Për analistin Mentor Kikia, protesta e PD më 24 janar para Kryeministrisë, ishte me skenar dhe se këtë radhë ishte rritur doza e agrisivitetit.
Në një intervistë për "Studio Live në Shqipëri" në Report Tv, Kikia u shpreh se ishin caktuar njerëzit që do të hidhnin molotovët.
"Asnjëherë, në Shqipëri protestat e organizuara nga partitë politike, nuk dalin nga kontrolli. Janë paqësore apo agresive, në varësi të mënyrës sesi i organizon partia politike që ka marrë përsipër organizimin. Edhe protesta e së shtunës, sikundër ishte lajmëruar, drejtuesit e PD viheshin në pyetje, dhe lidershipi i PD thoshte, do ta shikojmë. Ajo që ishte më ndryshe dhe më shumë, ishte se doza e agresivitetit ishte më e madhe, ishte edhe skenari i ndarë i protestës në dy pjesë. Nga Kryeministria, për t’u zhvendosur te selia e parlamentit.
Padyshim që hedhja e molotovëve nuk ishte gjë spontante, ato përgatiten para, caktohen njerëzit që do t’i hedhin, nuk janë të rastësishme. Gjërat janë të organizuara dhe nuk i mbetet spontanitetit. Është ndryshe pastaj, dhuna në protestat qytetare, ku nuk ka organizator, dhe nëse ato dalin jashtë kontrollit, dalin ku gjithëkush në mënyrë spontane vepron sipas mendjes së tij dhe pak kush ka mundësi për t’i ndaluar. Protesta e PD ishte e organizuar të ishte e tillë, do ishte më e efektshme në mediatizim, për të bërë lajm brenda dhe jashtë vendit.", theksoi ai.
Kikia tha se përplasja me policinë, është e pashmangshme në protesta të tilla.
"Protesta nuk është ekskursion, ka pasur protesta masive që tregojnë rezistencën e qytetarëve, ku qytetarët janë shfaqur edhe me lule në dorë, ku ia kanë ofruar policëve. Megjithatë, ka protesta paqësore, që dëshmojnë rezistencë, por në Shqipëri ne nuk shquhemi për protesta afatgjata. Shumica ka qenë paqësore, por ka pasur edhe protesta agresive. Ndërsa në Shqipëri, edhe nëse ka qenë agresive, ka qenë në afat kohor të shkurtër. Përplasja me policinë është e pashmangshme. Qytetarët janë në të drejtën e vet për të protestuar, edhe në mënyrë agresive. Kjo nuk duhet parë si luftë, por pjesë e demokracisë. Protestat janë pjesë e demokracisë, agresiviteti varet nga sfondi politik që zhvillohet. Asnjë qeveri nuk e ka qejf protestën, por është pjesë e demokracisë.", deklaroi analisti.
Lidhur me deklaratën e kreut të PD, Sali Berisha se ka hyrë në kilometrin e fundit për të rrëzuar Ramën, Kikia tha se kjo mund t'i kthehet në bumerang.
Kikia shtoi se Berisha ka vite që bën deklarata të tilla, por Rama është ende në krye të qeverisë.
"Tani, kilometri i fundit është pak e guximshme, një lloj basti ta pranosh. Për sa kohë do bëhet ky kilometër? Vendosja e afateve mund t’i shndërrohet në bumerang. Premtimet për ta rrëzuar qeverinë nuk u realizuan asnjëherë. Qytetarët mbetën të zhgënjyer, ata që shkojnë edhe sakrifikojnë. Ndaj, politikisht do duhet të bëhet kujdes me këto deklarata. Politikisht, protesta sipas PD mund të konsiderohet e suksesshme, në raport me jehonën, pasi mediat duan konflikt, dhunë, për të bërë lajm. Protesta e shtunës, u raportua nga dhjetëra media, sepse ishin imazhet ato që përbënin lajm.", tha Kikia.
Sipas analistit, opozita është e përçarë për shkak të interesave, por edhe për faktin që partitë e reja nuk duan të bashkëpunojnë me Berishën.
"Besoj që janë interesat, në mesin e partive opozitare ka pasur përpjekje edhe në maj të 2025 për t’u bashkuar, por nuk ia dolën. Partitë e vjetra kanë dallime mes njëra-tjetrës, por kanë edhe konflikte personale. Ne pamë sesi Lapaj dhe Shehaj u përfshinë në konflikt gjyqësor. Edhe dy aleatët, që ishin Lapaj dhe Endri Shabani u përfshinë në konflikt absurd. Pati një përpjekje në dhjetor nga PD. Ka disa vatra ku organizohen të tilla aktivitete, nëse do përbashkoheshin, do kishte më shumë efekt. Partitë e reja përjashtojnë lidershipin e PD, Sali Berishën. Nuk duan të bashkëpunojnë me zotin Berisha, por nuk është vetëm ky shkaku. Mund të bashkoheshin vetë për të fomruar një pol të tretë. Në grupe të vogla, mesa duket asgjë nuk po arrin të formësojë.", përfundoi Kikia.
Komente






