këto inspektime të Ministrisë së Drejtësisë edhe pse në shumë raste të diskutimit të ligjeve të ndryshme organike kemi qënë pjesë e grupit të interesit në protokollin e kësaj ministrie. Përcaktimet që bëhen në ligjin tonë organik nuk e detyrojnë Ministrin e Drejtësisë që për rezultatet e inspektimeve të vihet në dijeni edhe shoqata e Prokurorëve por vetëm Kuvendi dhe Prokurori i Përgjithshëm. Jo, nuk është e vërtetë, siç përmenda edhe më lartë, në analizat vjetore por edhe gjatë inspektimeve dhe kontrolleve tematike apo edhe periodike të planifikuara janë konstatuar probleme dhe janë marrë edhe masa për prokurorë të veçantë kur janë konstatuar shkelje.

Nga 59 prokurorë  të zënë me shkelje, 15 janë vetëm nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndërkohë që në këtë prokurori vetëm 17 prokurorë janë gjithsej. Sipas jush a ka gjasa që një prokurori e tërë të dalë me shkelje?

Siç thashë edhe me lart, vihet re në raportin e Ministrisë një farë tendence që ka në objektiv procedimin disiplinor të një numri jo të vogël prokurorësh. Edhe sikur ky numër të jetë i shpërndarë në mënyrë proporcionale përbën shqetësim, jo më pastaj kur bëhet fjalë, siç thoni ju për gati gjithë trupën e prokurorisë së krimeve të rënda.
Në kushtet kur ministria kryen herë pas herë inspektime në prokurori dhe cënon punën hetimore të akuzës, ju mendoni se është e nevojshme të bëhen ndryshime ligjore në ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme. Nëse po në çfarë neni konkretisht?
Kontrolli i Ministrise së Drejtësisë është i bazuar në Ligjin Nr.8737,datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, neni 56 i të cilit u ndryshua me ligjin Nr.10051,datë 29.12.2008,ndryshim me të cilin i jepet e drejtë Ministrisë së Drejtësisë që të paktën një herë në vit të paraqesë në Kuvend raport me shkrim për inspektimet. Në pikën 5 të kësaj shtese të ligjit thuhet që Ministri i Drejtësisë, kur është rasti, paraqet rekomandim për nisjen e procedimit disiplinor Prokurorit të Pergjithshëm. Shoqata e Prokurorëve që në kohën që u propozuan këto ndryshime nuk ka qënë dakort dhe publikisht kemi bërë kundërshtimet tonë. Sidoqoftë, edhe nga përmbajtja e nenin 56 të ndryshuar Ministri i Drejtësisë nuk ka të drejtë që në raportin e tij të bëjë vërejtje apo sygjerime në lidhje me mënyrën e zgjidhjes së procedimit siç vihet re në këtë raport.

Shoqata e prokurorëve, a ka bërë ankesa në Prokurori të Përgjithshme ose në misionet e huaja të asistencës në Drejtësi lidhur me raport-inspektimet të hartuara nga Ministria e Drejtësisë.
Në analizat periodike vjetore që bëhen, krahas problematikave të tjera janë ngritur edhe ato që kanë të bëjnë me natyrën dhe subjektivitetin e inspektimeve të kryera nga Ministria e Drejtësisë, të cilat ndonjëherë edhe për shkak të atyre që kryejnë inspektimet kalojnë nga objekti që ka lejuar ligji. Ka patur raste që në kontrollet e inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë kanë marrë pjesë edhe ish-avokatë që vazhdojnë veprimtarinë si të tillë dhe që kanë kontrolluar edhe procedimet ku kanë qënë vetë përfaqesues të të pandehurve, duke përbërë kështu një konflikt të hapur interesi. Sidoqoftë, nga ana jonë si shoqatë nuk është paraqitur ndonjë material i plotë lidhur me këto probleme të cilat janë bërë prezent nga prokurorët kur ka qënë rasti.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë