SHKUP - Qindra persona janë mbledhur para godinës së Qeverisë në Shkup në shenjë proteste pas zbardhjes së disa detajeve lidhur me vrasjen e një të riu maqedonas 4 vjet më parë.
Protesta para godinës së qeverisë ka dalë nga kontrolli gjatë orëve të vona të së martës.

Policia ka ndërhyrë me dhunë kundër protestuesve duke i larguar ata në drejtim të bulevardit Ilinden. Kordoni policor ka bllokuar pjesën para qeverisë, ndërsa protestuesit janë ulur në rrugë dhe po hedhin sllogane kundër qeverisë Gruevski. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji kundër protestuesve, ndërkohë mësohet se ka edhe disa të plagosur në mesin e protestuesve.

‘Bomba’ e liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev tregoi qartë përfshirjen e kreut më të lartë shtetëror, kryeministrit Gruevski, ministres Jankullovska dhe Shefit të policisë sekrete Mijallkov të cilët edhe pse janë në dijeni të plotë për atë se vrasësi është polici në detyrë dhe anëtari i sigurimit të kryeministrit, ata vendosin që përmes një plani të prezantojnë për publikun një version jo real për vrasjen e Neshkovskit.
 


Vrasja e të riut nga organet përgjegjëse të shtetit ishte klasifikuar si një incident i izoluar, duke fshehur të vërtetën lidhur me atë se kush dhe si ishte vrarë Neshkovski.
  
Dëshmia më rrëqethëse e sotme nga audio-regjistrimet bëjnë me dije se pushteti është ekzekutori i vrasjes së Neshkovskit. E gjithë kjo flet “se dora e zezë” e vrasjes është vetë pushteti dhe ky rast tragjik është mbuluar me dëshmi të rrejshme dhe me dijeni të kreut më të lartë shtetëror të udhëhequr nga Gruevski.

I riu maqedonas  u vra në sheshin e Shkupit, ku partia në pushtet VMRO-DPMNE po festonte fitoren e arritur në zgjedhjet e vitit 2011. Ndërsa sipas ‘bombës’ së publikuar autori i vrasjes është anëtarë i Ministrisë së Brendshme dhe se ai ishte pjesëtar i afërt i shërbimit të sigurisë së kryeministrit.