Populizmi penal, çfarë po mbetet për shqiptarët e së nesërmes

Populizmi penal, çfarë po mbetet për shqiptarët e së nesërmes

Foto ilustruese

Afrimi i zgjedhjeve lokale po i bën kampet partiake, sidomos ato që kanë lidhje me PS-në dhe PD-në, të artikulojnë shumë forma përfaqësimi për pushtetin. Nguti duket më së shumti tek Opozita, e përfaqësuar nga Grupi i Rithemelimit, që po na përball me sistemin e primareve, shoqëruar me tollovinë e Partisë së Lirisë, e shndërruar brenda pak orësh. “Ne po përgatitemi dhe do fillojmë shumë shpejt. Nuk do të humbasim kohë në aplikimin e procedurës sonë në primare dhe vjeshta e parë, mendoj unë, do të jetë periudha e fillimit të zhvillimit të primareve në mbarë vendin për kandidaturat tona.

Në takimin me kryetarët e degëve, kërkova një përpjekje dhe veprimtari shumë planëshe, sepse PD nuk mund të qëndrojë vetëm në një lloj veprimtarie”, theksoi Sali Berisha, kryetari demokrat, që pret konfirmimin nga Gjykata e Apelit për ndryshimet statusore të njësisë që ai përfaqëson, por që ende nuk i ka nisur përgatitjet. Përballë, po shikohet një inerci e ngathët dhe aspak përgatitje nga ana e makinës elektorale të PS-së, që deri më tani është e mbathur me skandale jo të pakta.

Pasojat nga modeli i munguar politiko-ekonomiko i zhvillimit po e shkallmon vendin, duke u treguar shqiptarëve vetëm një udhë shpresë, atë të ikjes. Një nga metodat e INSTAT (rishikimi vjetor i popullsisë) evidenton se nga viti 2011 deri më 2022 janë larguar në emigracion pothuaj 7.5 % e popullsisë së vendit ose 213,748 persona (Monitor, 2022).

 Ligji i Dekriminalizimit

Nëse ekonomistët po rreshtojnë arsye bindëse për shkretimin e vendit, politologët arsyetojnë edhe prej nivelit të përfaqësimit në ligjvënie. Ku Ligji i Dekriminalizimit, hartuar në vitin 2015, po e përball vendin me një paradoks lidhur me kundërvajtësit e ndryshëm politikë-administrativë, nga më të zakonshmit deri ata më të sofistikuar, që nuk lejohen të mbajnë më funksione publike. Janë një armatë syresh, zgjedhur nga politika por edhe kapilarët e administratës që e kanë ulur nivelin e besimit mes njerëzve.

Në formën proceduriale, kjo do të thotë se kandidatët zgjedhorë duhet të plotësojnë një formular dekriminalizimi ku deklarojnë nëse janë dënuar apo jo ndonjëherë për një krim. Kjo bëhet në administratë, kjo aplikohet edhe me gjyqësorin. Në vazhdën e kësaj logjike, plotësimi i parregullt i një deklarate të rremë në vetvete është krim. Dhe, si ndodh, që janë kaq shumë? Pse guxohet nga partitë dhe administrata shtetërore të kalojnë personazhe me problematika?! Në fakt, nëse do t’i referoheshim politikës do të humbasim në justifikime dhe sofizma, ku thelbi i fajit mbetet tek tjetri.

Raporti i hartuar në vitin 2020 nga Instituti për Studime Politike, bëri me dije se pesë deputetë humbën portofolat dhe mbi 150 zyrtarë të lartë dhe të mesëm të qeverisë ishin penalizuar. Raporti tregoi se kishin humbur vendet e tyre të punës nga “ndikim i drejtpërdrejtë” i ligjit. Gjithmonë, sipas këtij materiali, në periudhën mes viteve 2015-2020, rreth 200 këshilltarë lokalë dhe rreth 500 zyrtarë të rangut të mesëm dhe të lartë publik nuk mund t’i gëzonin pozicionet e tyre për shkak të dënimeve të mëparshme penale, përfshirë këtu edhe katër kryetarë bashkish dhe madje edhe një anëtar të Gjykatës Kushtetuese. A ishte Ligji një lloj dështimi i demokracisë sonë?! Koha do të tregojë shumë…

Populizmi penal

Në ditët tona, një lloj përgjigje ndaj fenomenit shqiptar dhe kriminalizimit të strukturave të ndryshme të politikës e shoqërisë e jep koncepti i populizmit penal. Ky i fundit konsiderohet si diskurs që argumenton se sistemi modern i drejtësisë mbron të drejtat e kriminelëve në kurriz të ‘shumicës së heshtur’, publikut të thjeshtë që i bindet ligjit por edhe që vuan vetë nga krimi (Pratt, 2007). Të mjafton të dish dhe të njohësh diskursin politik-shoqëror dhe kupton tollovinë e dekriminalizimit të vendit. Parlamentarët flasin për ligje të drejta, zero tolerancë ndaj krimit, mosqasjen ndaj krimit dhe luftë pa kompromis ndaj tij.

Në fakt, forca e krimit dhe rasti i fundit i muajve të verës 2022 me të shumëkërkuarin Ervis Martini, të bën të kuptosh se dukja e politikës dhe mënyra sesi artikulon është tejet larg realitetit. Krimi ka penetruar thellë dhe bindshëm në çdo qelizë të shtetit shqiptar. Ndaj personazhet e saj janë aq të pranishëm ngado, ndërsa drejtësia është duke ecur me një ritëm të vërtetë breshke. “Populizmi penal ushqen dhe ushqehet nga frika e krimit, si dhe zemërimi dhe zhgënjimi për efektivitetin e sistemit të drejtësisë. Është i rrënjosur në emocione dhe në ndjenjën e padrejtësisë dhe këto emocione mund të shfrytëzohen lehtësisht nga mediat tabloide, me trajtimin e tyre të ekzagjeruar të krimit, ose nga politikanët populistë që ndërtojnë mbi panikun moral ndjenjat e kërcënimit” (Tyler & Boeckmann, 1997).

Ky është rasti që i shkon vendit tonë por mbi të gjitha politikanëve tanë, që e kanë të mbushur diskursin me të gjithë leksikun e nevojshëm të luftës. Po pse po zë vend ky koncept? Duket se populizmi ka mbytur çdo mënyrë ndryshe ligjërimi, kurse funksionarët e partive dhe militantët e shumtë kujdesen më shumë për mënyrën sesi të baltosin sesa të përballen me etikën e përzgjedhjes së anëtarëve. Kësaj tollovie i bashkohet edhe paqartësia dhe paradoksi i vetë institucionit të KQZ-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme. 

Në argumentin tonë, ndërsa ligji mendohej se do të ishte i përkohshëm, duket se ai jo thjesht do të vazhdojë, por është i nevojshëm në një kohë që partitë tona kanë struktura të brendshme aspak efikase të frenojnë personazhe me probleme. Më shumë akoma, kooptimet dhe propozimet e emrave bëhen më shumë për efikasitetin e fitores pa kushte sesa realisht në mënyrë të drejtë nga strukturat e partive. Shembulli i kryebashkiakëve të larguar të PS-së ishte treguesi më i saktë i kësaj. “Është interesant fakti që gjithë deputetët kryetarët e bashkive dhe shumica e drejtuesve në qarqe dhe në nivele të tjera drejtuese, që janë larguar për shkak të dekriminalzimit, rezultojnë që nuk janë produkt i strukturave partiake, nuk kanë fituar me garë, nuk janë votuar, nuk ka patur proçes transparent”- theksonte për VOA, politologu Afrim Krasniqi (2019).

Po a duhet që popullariteti, që kanë një sërë personazhesh falë lidhjeve dhe konjukturave lokale politike të përcaktojnë axhenda? Me sa duket po. Është bërë gjithnjë e udhës, sidomos në zgjedhjet e përgjithshme, që kandidatët për deputetë, emrat e të cilëve shkojnë në KQZ vetëm në momentet e fundit, në mënyrë që t’i shpëtojnë lupës publike. Ashtu, si personazhet që konkurrojnë për bashkitë dhe komunat i bëhen fakt i kryer një publiku që e ka të pamundur të kundërshtojë. Arsyet tashmë janë konike: e para, sepse e ka të pamundur t’i dëgjohet zëri. E dyta, ngaqë strukturat që zgjedhin janë kryekëput të varura nga kryetari i partisë.

Dhe, sërish, argumenti ynë i afrohet populizmit penal, i cili përbën “një politikë ndëshkuese e zhvilluar kryesisht për parashikimin e një popullariteti” (Robert et al, 2003), kur “si interpretimi i krimit ashtu edhe nocionet mbi rregullimin e tij marrin formë në një opinion publik të energjizuar nga frika e krimit dhe nga ligjërimi i politikanëve që synojnë të përshtaten me votuesit e tyre “ (Borbíró. 2008). Prandaj kjo lloj politike mund të pritet të përkrahet nga politikanët tanë populistë, që dinë të luajnë si me karrotën ashtu edhe me kërbaçin. Rasti i Shqipërisë e justifikon më së miri dhe mund të jetë shkak për nisjen e një studimi më të gjerë, sesi populizmi si ideologji sot, ruan përmbajtje të paqartë politike dhe një lloj pozicioni ideologjik, ku elitat e pakta të pavarura denigrohen nga përdorja e pavend e konceptit “popull”, por edhe një lloj refuzimi real i pluralizmit përmes zgjedhjeve të pandershme edhe problematike. Strukturat e filtrimit të personazheve që katapultohen në politikë nuk funksionojnë, në këtë filozofi, ku rëndësi ka fitorja jo etika zgjedhore e përzgjedhjes. Duke qenë në varësi të kryetarëve, ato janë thjesht zgjatime të kërkesave të tyre, që jepen në formë urdhri piramidal nga lart-poshtë. Mungesa e filtrave të tillë bëri që PD-ja të zhytet në një krizë që vazhdon deri në orët e fundit sa i përket respektimit të statutit të saj, që tashmë e ka ndarë partinë në dy të tilla syresh.

Pamundësi, apo tollovi për të zgjedhur

Teknikisht, mënyra sesi përzgjidhen kandidatët has në shumë teknalitete. “Partitë politike nuk kanë mundësi asnjëra, që të verifikojnë pranë organeve të pavarura, gjykatave dhe prokurorive të kujtdo shteti. Nuk mund të bëjnë ato verifikime. Janë organet vetë që ligji ua ngarkon këtë të drejtë të bëjnë verifikimet dhe të dalin në konkluzione”- shprehej për VOA-n, Ermonela Felaj, Kryetare e Komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare (2019).  Duket se administrata jonë e menaxhimit të zgjedhjeve e ka të pamundur dhe ky është momenti ku manovrojnë politikanët. Tek e fundit, atyre u pëlqen që të shkarkojnë ngarkesën në strukturën që nuk e ka kapacitetin për ta mbajtur atë.

“Ligji vërtetë u ka dhënë të drejtën edhe partive politike të bëjnë një verifikim paraprak, para se të sjellin kandidatët. Nëse do të ishte bërë një filtër nga partitë politike para depozitimit, volumi i punës mund të ishte më i vogël”– pohonte në të njëjtin shkrim për VOA-n, Dëshira Pasko, Drejtore e Drejtorisë juridike në KQZ (2019).

Po pse nuk bëhet atëherë një proces, që dalëngadalë t’i japë këtij ligji? Sepse zgjedhjet manipulohen hapur brenda partive, qoftë edhe për kryetarët dhe mund të abstragosh vetë pastaj për të gjithë procesin. “Unë kam qenë nënkryetar i asaj partie, dhe për fat të keq jam pjesë e fajit të kësaj që po ndodh sot. Dhe nuk kam angazhimin total edhe të kësaj lëvizje që po ndodh sot. Kam qenë nënkryetar e kam përgjegjësitë e mia, për çfarë ka ndodhur. I kam pranuar këto karagjozllëqe me kuvendin e korrikut. Prandaj dhe nuk jam aktiv, sepse më vjen zor të shkoj dhe të përballem me demokratët pasi do më thonë, ti po na thua tani për Bashën, kur më parë na the të manipulonim votat për të”, ka pohuar manipulimin e zgjedhjeve në parti deputeti Paloka, ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së për News 24.

Në fakt, edhe më shumë se kaq, përplasja e institucioneve i dha shumë më tepër fuqi këtij argumenti, ku KQZ-ja e merrte të mirëqenë çdo fakt ligjor të ardhur nga prokuroria. “Me fjalë të tjera: KQZ po vepron në bona fede dhe përgjegjësia për vërtetësinë e fakteve ligjore të referuara nga Prokuroria, megjithëse nuk u paraqit ndonjë kopje vendimi, i mbetet Prokurorisë së Përgjithshme”, citohet në një artikull të tij Denar Biba, Ish-Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Populizmi si ideologji e hollë mund të shfaqet si në politikën e krahut të Djathtë ashtu edhe në atë të Majtë, prandaj, literatura (Mudde, 2004) duke marrë rastin e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore argumenton se: qeverisja populiste mund të ketë disa tipare të dallueshme në aspektin e procedurave të politikëbërjes, si p.sh., anashkalimin e stadeve institucionale dhe kufizimin e duhur të pjesëmarrjes së aktorëve shoqërorë.

Të dyja partitë do t’ia hedhin për të gjithë kohën fajin njëra tjetrës edhe pse dihet mirë se të dyja kanë kosto të madhe në momentin kur ekspozohen kandidatë të tillë. Justifikimi që bëjnë deri më sot është se e kanë të pamundur në tollovinë e dokumentacionit, të ndërrimit të emrave së individëve  dhe të ikjes jashtë vendit të identifikimit. “Kohëzgjatja nuk është në dorë, as të partive politike dhe as të institucionit që bën verifikimin sepse gjithmonë ai lidhet me të dhëna jashtë vendit”– shprehej për VOA-n, Ermonela Felaj, Kryetare e Komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare (2019). Hakerimet e ditëve të fundit dhe përcjellja e dokumentacionit sesi funksionon shteti shqiptar ka treguar se një mal me probleme i jep oksigjen kriminalizimit tek ne. Më shqetësues dhe relativizimi i konceptit “dekriminalizim” që ka mbetur në konceptet kushtetuese. Me pak fjalë është çka kemi mbjellë për të na përfaqësuar dhe për të administruar jetën tonë publike. Një studim më i thelluar statistikor mund t’i japë vlerë argumentit të parashtruar edhe në aspektin e antropologjisë politike. Por, një fakt mbetet i pandryshuar: shqiptarët e shekullit të parë të viteve ‘2000 e humbën betejën për një klasë politike me vlera dhe një demokraci funksionale. Apo më thjesht, brenda argumentit tonë, populizmi penal e ka ngërthyer vendin tonë në çdo aspekt dhe do duhen breza të ndryshohet, ajo çfarë presim.

*Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së

zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy

(NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP).

Referenca

1-Andrea Borbíró, “’Three Strikes and you’re out’ Magyarországon – kriminálpolitikai racionalitás vagy szimbolikus jogalkotás?,” Acta Facultatis Politico-iuridicae Universitatis Scientiarum Budapestinensis de Rolando Eötvös Nominatae (2008), 165–179 at 175. The most comprehensive treatment of the question in domestic literature is Katalin Gönczöl, “A büntető populizmus és a társadalmi kirekesztettség,” Acta Facultatis Politico-iuridicae Universitatis Scientiarum Budapestinensis de Rolando Eötvös Nominatae (2013), 155–165; Katalin Gönczöl, “‘Let There be Order!’: Rising Criminal Populism in Hungary,” Archives of Criminology (2021), 1–16.

2-Cas Mudde, “The Populist Zeitgeist,” 39(4) Government and Opposition (2004), 541–563.

3-Denar Biba, Në zbatim të legjislacionit të dekriminalizimit (Avokatia 38).

4-John Pratt, Penal Populism (Routledge, London, 2007).

5-Julian V. Robert, Loretta J. Stalans, David Indemaur and Mike Hough, Penal Populism and Public Opinion (oup, New York, 2003), 65.

6-https://www.monitor.al/75-e-popullsise-se-vendit-ka-emigruar-ne-10-vitet-e-fundit-sipas-instat-2021-rekordi-i-dekades/

7-https://shqiptarja.com/lajm/edi-paloka-inkriminon-veten-manipulova-votat-per-zgjedhjen-e-bashes-kryetar-te-pdse-terhiqet-nga-levizja-e-berishes

8-https://www.zeriamerikes.com/a/dekriminalizimi-shqiperi-prodhon-debate/5121224.html

9-Tom R. Tyler and Robert J. Boeckmann, “Three Strikes and You Are Out, But Why? The Psychology of Public Support for Punishing Rule Breakers,” 31(2) Law and Society Review (1997), 237–265.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vigjilje Krishtlindjesh, Pastori Akil Pano: Ngjarja më e madhe në besimin e krishterë! Të hapim zemrën e të ndihmojmë njerëzit në nevojë

Vigjilje Krishtlindjesh, Pastori Akil Pano: Ngjarja më e madhe në besimin e krishterë! Të hapim zemrën e të ndihmojmë njerëzit në nevojë