Për pyetjet, të cilat askush nga turma nuk dëshiron t’i dëgjojë

Për pyetjet, të cilat askush nga turma nuk dëshiron t’i dëgjojë

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Në 17 shkurt të vitit 2017 i dërgova një email kryetarit të Partisë Demokratike, në të cilin i shkëshilloja marrjen e vendimit për djegien e mandateve të deputetëve. Meqenëse e kishte nxjerrë tashmë fjalën dhe kasnecët e vendimit të pashembullt në PD po prisnin me padurim të fillonin festën e “fitores”, unë i propozoja zotit Basha lënien pezull në formë paralajmëruese të shpalljes së tij, duke ndërmarrë ndërkohë një numër nismash e veprimesh konkrete që përfshinin konsultimin me SHBA, me BE, me zgjedhësit shqiptarë. Në këtë mënyrë fitonte kohë për të mos e zyrtarizuar vendimin.

Në fund të atij emaili citoja një si “urdhëresë” të filozofit të famshëm Roger Scruton në lidhje me statusin e personit që nuk bie dakord, “i vetmi që mund të ngrejë pyetjen, të cilën askush nga turma nuk dëshiron ta dëgjojë”, siç shkruan ai në librin e tij “Si të jesh i djathtë”.

Pyetjet që askush në turmë dhe pakkush jashtë saj dëshironte të dëgjonte në atë kohë ishin disa. Po përmend dy prej tyre: A mund të pranojnë SHBA dhe BE një vendim që, pavarësisht arsyeve, krijon precedentin e bërjes lëmsh të demokracisë?

A mund të ketë sukses një vendim kësisoj që ka kundër Uashingtonin dhe shumicën e kryeqyteteve të BE-së”? Përgjigjet e “shumicës” kishin lindur para pyetjeve.

Në shumë prej sondazheve të asaj kohe, për të cilat nuk mund të vë dorën në zjarr nëse kanë qenë të sakta apo të manipuluara, dilte se mbi tetëdhjetë për qind e demokratëve mbështesnin =djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore.

Ata e shihnin ngjarjen si një korridë lokale, pa lidhje me kontekstin ndërkombëtar. Ky ishte dhe është sot e kësaj dite gabimi i madh në arsyetim i shumë njerëzve që nuk shohim më larg se hunda e tyre dhe nuk kuptojnë se zhvillimet shqiptare në botën e hapur janë në një lidhje të ngushtë ndërvartësish me qëndrimet e SHBA dhe BE. Fatmirësisht. Një lidhje kësisoj ka bërë që sovranizmi ynë të jetë amerikano-europian si përcaktim, si markë, në substancë, pra, krejt e kundërta e sovranizmit izolacionist të së djeshmes komuniste.

Koha ka dhënë përgjigje për aktet e lartpërmendura. Gjithkush ka pasur e ka mundësi të ballafaqojë qëndrimet që ka mbajtur ndaj tyre me rezultatet që prodhuan. E gjithë kjo jo për të bërë koka turku, por për të nxjerrë mësime nga gabimet.

* * *

Prej dy tre muajsh, me zhvillimet e reja në kampin demokrat, ka të tjera pyetje, për të cilat ndjekësit e Foltores së Berishës nuk kanë dashur e nuk duan të dëgjojnë. Një pyetje e tillë është “ku e çon PD-në një lider i shpallur non grata nga SHBA”? Një pyetje tjetër bashkëngjitur me të parën është: “Si mund të funksionojë dhe çfarë fati mund të ketë Partia Demokratike në kushtet e izolimit nga SHBA për shkak të liderit eventual non grata”?

Kjo nuk është hamendje, por një paralajmërim publik i përfaqësuesve të shtetit amerikan. Janë pyetje kyçe që ngrihen mbi situata që PD nuk i ka provuar ndonjëherë. Foltorja e Berishës u ka kaluar anash. Vetë Berisha hera pas here ka dhënë versionet e tij, në favor të vetes së tij, pse është shpallur non grata, por nuk ka folur për pyetjet kyçe. Për rrjedhim, përgjigjet kanë mbetur kryesisht në “ç’të jetë shkruar”.

Në të vërtetë, përgjigjet ekzistojnë, dihen. Një parti e izoluar dhe e penguar nga SHBA nuk ka asnjë shans të fitojë zgjedhjet në Shqipëri. Populli shqiptar është në shumicë dërmuese pro amerikan, properëndimor. Flukset antiamerikane, qoftë të vetëpërcaktuara si të tilla, qoftë të përcaktuara nga SHBA, janë një pakicë e vogël.

Ndaj them se në ketë rast shprehjet e tipit “ç’të jetë shkruar” apo “Zoti e bëftë mirë” nuk kanë lindur për të treguar se nuk ka përgjigje, por për t’i fshehur ato. Një pyetje tjetër e kësaj natyre lidhet me pretendimin e zotit Berisha se është shpallur non grata sepse ka kundërshtuar projektin e një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës mbi bazën e shkëmbimit të disa territoreve.

Edhe në foltoren e fundit virtuale me emigrantë shqiptarë në SHBA, Berisha tha se pasi ishte menduar gjatë se çfarë kishte bërë që SHBA e shpallën non grata kishte arritur në përfundimin “se nuk kishte qëllim tjetër veçse mbrojtja që i kam bërë Kosovës”! Pra, ishte mbrojtja që i ka bërë Kosovës shkaku që SHBA e kanë shpallur non grata!

A mund të jetë e vërtetë kjo? Përjashto injorantët dhe të marrët, të gjithë demokratët dhe shqiptarët e dinë shumë mire se Presidenti Biden dhe administrata e tij e kanë përjashtuar në mënyrë kategorike opsionin e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Me logjikën e Berishës, Biden dhe Blinker duhet ta kishin dekoruar ish-kryetarin e PDsë e jo ta shpallnin non grata.

Kështu i bie që SHBA e kanë dënuar zotin Berisha për një gjë që e mendojnë njëlloj. Të mos flasim më tej për të tjerat, që një nga personazhet e administratës së mëparshme të Presidentit Tramp, që e ka mishëruar një ide apo një projekt për shkëmbimin e territoreve, projekt që mbeti fantazmë sa kohë që nuk është shtruar për diskutim në asnjë tryezë apo instancë zyrtare të SHBA, ka qenë ishambasadori Grenell.

Ai sot vjen vërdallë edhe nëpër Shqipëri pa ndonjë funksion zyrtar dhe citohet me shumë entuziazëm nga njerëzit e Foltores si kundërshtuesi i shpalljes non grata të Berishës. Gjithçka është përmbys dhe plot kundërthënie në narrativën e Berishës sikur mbrojtja e Kosovës i ka kushtuar dënimin nga çlirimtarët e saj.

Historia ka dashur që ai të mos jetë violinë e parë mes aktorëve politikë shqiptarë në të dyja anët e kufirit përgjatë zhvillimeve të mëdha të viteve 1998-1999 që çuan në ndërhyrjen historike të SHBA dhe NATO-s për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe në vendosjen dora- dorë të demokracisë në Kosovën e lirë e të pavarur.

Edhe në ndonjë rast kur ka dashur të jetë aktiv, siç është Konferenca e Rambujesë që i parapriu ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në mars të vitit 1999, Berisha pati gabuar në vlerësimin e situatës. Pretendimet se është dënuar pse nuk lejoi ndarjen e Kosovës, përveçse alogjike dhe të ekzagjeruara për pozitat e tij, edhe po të ishin logjike, janë vetvetiu fyese për superfuqinë që ka autorësinë e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës dhe do të ketë deri në fund rolin vendimtar për mbrojtjen e saj.

Se sa në hava janë këto pretendime e dëshmon shembulli i ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai e ka kundërshtuar fuqishëm nga pozitat e Kryeministrit idenë e shkëmbimit të territoreve. Po të ishte ky kriteri, Haradinaj do të ishte shpallur i pari non grata. Pas tij Kryeministri në fuqi, Albin Kurti. Pak ditë me parë, zoti Haradinaj rrëfeu në një intervistë se ndërsa kishte qenë në përplasje me SHBA për çështjen e taksës ndaj Serbisë, po SHBA “më dhanë Ushtrinë e Kosovës”, siç tha vetë. Do të thotë se mospajtimet me SHBA për çështje të caktuara nuk janë kurrë një shkak për ndëshkim nga Uashingtoni.

Foltorja e Berishës do të kishte pasur kuptim dhe vlerë nëse do të përballej me realizëm me pyetjet kyçe për të ardhmen e PD-së në dritën e shpalljes së tij non grata. Në vend të një ballafaqimi të thelluar me këto pyetje, foltorja ka shërbyer si një makineri e zhurmimit dhe e shmangies së tyre me qëllim që ta izolojë domethënien e vendimit amerikan në kornizën e një problematike partiake. Por pavarësisht kësaj, Foltorja dhe Kuvendi i thirrur nga Berisha janë ngjarje me rezonancë gjeopolitike rajonale dhe me gjerë për faktin se vijnë si një kundërpërgjigje e vendimit amerikan në kuadrin e politikës së Presidentit Biden për mbrojtjen e sigurisë kombëtare të SHBA dhe demokracisë deri atje ku janë vendet aleate, përkrah tyre. Shqipëria është një vend i tillë. Siguria e SHBA është siguria e Shqipërisë. Demokratët i dinë dhe nuk mund të mos i dinë këto./ Gazeta "Panorama"

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë