Pas paralajmërimit se nëse opozita nuk rikthehet në Komisionet e Posaçme të Reformave, do t’i heqë të drejtën e vetos, socialistët hodhën hapin e parë.
Në mbledhjen e Komisionit të Reformës Territoriale, të bojkotuar nga Partia Demokratike, bashkëkryetari Arbian Mazniku njoftoi se do t‘i kërkojë Kuvendit ndryshimin e përbërjes së këtij komisioni duke hequr barazinë e numrave dhe të drejtën e vetos.
“Sot jemi në një mbledhje tjetër që opozita nuk ka ardhur. Dashamirësia e mazhorancës dhe Kuvendit për të krijuar barazi dhe bashkëkryesi, është kthyer tashme në një mekanziëm bllokimi për vijëmësinë e punës. T’i kërkojmë Kuvendit ndryshimin e vendimit të krijimit të Komisionit në mënyrë që koncepti i paritetit dhe bashkëkryesisë mos të jenë më si koncepte ne vendimin e krijimit të komisionit”,- tha Mazniku.
Me këtë vendim, thotë Mazniku zhbllokohet veprimtaria e komisionit e cila ka mbetur pezull për shkak të bojkotit opozitar.
“Ndaj edhe kjo reformë bëhet e domosdoshme që të kryhet në këtë moment, përpara 2027, në mënyrë që të fillojë të implemnetohet në 2027 që bashkitë tona të jenë të afta dhe shumë herë më të forta në 2029 për të luajtuar në një nivel komplet tjetër me fondet e Bashkimit Europian”,- tha Mazniku.
Që PS do të vijonte e vetme punën në rast se PD vijonte bojkotin e paralajmëruar ishte paralajmëruar edhe nga kryeministri Edi Rama dhe ky paralajmërim përfshin edhe komisionin tjetër të posaçëm, atë për reformën Zgjedhore.
PD deklaroi se do të ndërpriste bashkëpunimin parlamentar me maxhorancën për dy reformat, pas zvarritjes që iu bë heqjes së imunitetit të Ballukut fundvitin e shkuar, pas kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e saj.
Komente










