Për herë të parë, në Shqipëri pritet të rregullohet me ligj edhe administrimi i kriptomonedhave të sekuestruara apo konfiskuara. Kjo kategori u shtua ndjeshëm vitet e fundit dhe administrimi ka paraqitur sfida, ndaj parashikohet që procedurat e detajuara të përcaktohen me akt nënligjor. Vitin e kaluar vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara vetëm nga SPAK në kripto ishte 45.4 milionë euro, por në mungesë të portofolave digjital nga AAPSK, iu kërkua ndihmë autoriteteve italiane.
Sipas draftit të depozituar në Kuvend, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara do të përfshihet në administrim kategorish të reja të pasurive, për të përshpejtuar procedurat deri në shitjen së tyre. Përmes këtyre ndryshimeve synohet përmirësimi i bazës ligjore, në kushtet e shtimit të numrit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara përgjatë viteve të fundit, sidomos nga SPAK, si dhe të rasteve që lidhen me ndërtime pa leje dhe kriptomonedha.
Përveç pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara nga organet e drejtësisë, AAPSK do të administrojë edhe ato me vendime të pushtetit qendror dhe njësive të vetëqeverisjes vendore. Në qëllimin e ligjit shtohet edhe përdorimi sa më efektiv i këtyre pasurive, rikthimi i tyre në komunitet, përdorimi për iniciativa publike dhe masa sociale, si dhe kompensimi financiar i viktimave të krimit. Projektligji krijon gjithashtu një fond të veçantë të dedikuar për ndërtimet pa leje, i cili do të përdoret për administrimin dhe zhvillimin e objekteve. Kur shteti konfiskon një ndërtim pa leje dhe ia kalon AAPSK-së, do të ketë fond të dedikuar që përdoret për shpenzimet që lidhen me atë objekt, administrim, mirëmbajtje, zhvillim etj.
Një ndryshim i rëndësishëm lidhet me kompetencat e Agjencisë për shitjen e pasurive të konfiskuara. AAPSK do të kryejë vetë procedurat e shitjes dhe lidhjen e kontratave, duke eliminuar ndërhyrjen e institucioneve të tjera. Kjo shkurton afatet, redukton burokracitë, shmang dublikimin institucional dhe rritë transparencën, efikasitetin financiar dhe të ardhurat që kalojnë në buxhetin e shtetit.
Ndryshime bëhen edhe në rregullat për shpenzimet e administrimit të pasurive. Shtohet si kategori e veçantë çdo shpenzim i domosdoshëm për administrimin e ndërtimeve pa leje të konfiskuara. Gjithashtu, për pasuritë në masë sekuestro, shpenzimet nuk do të ndiqen sipas procedurave të zakonshme të prokurimit publik, por do të realizohen mbi bazën e një studimi tregu. Kjo zgjidhje propozohet sepse pasuritë që kalojnë në administrim janë të paparashikueshme për nga numri, tipologjia dhe problematikat, çka e bën të pamundur planifikimin paraprak të nevojave.
Komente










Menaxhimi do jete: shiti kriptot dhe zi ndonje grope ne buxhet.
Përgjigju