Është interesante se si pjesa didaktike dhe intelektuale e shoqërisë sonë nuk ka bërë ndonjë studim të thellë dhe profesional ndaj asaj që ne shohim të përsëritet me një përpikmëri tashmë maniakale në tranzicionin tonë të gjatë: Dhuna ndaj objekteve, dhuna verbale ndaj cilitdo që nuk e mendon njësoj. Lindja e globit e ka bërë me kohë dhe vazhdon ta bëjë, Perëndimi, gjithashtu. Sigurisht, pa arritur ta shuajnë dhunën si fenomen njerëzor, dhe luftërat dhe konfliktet, janë para syve tanë në këto kohë. Por, të paktën, e kanë qëllim në vetvete. Dhe në të vërtetë, Europa dhe një pjesë e mirë e botës po përjetonin kohën më të gjatë të historisë njerëzore pa një konflikt gjakatar që nga Lufta e Dytë Botërore. Por mesa duket studimi, meditimi, retrospketiva brenda nesh, është ende në agim të përfundimtares: kanalizimi i energjive shkatërruese dhe transformimi i tyre në dashuri dhe paqe. Kalimi individual nga ferri, në purgator e në parajsë, nuk është vetëm një shpikje Danteske për të shitur pafundësisht Komedinë Hyjnore, por kërkimi i thellë ii njerëzve për të kaluar nga vuajtjet e veseve dhe instikteve, tek energjia e paqtë dhe mirëqenia shpirtërore.
Ne, që jemi në Ballkan dhe do të duhej të përfitonim nga e mesmja magjike, nga mençuria e Lindjes dhe e Perëndimit, heshtim duke mos bërë asgjë, duke mos evoluuar në rrugëtimin tonë. Ose duke bërë pak, sigurisht jo mjaftueshëm.
Dhuna ndaj objekteve dhe dhuna verbale ndaj njëri-tjetrit nuk duhet anashkaluar. Specialistët dhe mistikët do ta kishin fare të lehtë t’i jepnin emrin e duhur, por unë, duke mos qenë e fushës po mjaftohem të tregoj këtë:
“Një profesor shumë i ditur dhe i njohur bëri një udhëtim deri në Indi për të takuar një murg të ndriçuar. Për shkaqe të panjohura profesori ndjehej i nervozuar, ndoshta për shkak të klimës, udhëtimit të gjatë dhe të lodhshëm, kur mbërriti në tempull hoqi këpucët me duf, i flaku në cepin ku ndodheshin dhe këpucët e besimtarëve të tjerë dhe me një të shtyrë me këmbë hapi derën.
Në shfryrjen e tij, i hodhi këpucët si të ishin armiku më i keq dhe e hapi derën e tempullit si të kishte një mur të fortë mes tij dhe derës.
Edhe kur hyri brenda në tempull e përplasi derën pas kurrizit duke bërë një zhurmë shurdhuese e duke tërhequr vëmendjen e të gjithë të pranishmëve që ndodheshin aty duke u lutur. Më pas, iu afrua murgut të ndriçuar dhe u përul duke e përshendetur me respekt.
Por murgu iu përgjigj: “Jo, nuk i pranoj përshëndtjet e tua. Më parë kërkoi të falur këpucëve dhe derës”. “Çfarë po më thoni?”, ia ktheu profesori i habitur. “Ti kërkoj të falur derës dhe një palë këpucëve? Pse? Mos vallë janë qënie njerëzore?”
Por murgu ia ktheu pa asnjë mëdyshje: “Nuk je i vetëdijshëm që shkarkove inatin tënd mbi këto dy objekte pa jetë. I hodhe tutje këpucët si të ishin fajtorë të diçkaje, dhe e hape derën si të ishte një armike e jote. Nëse pranon individualitetin e tyre deri në atë pikë sa të shkarkosh mbi ta urrejtjen tënde, duhet të jesh i gatshëm edhe t’u kërkosh të falur. Ndryshe nuk mund ta vazhdojmë dialogun bashkë”.
Profesori mendoi se, meqë kishte bërë gjithë atë rrugë për të takuar murgun e famshëm, do të ishte tepër qesharake të ndërpriste dialogun për një gjë kaq të papërfillshme, prandaj shkoi drejt këpucëve dhe tha duke bashkuar duart: “Mikeshat e mia, më falni për dhunën e ushtruar”. Shkoi drejt derës dhe tha: “Ndjesë, gabova që të hapa me forcë!”.
Për të ishte një eksperiencë tronditëse.
Në memoriet e tij ky profesor i famshëm, që shkonte me gjithë bagazhin e tij perëndimor të takonte murgun e ndriçuar në lindjen e largët, shkruan se fillimisht u ndje qesharak, por në fund, me kalimin e kohës, pasi kishte kërkuar ndjesë, brenda tij ishte shfaqur diçka e re: U ndje i qetë, i butë, në paqe. Për një profesori si ai, që vinte me gjithë nderimet dhe karrierën e një jete të sukseshsme, ishte e pakonceptueshme të ndjehej kaq i patrazuar, i përmbajtur dhe i lumtur vetëm si I kishte kërkuaj ndjesë një porte dhe një palë këpucësh.
Principi, sipas murgut të ndritur, nuk është se duhet të duam gjithë qëniet njerëzore, por në jetën tonë, te re apo të moshuar, duhet të mbushemi me dashurinë e Krijuesit dhe vetëm kur të pushtohemi nga kjo dashuri, atëherë sjellja jonë do të jetë e njëjtë, e pandryshueshme dhe e mrekullueshme me familjen, me fqinjët, me të huajt, por edhe me një gur, me një derë, një milingonë, apo me një palë këpucë e një derë…
Komente











