Demokratët nuk lëvizin nga qëndrimi se propozimi i socialistëve për Reformën Territoriale duke shkrirë 15 bashki dhe duke e ulur numrin e tyre nga 61 në 46, është një kalkulim i pastër politik.
“Kemi thënë që në fillim se është hartë elektorale, po është hartë elektorale, sepse ndikon në mënyrën sesi menaxhohet pushteti lokal. Sepse pushteti lokal ndër vite është parë gjithmonë si magazinë e votave politike. Dhe rruga dhe parimet, që s’ka parime dhe kriteret që s’ka kritere, dhe ndarja në fund, është krejtësisht politike”, thotë Luçiano Boçi.
Ndaj Luçiano Boçi, bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Posaçëm të ngritur për një reformë territoriale konsensuale, por që përfundoi pa dakordësi, shpresën e ka te ndërkombëtarët, të cilët thotë ai i kanë dëgjuar tashmë shqetësimet e demokratëve dhe nuk duhet ta kalojnë në heshtje hartën e re.
“Ndërkombëtarët kanë insistuar për një reformë dhe produkt konsensual. Nuk është konsideruar as përfundimi i ekspertëve të BE, ndaj këtu reaksioni dhe reagimi i tyre, duhet të jetë i plotë, nuk duhet të jetë kalim në heshtje, dhe disa fraza korrigjuese në raportin e ardhshëm, çfarë vlere ka kur të dalë nëse Shqipëria është copëtuar?”, shprehet ai.
Mazhorancës i hedh dorashkën e sfidës. Ndonëse një referendum është thuajse i pamundur në kushtet aktuale, thotë se duhet gjetur mekanizmi për të qenë qytetarët ata që do të zgjedhin mes propozimit socialist dhe atij të PD, e cila kërkon shtimin e bashkive në 100.
“Hajde ta bëjmë me referendum, projekti i PD që është i hapur apo projekti i tyre. Meqë ata paskan derdhur aq djersë dhe duan ta kalojnë, po, t’ua dërgojmë qytetarëve. Referendumi është i vështirë, por po të ketë vullnet politik gjendet rrugzgjidhja ne do i drejtohemi KQZ për një vendim për një referendum, edhe pse nuk kemi besim sepse KQZ ka treguar që është shtojcë e qeverisë”, vijon Boçi.
Në këshillat bashkiakë ku drafti i PS është dërguar për konsultim, në një udhëzim këtë të enjte, demokratët u kërkojnë këshilltarëve të tyre të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe të bëhen bashkë edhe me të majtët për ta kundërshtuar atë.
Nëse socialistët vijojnë të vetëm deri në miratimin në Kuvend të hartës së re, demokratët nuk përjashtojnë as mundësinë e goditjes në Gjykatën Kushtetuese të saj.










Komente
Komento