Aktivisti Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, është shprehur se nuk është dakord me të gjitha kërkesat e paraqitura nga Dritan Goxhaj gjatë protestave që po zhvillohen para Kryeministrisë.

Gjatë fjalës së tij në një lidhje nga protesta për emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Qiraxhi tha se pavarësisht mos-dakordësive që mund të ketë mes protestuesve për kërkesat, largimi nga politika i kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Sali Berisha, janë sipas tij pika që i bashkon qytetarët.

“Këtu është një masë e madhe njerëzisht dhe ju duhet të kuptoni që ka një diversitet interesash. Pensionistët marrin pjesë në protestë sepse kanë pensione shumë të ulëta. Studentët marrin pjesë sepse kanë cilësi shumë të ulët të arsimit. Ne jemi në një dinamikë të pasurimit apo kolektimit të kërkesave. Nuk besoj se kërkesat që na janë parashtruar janë të çimentuara. Aty mund të shtohet diçka nga ajo që protestuesit që sjellin në protestë. ‘Rama në burg, Berisha në burg’ është një deklaratë pozicionimi. Qytetarët e kanë kuptuar se çmontimi i këtyre dy liderëve që përfaqësojnë sistemin që ata mendojnë se nuk ka prodhuar të mira për ta, do të ishte një hap i jashtëzakonshëm”, tha mes të tjerash Qiraxhi.

Më tej Qiraxhi deklaroi se Dritan Goxhaj, i cili lexoi kërkesat e protestuesve ditën e djeshme, nuk është organizator i tubimeve.

Aktivisti Qiraxhi tha gjithashtu se nuk ishte dakord me kërkesën për qeveri teknike, pasi sipas tij, kjo do duhej negociuar me 2 forcat e mëdha politike në vend.

“Qytetarët e kanë kuptuar se kjo protestë nuk i shërben një individi të caktuar. Një nga dy arsyet që e kanë mbushur sheshin, është sepse ata ndjejnë qartësisht se nuk janë të përdorur. Ka disa grupe koordinimi. Kjo nuk është protesta e një individi. Grupi ka bërë një sqarim që Dritani nuk është as organizator dhe as përfaqësues i protestës. Është një përfaqësues i zgjedhur për të bërë një deklaratë. Këtu ka grupe me diversitet të jashtëzakonshëm. Fjala vjen unë jam shumë i mirëkuptuar për kërkesën e parë që është ‘Rama të japë dorëheqjen’, por sigurisht kam rezervat e mia kur bëhet fjalë për qeveri teknike, sepse do të duhet të negociosh me 2 partitë kryesore. Mirëpo këto janë teknikalitete. Unë mendoj se të gjitha kërkesat janë të drejta dhe legjitime. Të gjitha kërkesat mund të diskutohen”, vijoi më tej Qiraxhi.