Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetari i Partisë Socialiste, deklaroi të shtunën nga Hasi se "reformat që po bën qeveria janë si ilaçi, që edhe pse është i hidhur, është e vetmja mundësi që ne të shohim përpara dhe nesër të jemi shëruar".
Në një takim me banorët e Hasit,  Rama prezantoi kandidatin e "Aleancës për Shqipërinë Europiane", Adem Lala. "Sot jemi këtu, 18 muaj pasi kemi marrë detyrën, falë mbështetjes që na keni dhënë dhe ju. 18 muaj janë shumë pak për të zgjidhur gjithë ato probleme dhe për të shëruar gjithë ato plagë që këtu janë hapur në 20 e ca vite. Në 20 e ca vite, ku kjo zonë dhe gjithë ky qark ka mbijetuar falë punës së jashtëzakonshme të njerëzve tuaj në emigracion, vetëm falë punës së jashtëzakonshme të familjeve këtu, që nuk i janë dorëzuar dëshpërimit dhe që kanë bërë çmos që t'i rrisin fëmijët pa e braktisur zonën", tha Rama.
Megjithatë ai shprehu bindjen se, " në 18 muaj, qeveria ka bërë aq sa për të qenë sot më të sigurt, sesa ishim 18 muaj më parë, se Shqipëria jonë, se ekonomia jonë, se arsimi dhe shëndetësia e me radhë të gjitha të tjerat po kthehen në drejtimin e duhur'.
"Për të vazhduar rrugën në drejtimin e duhur, unë jam këtu për t'u bërë thirrje juve, pa ju ndarë në socialistë dhe demokratë, por të gjithëve ju si hasianë, që t'i jepni besimin e plotë Adem Lalës. Sepse që qeveria të jetë pranë jush dhe për të bërë të mundur që projektet e bashkisë të bëhen realitet, qeveria ka nevojë që të jetë njeriu i duhur, që të shikojë në drejtimin e duhur. E ky është vetëm Adem Lala", tha Rama.
Ai premtoi se për këtë bashki në 4 vite e ardhshme do të bëhet, aq sa nuk është bërë në 20 vjet të marra së bashku.
Askush nuk mendon t'i zgjidhë të gjitha problemet në 18 muaj, aq më tepër kur ne e gjetë vendin me 720 milionë dollarë borxhe. "Borxhe për ato rrugët që hapeshin në kohë të fushatave elektorale, me ato gërshërët që priteshin shirita dhe ngeleshin rrugëve, siç ngeli rrugëve edhe rruga këtu", vijoi Rama.
"Unë e di shumë mirë edhe se çfarë do të thotë të paguash drita për njerëz që kanë mundësi shumë të kufizuara. Por e dini çfarë? Në rast se ne do të vazhdonim mos të paguanim drita, ne do të mbeteshim të gjithë pa drita. Ne do të ishim të gjithë në gropë. Ndërkohë që sot, falë faktit që njerëzit kanë filluar të gjithë të paguajnë dritat, ne do të kemi mundësi që ato para që i merrnin nga ata që paguanin, për të mbushur gropën që hapej, nga ata që vidhnin apo nuk paguanin, t'i çojmë për shkolla, t'i çojmë për kopshte, t'i çojmë për çerdhe dhe kështu me radhë", tha më tej kryeministri.
Kjo, sipas tij, kërkon një sakrificë por nuk mund të jetohet pa sakrifica, pa mundime dhe në kurriz të të tjerëve. "Askush! Ka vetëm një politikë dhe një njeri që e ka gjykuar se mund të jetohet në kurriz të të tjerëve dhe ky është Saliu, është politika e Saliut. Politika e atyre që sot e gjithë ditën derdhin lot krokodili në parlament", shtoi Rama.
Kryeministri garantoi se do të mbështesë fort të gjithë ata që duan të jetojnë me punën e tyre dhe që kanë nevojë për mbështetje, të gjithë ata që jetojnë në komuna këtu dhe që kanë një fermë të vogël, apo që duan ta bëjnë, por nuk kanë mundësi. Në 21 qershor ta zgjedhim Ademin dhe ta vendosim bashkinë me njeriun e duhur, në drejtimin e duhur.
/atsh/