Rama kritikoi drejtësinë referuar fletëve të mëdha të fletëve të arrestit të prera dhe atyre për thirrje në prokurori.
“Asokohe populli s’kishte parë gjë, se nuk kishte ardhur flama e kanaleve dhe portaleve të ujërave të zeza mediatike; tenxherja e vetme ishte tellalli i qytetit. Sot tellallët e gënjeshtrave dhe bishtave janë pa çdo butoni që shtyp për të marrë ndonjë haber të ditës. Nuk kemi ç’t’i bëjmë as tellahanes së madhe që na solli jeta të jetojmë duke qenë në krye të vendit në këtë moment kyç.
Në rrezik është përqendrimi ynë në udhëheqjen e vendit; duhet të rrisim përqendrimin në punët e mëdha e të vogla, të shtojmë forcat dhe për t’i komunikuar sa më shumë. Të përpiqemi edhe më shumë të vetëkorrigjohemi. Jepni idetë tuaja dhe të debatojmë së brendshmi se si gjërat duhen bërë më mirë, por pasi debatojmë dhe ndajmë me njëri-tjetrin opinione, duhet të përqendrohemi në një pikë: Shqipëria në BE në vitin 2030.
Kur të lexojmë historinë, ne jemi njerëz të zakonshëm, ndërsa historia flet për njerëz të jashtëzakonshëm; dhe ata, kur e kanë lexuar historinë, e dinë që ka plot njerëz të zakonshëm që e bëjnë historinë dhe nuk figurojnë, sepse nuk e kanë bërë të jashtëzakonshmen që duhet për të bërë historinë. Sot rruga e Shqipërisë dhe yjet që janë bashkuar e kanë sjellë që ne ta kemi historinë në duart tona dhe ta shkruajmë me mendjen dhe forcën tonë.
Shqipëria në BE nuk është një tjetër etapë zhvillimi, është histori dhe, pa diskutim, nuk është e lehtë të përqendrohesh në kushtet që, përtej zhurmës së përditshme të bombave artizanale që plasin tenxhereve, ka filluar edhe një lëvizje prokurorësh që janë turrur në garën e mandatit të ardhshëm të SPAK, duke prerë fletë-arreste me tufa; në rastin më të mirë, kur nuk janë fare çështje penale; në rastin më të keq, hetohen në gjendje të lirë, siç ishte rasti i Durrësit, ku vetëm prokurori mbeti pa i prerë vetes fletën e arrestit, ndërkohë që dhjetëra fletë të prera nuk kursyen as një punonjëse model, 5 vite në luftë me kancerin dhe me fëmijë 2 muajsh në gji.
Apo duke shpërndarë fletëthirrje për paraqitje në prokurori me sasinë e biletave të teatrit, deri në absurditete të skajshme, siç është një rast emblematik ku një ndërtues pa leje, të cilit i është konfiskuar ndërtimi për të strehuar aty brenda një agjenci shtetërore, ka gjetur rrugën e prokurorisë për të kallëzuar shtetin. Prokuroria ka hapur çështje penale për punonjësit e shtetit që futën agjencinë e shtetit në godinën e ndërtuar pa leje. Me siguri do thonë që sapo kam ndërhyrë në punët e drejtësisë. Jo. Sot do them vetëm 1/1000 e asaj që kam për të thënë”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Grupi i PS ende pa vendim për Ballukun, Rama: Flas pas raportit të Këshillit të Imunitetit! ‘Lumë’ kritikash drejtësisë: Nuk bëhem pishman, reforma investim i PS











