Ramiz Alia:Ku ishin 25 mijë
komunistët e Tiranës më 2 korrik

Ramiz Alia:Ku ishin 25 mijë<br />komunistët e Tiranës më 2 korrik
Kjo është pjesa e tretë e inçizimit të mbledhjes së 17 gushtit, ku Ramiz Alia diskutoi gjerë e gjatë për dështimin e Sigurimit të Shtetit dhe të forcave të policisë për të parandaluar dhe frenuar ngjarjet e Ambasadave dhe trazirat në Kavajë me 2 dhe 4 korrik 1990.

Në dy pjesët e para diskutimet zbulonin tensionin e krijuar pas kritikave të Ramiz Alisë ndaj strukturave drejtuese të Ministrisë së Brendshme duke i fajësuar ata drejt për drejt për ngjarjet e ambasadave, si edhe një pjesë të problemeve konkrete si asgjësimi i dosjeve që lidheshin me çështje të agjitacionit e propagandës, apo mënyrave të mbajtjes nën kontroll të të rinjve nëpër shkolla e Universitete. 

Pjesa e tretë që sjellim sot në Shqiptarja.com, zbardh një pjesë të mirë të fjalimit të Ramiz Alisë në këtë takim, ku ai tërheq vëmendjen për situatën e krijuar dhe se si ata që fshiheshin pas ngjarjeve të ambasadave po kërkonin të rrëmbenin pushtetin dhe të likujdonin socializmin dhe Partinë e Punës.

Në fjalën e tij Ramiz Alia orienton drejtuesit e Sigurimit për mënyrat e reja dhe moderne që ata duhet të përqafonin në punën e tyre për t’iu përshtatur kushteve të reja, që diktonin ndryshimet poltike në Shqipëri në pjesnë e dytë të 1990-ës.

PJESA E TRETE (vijon nga dje)
 
......... - Tani, unë po zgjerohem një çikë sh. Ramiz, po kaloj edhe në një temë tjetër një çikë më të gjerë lidhur me këto situata që u krijuan. Unë e kuptoj për veten time si komunist, si kuadër, që kohët kanë ndryshuar, mirqënia e popullit s’duhet të njohë këtë gjendje që ka, duhet të rritet, dhe pranoj politikën e Partisë që është një politikë tejet dialektike; që do të kërkojë të çajë në rrugë të re. Por, rrugët e reja, unë mendoj që nuk duhet t’i marrë vesh Partia dhe populli nëpërmjet radios, televizionit dhe deri tek .... Në radhë të parë duhet t’i marrë vesh partia vetë, t’i diskutojë.

Ajo pastaj të përpunojë më vete në opinionin e saj, të jetë një në udhëheqje, të pulsojë, pulsi i saj ashtu si edhe i juaji veç saj, pastaj të përpunohet edhe populli. Mendimin e Partisë pastaj ta japë edhe radjo, edhe televizioni, edhe shtypi dhe me radhë. Mendoj që këtu duhet kërkuar një nga defektet që ne deri diku na shpëtoi situata nga duart, në Tiranë edhe gjetkë ku patëm shqetësime.

Patjetër ndryshime do të bëjmë, por unë them shoku Ramiz që, n.q.s. nuk do të jemi në gjendje që të përpunojmë Partinë, popullin tonë, të ketë unitet në rrugën që kërkojmë për të dalë nga gjendja që jemi dhe ky unitet nuk është i tillë siç ka qenë në ato raste që Partia ka përballuar situata të vështira, ne do ndodhemi para vështirësish dhe ndoshta do na krijohen edhe probleme brenda Partisë dhe midis Partisë dhe popullit kjo mund të suportohet me sukses duke rritur shumë informacionin.

Edhe unë e kam merakun shumë tek informacioni nga lart-poshtë në organizatën bazë, por edhe nga informacioni nga poshtë-lart, të ushqehet Partia, tamam. Më duket se kjo .... nga kalon onformacioni, këto kohët e fundit ka defektuar. Kam parasysh, folët ju para dy vjetësh edhe me preokupacion që organizatat bazë të Partisë, komunistët të ngrenë shqetësimet që kanë.

U diskutua në organizatat bazë, erdhi kritika juaj që s’po ngrihen probleme. Si unë ndoshta kanë menduar edhe shokë të tjerë që s’e kemi shokun Ramiz t’i themi që s’është e vërtetë shoku Ramiz, problemi ne jemi, por juve nuk u vijnë problemet në udhëheqje.

Shumë probleme dhe në organizatën bazë të Partisë, edhe gjetkë e gjetkë ku kam dëgjuar s’janë ngritur probleme, s’janë ngritur probleme më tej. Këtu ka një burokratizim të kësaj rruge dhe duhet parë që nga sekretarët që unë do të thoshja që të mos i zgjedhim edhe kështu siç është bërë traditë t’i zgjedhim që të jenë të urtë e sa më të urtë, se kjo qenka baraz me partishmërinë e tyre.

Ka njerëz që janë të aftë për këtë punë, që të kenë kurajo, të kenë guximin e komunistit, të jenë të shqetësuar për fatet e popullit e të atdheut.

Jo kështu, që rrijnë mbi karrike e diskutojnë tërë ditën për sport. Dhe këto pastaj, në një farë mënyre, çensurojnë informacionin për Partinë, për udhëheqjen e saj e natyrisht Partia kur nuk ka informacion të plotë.

Ose deri në udhëheqje të Partisë, venë informacione që janë me “lale me lule”.

Mos zgjatem shumë.

R. Alia: S’e zgjate, mirë.
...........: Edhe probleme të tjera mund të them por ndoshta nuk i vlejnë të gjithë mbledhjes.

R. Alia: Një gjë desha të sqaroj unë që të mos më ngelet merak pse nuk e sqarova. Lidhur me atë që the ti, kuptimin e drejtë të këtyre direktivave të Partisë dhe të këtyre ndryshimeve që bëhen në veprimtarinë e përditëshme të Partisë. Ke ndonjë vërejtje konkrete ti për këto, apo e the në parim, në përgjithësi.
...........: Jo. Unë e thashë, shoku Ramiz, duke u nisur nga një fakt. Të gjitha këto pothuajse, që u bënë deri tani, kanë qarkulluar shumë kohë përpara si thashetheme. Unë kam qenë përgjegjës i policisë në Tiranë deri para 5 muajsh.

R. Alia: Po.
...........: Dhe duke qenë në atë vend pune kam qenë edhe i informuar si shokët e tjerë. Çfarë flitej: u tha që në Shqipëri do të vijë Perez de Kuelar.

R. Alia: Po.
...........: U tha që edhe Perez de Kuelari do të verë ca kushte dhe do të lidhen mardhënie.

R. Alia: Këto “do të verë ca kushte” janë llafe pazari.
...........: Pazari, pazari, Partia nuk tha gjë.

R. Alia: S’ishte asnjë kusht!
...........: S’kishte vënë akoma.

R. Alia: Jo, jo, po dhe s’vuri asnjë kusht.
...........: As organet e informacionit nuk kishin thënë gjë që do të vijë Perez De Kuelari, s’kishin thënë gjë. Fazë e parë. Do lidhen mardhënie diplomatike me amerikanët dhe me Suedinë. Filluan të qarkullonin fjalët. Do të futemi në Evropën e Bashkuar. Do të aderojmë në Helsinki, etj., etj. Pa thënë asgjë as partia, as organet, në informacionet.

R. Alia: Ehë, po, ju kuptoj.
...........: U përpunua një opinion i tërë. Ne si organe të specializuara...

R. Alia: Nuk dinin gjë.
...........: pavarësisht se e meritojmë këtë për situatën që kaluam morëm informacione dhe i drejtojmë duke i vënë kokën “komente të armikut”. Asnjë përgjigje nuk vinte nga Ministria e Brëndëshme, nuk e dij më lart, po të isha më lart nuk do ta përtoja kritikën, do ta thosha mbase edhe më lart, por unë me Ministrinë komunikoja, të thosha që shiko, nuk janë komente armiqësore këto, ka të vërteta, s’ka të vërtetë. Ne vazhdonim të merrnim të tilla. Ma do mendja kështu kanë bërë të gjitha rrethet.

R. Alia: Të kuptova.
...........: Tani erdhi puna, këto gjëra u vërtetuan.

R. Alia: Dale të shpjegojmë, që ta kesh të qartë ti edhe shokët. Të tëra këto që the ti janë të vërteta sepse të tëra këto çështje politike që shtrohen ne i kemi diskutuar në Plenumin e 9-të të Komitetit Qendror. Tani s’mbaj mend datat, por plenumi i 9-të i Komitetit Qendror duhet të jetë bërë nga shkurti ose marsi i këti viti. Tani këto gjëra i diskutuam në Komitet Qendror. Këto filluan të dalin pazarit dhe jo vetëm kaq por edhe ata shokët e Ministrisë së Jashtme dhanë dhe intervista, Sokrat Plaka dha një intervistë që foli për mardhëniet me këto shtetet e ndryshme etj., por e tha duke patur parasysh ato që u thanë në plenumin e 9-të të Komitetit Qendror. Dhe pikërisht pse këto gjëra dolën kështu unë e quajta të nevojshme që në plenumin e 10-të të Komitetit Qendror t’i them publikisht. Se në fakt në plenumin e 10-të nuk kam thënë asgjë më tepër nga ato që u thanë në plenumin e 9-të, por se në plenumin e 9-të i thashë po në Komitetin Qendror dhe për Komitetin Qendror i shtrova si çështje që janë këto probleme, ç’duhet të bëjmë, ç’qëndrim të mbajmë dhe Komiteti Qendror mori vendim të bëjmë këtë e këtë, në plenumin e 10-të unë i shtrova si vendime, si probleme të zgjidhura nga Komiteti Qendror. Pra ke të drejtë ti që kjo periudhë, midis plenumit të 9-të e plenumit të 10-të ishte koha e këtyre thashethemeve që Partia nuk u vu në dijeni.
...........: Këto pretendoja unë, dhe do të shtoja këtë shoku Ramiz, që duke mos u informuar Partia poshtë, natyrisht për ato që janë të domosdoshme, se unë s’pretendoj që gjithçka të vendoset në Byronë Politike, armiku hap një shteg shumë të madh, shumë të gjerë, që të mos kalojë një nga një, por të kalojë me legjione, përpara. Dhe shtoji dhe atë tjetrën që Perez De Kuelari vërtet do të vijë, por do të verë edhe kushte. Pastaj, kur iku De Kuelari thotë i vuri edhe kushtet, etj., etj. D.m.th. që
të ndërpriten thashethemet, ndoshta informacioni në Parti duhet të jetë një nga rrugët them unë që përpunon opinionin. Dhe e përpunon opinionin ashtu siç mendon partia, jo siç duan armiqtë e keqbërësit. Propaganda, ka detyrat e saj, do të thosha unë, dhe kam kritikë, kam vërejtje që ka qenë shumë inaktive në këtë periudhë, në Tiranë flas, ka qenë inaktive.

R. Alia: Po inaktive është. Shiko, që nga fakti që pas plenumit të 9-të asnjë nga shokët drejtues nuk mblodhën kolektivat që t’i komunikojnë vendimet e plenumit të 9-të. Po tek juve janë bërë?
...........: Jo, absolutisht jo.

R. Alia: Me kuadrot e Ministrisë Jashtme s’është bërë, me kuadrot e Ministrive të tjera s’janë bërë, edhe ju le shteg muhabeteve.
...........: Këto masa duhen parë si nga shkaqet që e poqën në një farë mase këtë situatë. Unë nuk e përjashtoj dorën e armikut. Unë u komandova nga shokët e Ministrisë, tek ambasadat mbasi ndodhën këto ngjarje dhe pashë e dëgjova mjaft gjëra si qytetar, si polic me uniformë. Nuk përjashtohet dora e ambasadave. Pse. Po jap një shembull. Morëm të dhëna nga organet e punëve të brendëshme, drejtoria e Tiranës ndoshta ose ndonjë nga degët e Ministrisë që tek kodrat e liqenit do të grumbullohen 5000 vetë dhe do të vërshojë një demostratë atje. Ata që ishin futur brenda ambasadave, të nesërmen më thoshin mua dhe shokëve të mi policë aty, kush na njifte e kush s’na njifte që isha shef s’kishte rëndësi “e shefo, i vratë 50 veta atje lart”. Ata ishin brënda, brenda ambasadës gjermane. “Ku lart?”. “Aty ku u mblodhën ato 5000 vetët tek kodrat e liqenit”. D.m.th. ka një ........... që po t’u referohesh çdo gjë është edhe dora e ambasadave të huaja. Por unë përgjegjësinë e shikoj tek vetja jonë, te Partia, te pushteti dhe te organet e specializuara. Pse? Mbi 20 ditë qëndronin me turne këta elementë përpara ambasadave të huaja. Ata, shoku Ramiz, nuk kishin nevojë që të udhëhiqeshin nga një platformë e caktuar, për mua 20 ditë, të rrish në trotuar te një ambasadë, radhazi, po ulesh një herë për një kafe pa e njohur fare bëhesh mik me të, pse shkëmben dy fjalë. Pse të mos organizoheshin këta të policisë, pusho, hesht, hesht. As policia bënte detyrën se nuk lejohej. Mund ta bënte gabim policia detyrën, nuk përjashtohet ta bënte gabim, por ...

R. Alia: Gabim policia bën vetëm kur përdor forcën jashtë ligjit. Atëherë bën gabim.
...........: Qartë.

R. Alia: Por, gabim që të vendosë rendin e rregullin nuk bën. Polici e ka për detyrë, n.q.s. një grumbull njerëzish mblidhen, thotë “lëvizni, lëvizni”. N.q.s. ai ulet “lëviz, këtu pengon qarkullimin, lëviz”. Këtë e ka për detyrë t’i thotë policia.
...........: Aq sa ndodhën që ndodhën deri tani, pa një dorë, pa një centralizim, pa një komandë! Ju qava një çikë edhe shokut Hekuran, e takova atje. Unë mendoj edhe kështu që, sikur mos të kishte ardhur edhe shoku Hekuran atje mund të vazhdonte disa ditë ajo. Nuk e di, partia mund të kish informacion tjetër, por nuk e di, mund të jetë i gabuar krejtësisht. Por mua m’u krijua përshtypja, sikur të mos kishte ardhur shoku Hekuran atje të na shikonte një herë me sy, ndoshta kjo punë do të vazhdonte, pra do të hynte populli vazhdimisht brenda. “Populli” të më falni, bëra gabim.

R. Alia: Po, po, nejse, po hë.
...........: Ata s’janë në popull.                    

R. Alia: Edhe populli!
...........: Edhe ata, ambasadat e treguan ç’fytyrë janë, e ç’fytyrë kanë. Ata, shoku Ramiz, e treguan veten që nuk përfaqësojnë shtetin dinjitoz. Goxha diplomatë atje, (të paktën siç mbahen), ftonte njerëzit të hynin nga gardhet e ambasadave dhe kur vinte tek porta i thoshte “nuk të pranoj, hip nga gardhi”.
 
R. Alia: Tani, të them unë disa gjëra, se për këtë erdha që t’ju them unë disa mendime. Ndjekja dhe kuptimi i situatës, është një nevojë pune për të gjithë njerëzit tanë, veçanërisht për juve, punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brëndëshme.

Prandaj do t’u këshilloja nga koha në kohë, pa qënë nevoja t’u vijë njeri, po vetë ju do të bëni analizat e gjendjes së brëndshme dhe të jashtme me qëllimin që të ndihmohet veprimtaria juaj, sepse duke kuptuar drejt zhvillimin e situatave do të shikojmë si lidhen dhe ç’efekte kanë në vendin tonë situatat e jashtme ose me njerëzit e kategori të ndryshme të popullsisë, kur bëjnë fjalë për situatën e brëndëshme. Nga ana tjetër kjo do të na japë mundësi që të diktojmë ku mund të synojë dhe ku mund të gjejë pika mbështetje armiku. Dhe për rrjedhim, duke njohur mirë situatën, do të jemi në gjendje edhe të ndërtojmë punën, në mënyrë që të kundërveprojmë.

Pa studim, pa analiza nuk ka punë shkencore. Pa studim, pa analiza ka vetëm diletantizëm. Mirpo në punën e Sigurimit të Shtetit, në punën e organeve të brendëshme dhe në përgjithësi në tërë punën tonë nuk është koha për diletantizëm, ka ikur ajo kohë. Tani kërkohet punë shkencore, analiza shkencore dialektike. Kush i përgjigjet kësaj detyre bën punën për të cilën është ngarkuar. Kush nuk i përgjigjet kësaj detyre nuk mund ta bëjë mirë punën e vet. Sidomos në situatën aktuale, duhet në të gjitha fushat e veprimtarisë tonë shoqërore një punë më e kualifikuar, sepse duhet të mos harrojmë që edhe armiku e ka ndryshuar metodën e punës së vet.

Por nga ana tjetër në kushtet e sotme duhet pranuar që vepron nga disa pozita më të favorshme.

Favori që ka armiku sot është se ka marrë kurajo nga fitoret arritur në Lindjen Evropjane. D.m.th. veprimtaria armiqësore është nxitur nga sukseset që arriti reaksioni dhe borgjezia në Lindjen Evropjane, ku efektivisht i nënshtroi këto vende interesave të kapitalit, interesvae të borgjezisë, interesave të reaksionit.

Pra, mori pushtetin, likujdoi Partinë Komuniste, edhe vendosi elementet antikomunistë në krye të këtyre vendeve. Kjo ndodhi në Poloni, Çekosllovaki, në Hungari, në Bullgari, në Republikën Demokratike Gjermane e cila u gllabërua komplet nga Gjermania Federale e kështu me radhë.

Por kjo ndodhi edhe në Bashkimin Sovjetik ku ekonomia, politika e të tëra janë vënë plotësisht në binarët e kapitalizmit.

Pozita e favorshme e reaksionit, nga ana tjetër, është se pikërisht nga këto fitore është bërë më prepotent dhe më arrogant, se asnjëherë tjetër. Kaq prepotent dhe arrogant, sa që ai dikton, u dikton vendeve të ndryshme çfarë duhet të bëjnë, si duhet të bëjnë.

Vënë kushte edhe në marëdhëniet ndërkombëtare, edhe në lidhjet dhe kontaktet me vendet e ndryshme.

Çfarë kërkon sot imperializmi, çfarë kërkon sot reaksioni, çfarë kërkojnë sot armiqtë? As më pak, as më shumë, por kërkojnë pushtetin, kërkojnë lirinë e atdheut, kërkojnë zhdukjen e socializmit. Pra kërkojnë të arrijnë, ato që u arritën në vendet e Lindjes Evropjane. Nuk kërkojnë ndryshime të vogla.

Nuk është fjala këtu për të ndryshuar një çështje apo një tjetër, por është për të likujduar komplet sistemin socialist, komplet pushtetin popullor, lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Ky është thelbi i synimeve të armiqve. Ky është thelbi i veprimtarisë së tyre. Këtu synon e tërë veprimtaria armiqsore sot. Po nuk u kuptua kjo çështje, po nuk u kuptua ky qëllim i armiqve, atëherë nuk është kuptuar absolutisht hiçgjë nga lufta që bën sot reaksioni.

Për konsekuencë, po nuk kuptuam këtë qëllim të tyre, nuk dimë as si të luftojmë dhe nuk dimë të shpjegojmë dhe fenomenet që na ndodhin.

Sot, n.q.s. i hedhim një sy veprimtarisë globale të armiqve, p.sh. që pasqyrohet në tendencat e arratisjes, në shtimin e kësaj tendence, në aktet terroriste të tyre në fjalët për Stalinin, në veprimtarinë e ambasadave, në indisiplinimet në punë. Bile jo vetëm kaq por do të thoja edhe deri tek disa shenja që kanë filluar të duken në radhët e klasës puntore. P.sh. në Vlorë, kërkojnë puntorët e karbitit të sodës, “o të na ulet pensioni, ndryshe do të bëjmë grevë”. E kuptoni? Këto nuk janë pjellë e mendjes të puntorëve, këto janë pikërisht nxitje e veprimtarisë të armiqve. Është këtu shefi i Vlorës?
Hekuran Isaj ?: Këtu është Hasani.

R. Alia: Jeni në dijeni?
...........: E kam informuar dje me telefon.

R. Alia: Kur, dje, mirë bëre që e ke informuar dje, se Partia s’na ka informuar akoma.
...........: ___________

R. Alia: Me siguri, derisa ke informuar këtu, është dhe atje.
d.m.th., edhe këto veprime duhet t’i konsiderojmë që janë në këtë kuadër.

Është qëllimi me nxit njerëzit, për të bërë njerëzit të pakënaqur. Pra, thelbi i veprimtarisë së armiqve synon thashë, pushtetin. Këtë nuk nuk duhet ta harrojmë se po harruam këtë, harruam kryesoren. Nuk janë papunësia, nuk janë vështirësitë ekonomike, as vonesa e pasaportave, apo arroganca e ndonjë polici, shkaku i ngjarjeve që ndodhën në Tiranë. Sepse nuk tradhtohet atdheu pse s’ka punë, ose pse je i varfër. Këto duhet t’i kemi të qarta të gjithë. Duhet t’i kemi të qarta sepse luftra të reja na presin. Të mos mendojmë që arritëm të zmbrapsim sulmet e deritanishme të armiqve dhe armiku do të heqi dorë nga veprimtaria e tij kundër Partisë, kundër pushtetit.

U përpoq në janarin e këtij viti me ngjarjet në Shkodër, në Kavajë, në përpjekje këtu në Tiranë, por nuk arriti të bëjë gjë, u përpoq me ngjarjet e 2 korrikut këtu në Tiranë, në Kavajë, në Shkodër, në Vlorë, pati kudo përpjekje të tilla, po prapë nuk arriti dot qëllimet e veta.

Nuk duhet menduar që armiku ka hequr dorë nga puna e tij, mund të përdorë skenare të tjerë, nuk do të veprojë ndoshta siç veproi deri tani, do të veprojë ndryshe. Ndryshe çdo të thotë: do të thotë më e egër ose do të thotë më butë; më e rafinuar.

Prandaj ne duhet të jemi të përgatitur, duke ditur që kemi të bëjmë me një veprimtari armiqësore të organizuar dhe të nxitur nga jashtë, me qëllim shumë qartë të përcaktuara; që thashë qëllimi i përcaktuar është rrëzimi i pushtetit popullor, sjellje në fuqi i elementëve antikomunistë, likujdimi i socializmit, likujdimi i Partisë dhe bashkë me të i të gjithë strukturës tonë të shtetit socialist.

Pikërisht për këtë ne duhet të jemi mirë të përgatitur. Që të jemi të përgatitur është e nevojshme të analizojmë me sy kritik veprimtaritë tona.

Cilat ishin dobësitë tona, ku ishin të metat tona, nga se përfitoi armiku për veprimtarinë e tij? Të gjithë këtë, edhe Partia, edhe organizatat e masave, edhe organet e pushtetit duhet ta bëjnë, por veçanërisht këtë duhet ta bëni ju, organet e sigurimit të shtetit, të policisë, të kufirit sepse edhe sulmi i armiqve është i fortë mbi këto organe, presioni është i madh mbi këto organe, pse qëllimi është t’i neutralizojnë këto organe, për të patur të lehtë veprimtarinë e tyre armiqësore, por edhe sepse në fakt ngjarjet e këtyre kohëve të fundit, siç thatë edhe ju, evidentuan dobësi në punën e organeve tona të brendëshme.

Duhet thënë që Partia dhe organet e sigurimit nuk ishin të përgatitur si duhet për këtë lloj lufte, sepse kjo luftë nxorri në evidencë, jo vetëm armikun klasik të klasës, s.m.th. borgjezin, të deklasuarin, ish kulakun etj., të cilët nuk është e vërtetë që nuk janë kontigjente dhe nuk janë, si të thuash, nuk përbëjnë rrezikshmëri. Nuk duhen harruar kjo kategori. Mundet të mos jetë sot në plan të parë, por këto janë ndoshta në plan të dytë, në kuptimin, janë prapa ngjarjeve. Kurse në plan të parë, në fushë të betejës, si të thuash, kanë dalë njerëz të tjerë shpesh puntorë, të rinj nga radhët tona, njerëz të çoroditur, pra njerëz tonët.
    
Kjo luftë politike po zhvillohet kryesisht nëbazë. D.m.th. nuk është çështje vetëm që është angazhuar e tërë Partia në tërësinë e vet, por veçanërisht po ndeshen drejt për së drejti organizmat e bazës, sepse kjo po zhvillohet në një qendër pune të caktuar, në një institucion të caktuar, se aty po dalin thashethemet, aty dalin parullat, aty dalin elementet e ndryshëm të cilët kërkojnë të destabilizojnë gjendjen në vendin tonë. Nuk është fjala këtu, ta zemë, për ndonjë grup antiparti, në udhëheqjen e Partisë, ta zemë, por është fjala tek disa njerëz të thjeshtë, të cilët po veprojnë në këtë institucion, në këtë organizatë, në këtë qendër pune, në këtë fshat bile.

Ja, thamë në “sodë”, pra luftën në “sodë” nuk do të vete ta bëj unë, as ti që je këtu, por duhet ta bëjnë komunistët që janë atje, puntorët që janë atje, patriotët që janë atje, do ta bëjnë organet e sigurimit që janë atje. N.q.s. s’janë atje, organet e sigurimit që janë në Vlorë. Pra edhe kjo veçanti duhet patur mirë parasysh.

Se në Tiranë u ndesh dega e brendëshme e Tiranës, konkretisht. Kurse kur ishte fjala, ta zemë, (se luftra të mëdha ka bërë Partia) të luftojmë kundrër revizionizmit sovjetik në 60-tën, nuk luftoi dega e Tiranës, se s’kishte çfarë të bënte. Lufta kundër revizionizmit sovjetik u bë kryesisht nga udhëheqja e Partisë, u bë në një nivel të lartë ideologjik, politik, teorik, edhe praktik, por praktik në mardhëniet midis dy shteteve. S’kishte punë shumë; sigurisht pati edhe organizata e Tiranës, ta zemë, dhe për konseguencë edhe drejtoria e Tiranës, por qe më tepër një luftë shumë e sipërfaqshme.

Kurse kjo ishte konkrete, u ndesh me mijra vetë. Prandaj nga kjo pikpamje, aty duhet tani, në bazë duhen marrë vendimet, në bazë duhen mbajtur qëndrimet. Pra, aty duhet të jenë të qartë edhe njerzit tonë; kur them njerëzit tonë, që nga sekretarët e Partisë dhe deri tek puntori operativ që duhet të dijë si të veprojë, qysh tëveprojë, deri tek polici, që duhet të dijë se si duhet të veprojë në momente të caktuara, kur duhet përdor forca, kur s’duhet përdor forca dhe jo të veprojë sipas mendjes së tij, sepse në vend që të bëjë mirë mund të bëjë keq.

Në fakt pikërisht kjo luftë që u zhvillua në bazë dhe që zhvillohet edhe sot e kësaj dite në bazë, po vërteton, po nxjerr në evidencë mungesën e militantizmit në mjaft komunistë. Pse them në mjaft komunistë? Sepse qyteti i Tiranës ka 25 mijë komunistë. 25 mijë komunistë janë një forcë, një armatë e tërë. Po mirë, po ndaj njëgrushti horrash, një grushti njerëzish të degjeneruar, njëgrushti njerëzish të çoroditur, 25 mijë komunistët nuk u ndjenë, ose u ndjenë fare pak?! Kjo nuk flet për militantizmin e tyre.

Duhet thënë që në në këto ngjarje edhe sigurimi i shtetit u gjend bosh. U shfaqën mjaft dobësi në veprimtarinë e tij, në zbulim, a si e quani ju kundërzbulim, të veprimtarisë armiqsore, edhe në veprim për të zmbrapsur këtë veprimtari të armiqve.

Unë mendoj që juve duhet të analizoni mirë tuaja në këto fusha që të nxirrni mësime. Por, kur them të analizoni, nuk është koha sot të mbylleni nëpër zyra për të bërë raporte dhe analiza. Por është koha, që analizat të bëhen shumë shpejt, në 5 minuta, në 10 minuta se s’janë filozofira të mëdha, por duhet të arrijmë në konkluzione shpejt dhe të kundërveprojmë. Kjo është koha. N.q.s. kuptohet që të analizojmë gjendjen dhe të rrijmë me muaj e me javë dhe të mblidhemi e stërmblidhemi, më mirë mos i hyni kësaj pune, sepse do t’ju zënë probleme të reja. Por çështja është që duke punuar të reflektoni ku janë dobësitë e punës të organeve të sigurimit.

Unë mendoj që një nga dobësitë kryesore që është për organet e sigurimit të shtetit, por jo vetëm për ato, edhe për organizatat e Partisë, është se direktivat e Partisë dhe vendimet e saj për nxitjen e rolit të masave, për revolucionarizimin e jetës, për demokratizimin e jetës, për korrigjimet në legjislacion, e të tjera, jo vetëm nuk u kuptuan si duhet, por u interpretuan edhe keq.

Këtu më duket mua, është pika e parë e dobët. Këtu është punë e dobët nga ana e organizatës së Partisë edhe këtu në dikasterin tuaj edhe në të gjitha degët, por këtu është punë e dobët edhe nga ana e udhëheqjes së Ministrisë apo e udhëheqjes në degët.

D.m.th. nuk pati përpjekje për të zbërthyer në kushtet tuaja këto direktiva të Partisë. Unë nuk dëshiroj të them që janë interpretuar gabim, por nuk është çudi që në disa njerëz të jenë krijuar edhe mendime të gabuara në kuptimin që nga një palë të jetë menduar “epo, tani puna e sigurimit bie, nuk ka shumë punë tani, shumë gjëra u hoqën, shumë detyra, u lehtësua fare”.

Ky është një mendim liberal që po ta thellosh më tej mund të shkojë edhe më larg, që “vendimet e Partisë liberalizuan jetën, i lanë fushë të lirë veprimtarisë së armikut, mbaroi lufta e klasave”. Kupton? Ky mund të jetë, pa dashur, një mendim i tillë i gabuar që i demobilizon njerëzit.

Është edhe mendimi tjetër, që “siç duket veprimtaria e armiqve tani ka rënë”, sepse në botë ka një farë ulje të tensionit dhe për konsekuencë organet e sigurimit nuk kanë më atë rol, atë detyrë që kishin më parë.
Në të dy rastet, për mendimin tim, interpretimi është i gabuar, vija e Partisë nuk është kuptuar drejt.

Dhe thashë këtu, faji është që nuk është bërë dhe nuk janë bëri duhet shpjegimet e politikës së Partisë. Duhet të kuptojmë të tërë drejt shokë, që çështja e revolucionarizimit të jetës së Partisë ka qënë dhe është një vijë e përhershme e Partisë tonë.

Revolucionarizimi i jetës së Partisë dhe të vendit do të thotë rritje e rolit të masave; siç demokratizim i jetës së vendit do të thotë rritje e rolit të masave në veprimtarinë tonë. Kjo është vijë e përhershme e jona: rritje e rolit të masave në veprimtarinë e përditshme, në kontrollin e punëve, në zbatimin e vendimeve. Prandaj, në qoftë se, lidhur me këtë vendosëm ta zemë që organizatat e Partisë të bëjnë mbledhje të hapura, qëllimi është pikërisht që Partia të mos mbetet një sekt i mbyllur, por të gëzojë simpatinë e masave dhe me masat bashkë, të luftohet për zbatimin e vijës së saj.

N.q.s. thamë, kuadrot duhet të zgjidhen nga masat, do të thotë që kuadrot të mos e ndjejnë veten të varur nga organet superiore (të cilët më shumë zhvillojnë karrierizmin, etj.) por ta ndjejnë veten më shumë të lidhur dhe të varur nga masa që i zgjedh. Këto janë elementë të demokratizimit që zhvilloj më tej Partia jonë.

Në qoftë se duam të zhvillojmë ekonominë, kulturën, vendin, duhet të rritet më shumë iniciativa e masave. Pa iniciativën e masave, nuk mund të ketë zhvillim të vendit, as zhvillim ekonomik, as zhvillim politik, as zhvillim kulturor.

Rritja e iniciativës së masave, pikërisht do të thotë demokratizim i jetës së vendit, do të thotë të dëgjosh mendimin e tyre, se po nuk dëgjove mendimin e masave, s’ka si zhvillohet iniciativa e tyre, po nuk dëgjove mendimin e të tjerëve nuk ka si ta inkurajosh atë mendimin e përparuar.

Se ndryshe do të dominojë mendimi i prapambetur ose dogmat, mendimet e fiksuara një herë e mirë, sikur janë të vërteta të përherëshme.

Në këtë linjë shkojnë të gjitha vendimet që kanë marrë plenumet e ndryshme të Komitetit Qendror. Edhe ato lidhur me legjislacionin. Ulja e masave, revolucionarizimi i jetës së vendit do të thotë të veprohet mbi bazën e ligjeve dhe jo mbi bazën e urdhrave. Urdhrat janë subjektive.

Ligjet janë ato që rregullojnë jetën e shtetit, jetën e vendit, jetën e Partisë, nuk janë urdhrat. Urdhrat supozojnë veprimin e subjektit, e individit, kurse ligjet përcaktojnë rregullat, i përcaktojnë kujfijtë e veprimtarisë.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar