Refleksionet e ish-ambasadorit italian: Me qëllim për të ndërprerë trashëgiminë e Enver Hoxhës, menjëherë pas vdekjes së tij, do t’i bëhej thirrje Moskës, për ndihmë…

Refleksionet e ish-ambasadorit italian: Me qëllim për të ndërprerë trashëgiminë e Enver Hoxhës, menjëherë pas vdekjes së tij, do t’i bëhej thirrje Moskës, për ndihmë…

Enver Hoxha

“Rasti i pushtimit të Afganistanit, më i mundshmi për t’u përsëritur në Shqipërinë post-Hoxha nga vëllezërit sovjetikë”. Pavarësisht rrjedhës që morën zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enverit, dilemat e kancelarive perëndimore, për të papriturat e situatës post-Hoxha, kanë qenë nga më të ndryshmet. Kujtimet e Roberto Duccit, ish-ambasadorit italian në Tiranë në fillimin e viteve ’80-të, por jo vetëm, zbulojnë një pjesë të parashikimeve të mundshme. Në numrin e kaluar botuam refleksionet e diplomatit të vendit fqinj, mbi pritshmëritë dhe pështjellimet që do të shkaktonte humbja e diktatorit komunist, nisur nga realitetet politike që përjetonte Tirana e asaj periudhe dhe roli i saj në ekuilibrat e brishtë të rajonit, por dhe më gjerë.

Ambasadori Ducci, duke shprehur bindjen se kushdo që do të marrë shkopin e dirigjentit të Hoxhës, do të jetë për një kohë të gjatë më i dobët nga ai dhe duke e ditur se SHBA-ës, nuk kanë asnjë arsye për ta destabilizuar Shqipërinë, parashikon një rikthim të mundshëm, te aleati i dikurshëm, Bashkimi Sovjetik, e për rrjedhim një zbarkim të trupave sovjetike në Shqipëri. Pjesa në vijim e kujtimeve të ambasadorit Ducci, bën fjalë për efektet e pritshme pas ri takimit të mundshëm të Shqipërisë me Traktatin e Varshavës dhe agjendën e re të NATO-s pas kësaj…! (Afrim Imaj)

Kujtimet e Roberto Duccit, ish-ambasador i Italisë në Shqipëri, në vitet ’80-të!

Me një plan, për të destabilizuar grupet e popullsisë dhe ato politike, që do të trashëgonin pushtetin në Tiranë pas vdekjes së Hoxhës, synimet do të mund të bashkoheshin lehtësisht. Disa fraksione të vogla, që nuk patën pranuar të merrnin pjesë në pushtet, do të mund të inkurajoheshin, për t’i bërë thirrje Moskës për ndihmë vëllazërore. Ose, vetë grupi sundues, do të mund t’i sfidonte kundërshtarët, duke kërkuar mbrojtjen e “Vëllait të Madh” dhe kështu do të vijonte sundimin, në emrin e Hoxhës.

Kjo mundësi e dytë, do të ishte më e mirë për planifikuesit e sovjetikë. Skenari më bindës për operacionin “Shqipëria”, duhet të marrë parasysh shkallën e rrezikut ushtarak. Natyrisht, jo rrezikun që ushtria pushtuese, të mund të mbahej falë qëndresës së patriotëve shqiptarë, por një rrezik akoma më i madh: ai i shpërthimit të një krize, të përmasave Lindje-Perëndim. Njerëzit në Kremlin, janë gati të marrin përsipër rreziqet e llogaritura: ata kanë llogaritur drejt, se kur Brezhnjevi i sklerotizuar i dha dritë jeshile pushtimit të Afganistanit, nuk do të kishte ndonjë reagim nga Perëndimi, përveçse me fjalë.

 

Gjeografia e përjashtonte një ndërhyrje ushtarake të çdo lloji, nga Perëndimi. Por Shqipëria është në zonën e Mesdheut, shumë ngjitur me forcat e NATO-s. Për këtë arsye, vlerësimi i rrezikut, duhet të llogarisë mundësinë e një reagimi ushtarak nga Italia, nga Greqia, nga Flota e Gjashtë e SHBA-ve, ose nga NATO, si e tërë. Çfarë lloj reagimi duhet të presë Kremlini, nga secili nga këta?

Reagimi i Italisë ndaj një pushtimi të befasishëm të Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik, do të lëkundej midis ankthit e shqetësimit të skajshëm në qarqet politike, si dhe indiferencës së frikshme të popullit. Udhëheqësit italianë, do ta gjenin të vështirë të përpunonin një propozim praktik, për t’ua parashtruar aleatëve të NATO-s. Ata nuk do të çuditeshin për mundësinë e demonstrimeve nga Partia Komuniste, apo nga sindikatat: perspektiva e forcave sovjetike të vendosura në mënyrë të përhershme, njëqind milje larg brigjeve të Italisë Jugore, nuk ishte kënaqësi për këto organizata.

Por, populli do të ishte i papërgatitur shpirtërisht, për t’u ndeshur forcë me forcë, duke qenë se ishte mbajtur në errësirë, për rrezikun e një përballimi me BRSS-në (Bashkimin e Republikave Socialiste Sovetike) në Ballkan. Për këtë arsye, Roma do të qëndronte e ngurtësuar, duke pritur për një rol udhëheqës nga Uashingtoni dhe nga kryeqytetet e tjera aleate. Pozita strategjike e Greqisë, do të ndryshonte akoma edhe më rrënjësisht, se sa ajo e Italisë. Qeveria greke, do të tronditej seriozisht. Presioni i Paktit të Varshavës, i ndjeshëm prej kohësh përgjatë kufijve të Bullgarisë, do të mund të përhapej tani, edhe në kufijtë dikur paqësorë të Shqipërisë.

Në fillim Athina, do të formulonte qëndrimin e harmonizimit me Beogradin dhe, ndërsa do të ngrinte veshët ndaj zhurmave, që mund të vinin nga Turqia, me gjasë do të këshillonte maturi, duke iu besuar pëshpëritjeve se trupat sovjetike, do të tërhiqeshin sapo të kishin plotësuar detyrën e tyre vëllazërore ose, sapo Moska të ofronte një traktat mossulmimi, sovjeto-grek. Unë kam përmendur Flotën e Gjashtë Amerikane, sepse ajo është themeli i fuqisë së SHBA-ve në Mesdhe. E mbështetur nga vendet mesdhetare të NATO-s dhe e furnizuar nga portet dhe aeroportet e tyre, Flota e Gjashtë, është një makinë tepër e fuqishme lufte.

Por, nëse do të mund ta përballonte e vetme mbështetjen e një operacioni ushtarak, i cili do të ishte thelbësisht shumë më domethënës dhe shumë më i rëndë, sesa dy operacione që ajo kishte kryer në vitet e fundit kundër Libisë së Kaddafit – kjo mbetet e hapur për t’u dyshuar. Sigurisht një apo dy aeroplanmbajtëse të mëdha, do të merrnin një pozicion në Detin Jon, apo në Gjirin e Tarantos; aeroplanët AAC, që fluturonin mbi Adriatik, do të mund të zbulonin dhe të jepnin të dhëna mbi shtrirjen e penetrimit sovjetik.

A do të mundte një shfaqje e tillë e kufizuar force, të shkurajonte Moskën nga plotësimi i zbarkimit ajror dhe ta detyronte atë, të tërhiqte mbrapsht aeroplanët e saj “Antonov” dhe parashutistët, sikurse bëri Hrushovi, kur thirri tërheqjen e anijeve të tij, për shkak të ultimatumit të Kenedit? Ndoshta përgjigja është; “jo” dhe për këtë arsye, një hap tjetër do të duhej të merrej. Uashingtoni do ta çonte problemin, në prehrin e NATO-s.

Natyrisht që NATO është një mbulesë e përshtatshme për çfarë është në realitet një ballafaqim i vullnetit politik të disa shteteve sovrane. Përvoja e kaluar ka treguar, se është e vështirë për organizata si kjo, të arrijnë një vendim kolektiv, që mund t’i japë shkëndijë një lufte të madhe, në qoftë se nuk është një agresion i drejtpërdrejtë, kundër një nga anëtarëve të saj. Për shumë vite, këshilltarët ushtarakë e kanë nxitur Aleancën e Atlantikut, të mbrojë jo vetëm shtetet e saj anëtarë, por gjithashtu edhe interesat jetësore të Aleancës, në zona jashtë kufijve juridikë të NATO-s (kufij që përfshijnë Amerikën e Veriut, Europën Perëndimore, me përjashtim të vendeve asnjanëse e të paangazhuara dhe Pellgun e Mesdheut, me përjashtim Lindjes së Afërt dhe Afrikës së Veriut).

Asgjë nuk rezultoi nga këto propozime. Vështirësitë në përcaktimin e interesave dhe të zonave jetësore, u provuan se qenë tepër të mëdha. Në vitin 1973, qeveritë aleate Europiane, përveç Portugalisë, nguruan të sigurojnë baza ajrore dhe instalime të tjera për forcat amerikane, të angazhuara në shpëtimin e lëkurës së Izraelit – dhe pak ditë më vonë, atë të Egjiptit.  Në këtë retrospektivë, mungesa e guximit të Perëndimit në kohën e ekspeditave kubane në Angola (1975) dhe Etiopi (1978) provon idiotësinë e udhëheqësve të saj, ashtu sikurse edhe mungesën edukimit politik të tyre. Shumica e tyre, injoruan në mënyrë të çuditshme faktin, se ku ndodhen gjeografikisht Luanda (Kryeqytet i Angolës) dhe Addis Abeba (Kryeqytet i Etiopisë), si dhe faktin që; “çlirimtarët” kubanezë; e bënë të pamundur për angolezët dhe etiopianët; të kërkonin dashamirësinë dhe ndihmën e Perëndimit.

Do të kishte qenë e vështirë, të bindje elektoratin e Kopenhagenit apo të Amsterdamit, të toleronin një operacion ushtarak, në ato “vende të largëta, për të cilat ata nuk dinin asgjë”! Megjithëse Shqipëria e Tirana, janë shumë më afër, të themi, me Norvegjinë, se sa me me dy vendet Afrikane të përmendura më lartë, anëtarët veriorë të NATO-s, midis të tjerëve, me gjasë do të adoptonin një qëndrim të harmonizuar, por një qëndrim që do të ishte çdo gjë, por gjithsesi, jo veprim konkret.

Debati në Këshillin e Atlantikut në Bruksel, do mund për këtë arsye, të përfundonte me fjalë moralizuese ose, heshturazi do t’iu ngarkohej barra Shteteve të Bashkuara – ndoshta bashkë me Italinë – për të vepruar sipas mundësive, aftësive, gjykimit dhe autoritetit të tyre më të mirë politik, për të arritur largimin e sovjetikëve nga Shqipëria. (Precedenti i pakëndshëm i Afganistanit, duhej mbajtur në mendje, por jo të merrej si model. Perëndimi nuk kishte asnjë mundësi, për t’u futur në atë rajon, ndërkohë që me Ballkanin, është në kontakt të ngushtë fizik).

Kështu, çdo gjë do t’i “lihej në derë” dhe do t’u besohej aftësive e kapaciteteve të Presidentit Amerikan, për të bërë për vete Kongresin, në përpjekjet për të përballuar sovjetët, me një qëndrim të besueshëm që do të sinjalizonte, ose….ose…! Fatkeqësisht, koha do të ishte shumë e shkurtër dhe planifikuesit në Moskë – duke shqyrtuar përzgjedhjet e kufizuara që hapeshin për Presidentin – do të mundeshin fare mirë, që të konkludonin se ishte tashmë shumë vonë, për të instruktuar Flotën e Gjashtë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të zbarkuar trupa në bregdetin shqiptar me idenë që të siguronin, së paku, disa pengje territoriale me qëllimin që të parandalonin një pushtim të plotë të vendit nga ushtria sovjetike.

Një vlerësim i tillë pesimist, për anën tonë dhe një tjetër optimist, për anën kundërshtare, do të përjashtohej në qoftë se qeveria e SHBA-ës dhe Shtabi Suprem i NATO-s, do të kishte një plan të gatshëm politik dhe ushtarak, për një gjendje të tillë emergjente, me qëllim që të menaxhonte një krizë të këtij tipi. Në Perëndim, aktualisht studimi teorik i menaxhimit të krizave, ka ecur përpara, në mënyrë të konsiderueshme.

Ka vend plotësisht për të shpresuar, se aplikimi i saktë i kësaj doktrine, është në dispozicion për të menaxhuar krizat, që mund të ngjasin në disa sektorë delikatë të botës. Për më tepër, në qoftë se do të ishte e njohur apo e besueshme, se ekzistonte një plan emergjence për të përballuar ngjarjet, si skenari shqiptar,- kjo do të ishte në vetvete një akt shkurajimi ose, së paku, do t’u jepte udhëheqësve sovjetikë të kuptonin shkallën e rrezikut, të futeshin në dyshime, për t’u ndikuar prej tyre dhe pastaj, për t’iu frenuar dorën.

Çfarëdo hamendje dhe parashikim do të mund të shtrohej në dy plane të panjohur dhe të pavarur: Kur mund të nisë kriza? Cili do të jetë atëherë, raporti i përgjithshëm i forcave në të dyja kampet, veçanërisht në fushën bërthamore? Le të supozojmë se nuk jepet asnjë ultimatum bërthamor, për të kërkuar tërheqjen e forcave sovjetike; se nuk u vu këmbë dhe nuk u morën të kryera sulmet në territorin shqiptar, kur rrethanat qenë akoma të favorshme; se nuk rrëzuam asnjë aeroplan transporti sovjetik, që ta detyronim Moskën për ndalur e për të reflektuar.

Perëndimi, do të kishte akoma karta të tjera, për të futur në lojë (do të ishte arritur një shkallë e lartë gatishmërie, do të kishte mbytur anije lufte e transporti sovjetike, pa ndonjë rrezik të madh për shpagim nga kundërshtari; ideja e një operacioni të ardhshëm zbarkimi, do të mund të zhvillohej edhe në praktikë), etj. Por vlera e këtyre kartave, do të pakësohej me kalimin e ditëve. Pas një apo dy javësh, rendi sovjetik do të ishte instaluar, në pjesën më të madhe të Shqipërisë.

Qeveria e Tiranës do të falënderonte në mënyrë solemne Moskën, për ndihmën vëllazërore. Do të prodhoheshin “Provat” e komplotit imperialist përmes të burgosurve që gjoja kishin rezultuar nga “komandot subversive”. Këshilli i Sigurimit do të votonte për të dënuar Bashkimin Sovjetik, por me veton sovjetike, rezoluta do të konsiderohej e pavlefshme. Gazetarë të mirë disponuar apo, thjesht naivë perëndimorë, do të përhapnin periodikisht lajme, se trupat sovjetike, do të embarkoheshin në Durrës, për t’u rikthyer në shtëpi. Burimet zyrtare të Moskës, do të premtonin herë pas here, përfundimin e gjendjes së pushtimit. Disa njësi ushtarake madje, do të tërhiqeshin gradualisht.

 

Sidoqoftë, bazat ajrore e detare, do të prisnin “këshilltarë” rusë; eventualisht satelitët e zbulimit të SHBA-ve, do të zbulonin depo raketash në proces ndërtimi, nëpër kodrat shqiptare. Amerikanët do të protestonin ashpër ndaj Moskës. Por kjo do të përgjigjej se nuk ka asnjë marrëveshje të ndërsjellë, për kufizime apo shtrëngime të pranuara nga të dyja palët, si për përdorimin luftarak nga dy blloqet, të raketave bërthamore me rreze të mesme, ashtu edhe për rastin e vendosjes së raketave me rreze të shkurtër në Shqipëri, e cila linte të kuptohej, se bëhej si kundërpeshë, ndaj raketave “Cruise”, në Sicili.

Ndryshimi i thellë në situatën strategjike në Ballkan dhe në Mesdhe, nuk do të ndalonte me vendosjen e raketave me rreze të shkurtër, të shënjestruara kryesisht ndaj Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Do të kishte një sërë rrjedhimesh politike. Pas ca kohësh, do të ngrihej çështja e Maqedonisë; incidente dhe trazira do të inkurajoheshin në Republikën e Maqedonisë, pas të cilave, do të vinin manovra ushtarake përgjatë gjithë kufirit të Jugosllavisë, nën komandën e lartë të Paktit të Varshavës.

Asnjë ndihmë konkrete, nuk do të mund të dukej nga vendet e paangazhuara apo nga NATO. Nuk do kishte ndonjë ndryshim, se cila formulë do të adoptohej: një Maqedoni “e pavarur”, apo një federatë Jugosllavo-Bullgare (këtë shpikje e kishte hedhur për konsum në vitin 1947, udhëheqësi i Bullgarisë, Georgi Dimitrov, por Stalini i vuri veton, për arsyet e veta). Do të ndërtoheshin e do të mbaheshin një sërë rrugësh të sigurta komunikacioni e transporti tokësor, midis Bullgarisë dhe Shqipërisë.

Sapo ta kishte vënë për së mbari në përdorim kartën maqedonase, Kremlini do të shtrëngonte pjesën tjetër të darës, Kosovën, për shtrydhur lëshime të mëtejshme nga Jugosllavia. Në këmbim të vetëpërmbajtjes sovjetike, për të mos ndezur kryengritje nga minoriteti shqiptar aty, Beogradi do të pranonte të lëshonte bazat e tij ajrore e detare, për forcat sovjetike. Ky parim reciprociteti “më jep – të jap”, do të mbështetej nga shovinistët serbë, sepse do të ruante minoritetin serb në Kosovë, nga shpërngulja nga tokat e tij aty. Për Jugosllavinë dhe kjo do të shënonte fundin e pa angazhimit të saj. Kështu, i gjithë Ballkani, do të bëhej pjesë e Perandorisë Lindore të udhëhequr nga Moska. Greqia, mbase edhe Turqia, do ta gjenin të arsyeshme, ndoshta për t’u tërhequr nga NATO, e të deklaronin asnjanësinë.

Sapo të qe konsumuar përdhunimi i Shqipërisë, në Itali do të kishte, ndoshta, një lëvizje politike për qëndresë dhe përgatitje. Disa parti politike, të cilat nuk ndjeheshin mirë me praninë e raketave “Cruise” në Sicili, do të insistonin që ato të përdoreshin, por sidoqoftë me kusht, që disa apo të gjitha, të shënjestroheshin kundër depove sovjetike në Shqipëri. Grupe të tjera, në të kundërt, do të kërkonin që të hapeshin menjëherë negociatat me sovjetikët, lidhur me tërheqjen e njëkohshme të raketave bërthamore nga Shqipëria dhe nga Sicilia. Do të dëgjoheshin edhe më shpesh sugjerime dhe zëra – midis tyre zëri entuziast i zotit Mintoff (Dom Mintoff, politikan, gazetar dhe arkitekt, kryeministër i Maltës, disa herë), në favor të kthimit të Mesdheut, në një zonë të lirë nga armatimet bërthamore.

 

Heshtja e thellë që u mbajt në Izrael dhe në Libi ndaj kësaj ideje, do t’i vriste ndërkohë këto sugjerime. Kriza jugosllave që do të vinte pas grushtit të shtetit në Shqipëri, do të preokuponte dukshëm, vetëm qarqet përgjegjëse në Itali. A nuk është Jugosllavia, një krijesë pak a shumë artificiale? Por, sapo ajo të binte nën ndikimin sovjetik, do të ndodhte një ndryshim i shpejtë, si në qarqet politike, ashtu edhe në pjesën e mirinformuar të opinionit publik. Rrjedhimet do të ishin serioze.

Cili imazh i Europës, do të ishte në fakt i pranishëm në sytë e vëzhguesve të ndjeshëm në gadishullin Apenin? Për më shumë se një të tretat e shekullit, siguria e Italisë, është ruajtur nga Aleanca e Atlantikut. Por, asnjë vendim i menjëhershëm, asnjë lëvizje kurajoze, nuk do të bëhej, sidoqoftë, nga NATO apo nga Komuniteti Ekonomik Europian, ndaj krizës shqiptaro-jugosllave. I gjithë krahu lindor i Italisë, nga Trieste deri në Sirakuzë, do të mbetej i ekspozuar dhe i pambrojtur.

Në qoftë se llogaritej edhe pseudo-neutraliteti i Greqisë, si dhe pakti i asistencës reciproke, midis Libisë dhe BRSS-së, krahas pranisë së forcave sovjetike në brigjet lindore të Mesdheut, atëherë harku i shteteve potencialisht armiqësore, që rrethonin Italinë, do të peshonte rëndë dhe ashpërsisht, në të ardhmen e saj. A do të ishte e mundshme që Flota e Gjashtë e SHBA-ve, të vijonte të mbetej e bazuar në Gaeta dhe Maddalena, apo do të kërkonte ujëra më të qeta më në Perëndim?

Dhe, a do të mbeteshin të sigurta rrugët e komunikimit detar me Kanalin e Suezit, sapo Egjipti të fillonte ta ndjente veten të shkëputur, nga qendra e fuqisë Perëndimore? Shefat e Partisë Komuniste të Italisë, do të zëvendësoheshin nga njerëz të afërt të Moskës. Do të rriteshin prirjet asnjanëse në Partinë Socialiste dhe në krahun e majtë të Partisë Katolike. Nuk do të mungonin t’u faleshin intelektualëve radikalë. Për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet akoma, kokat e ftohta do të fillonin të hartonin një kurs të ri, për t’u larguar nga Aleanca dhe nga Komuniteti Ekonomik Europian drejt vendeve të paangazhuara të botës.

Historia nuk është një teoremë matematike, megjithëse ajo shpesh i ngjan një të tille. Në vend të përfundimit, do të kisha përzgjedhur disa citime, nga tre njerëz të mëdhenj: I pari nga Paul-Henri Spaak (politikan i shquar belg, sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, nga viti 1957 deri në 1967), i cili thotë: “Kush dëshiron të përfitojë disa gjëra, duhet të pranojë edhe konsekuencat e tyre: në qoftë se ai nuk i pëlqen ato, duhet të kundërshtojë burimet, nga lindin konsekuencat”.

I dyti ka lidhje me atë çfarë Çu En-Lai i mençur, u tha disa vizitorëve të ardhur nga NATO (ku përfshihej edhe ministri i Jashtëm italian, Giacomo Medici), në fillim të viteve ’70-të: “Sovjetikët nuk do t’ju sulmojnë në fushat e Gjermanisë. Ata fillimisht do t’ju hipnotizojnë mendjen dhe shpirtin me këtë kërcënim. Pastaj do të zbatojnë një strategji të rrethimeve të gjera dhe njëpasnjëshme të Europës. Rrethimi i parë që kalon përmes Angolës dhe Mozambikut, do t’ju kërcënojë rrugët e furnizimeve me hemisferën Lindore.

Një unazë e dytë, do të krijohet për të para mbyllur Perëndimin nga pllajat e larta të Etiopisë, Adenit dhe Afganistanit e, ndoshta, Iranit dhe Gjirit Persik. Influenca juaj në Indi, do të pakësohet aq shumë, sa do të bëhet thuajse zero; Pakistani do ta gjejë veten në një situatë të vështirë. Ndërsa do ta kenë përfunduar të gjithë këtë, udhëheqësit sovjetikë, do të fillojnë të ndërtojnë një unazë të tretë rrethimi. Këtë herë, ata do të synojnë të futin nën kontrollin e tyre gadishullin Ballkanik dhe Mesdheun Lindor. Në qoftë se ndodh kjo, atëherë Perëndimi mbaron në këtë pikë.

Përpara sesa të ndodhë kjo, ju do të dëshmoni një përmirësim të marrëdhënieve sovjeto-kineze: marrëdhënie të ngadalta, të matura, por që nuk mund të ndalohen. Ju duhet t’i thërrisni kujtesës, për të mos harruar se ne kurrë nuk e deshëm Stalinin, por as që e kundërshtuam, paktin e tij me Hitlerin. Mbijetesa e popullit të tij, është përgjegjësia e parë e një udhëheqësi. Ca më vonë, lufta dhe përpjekjet mund të rifillojnë në kushte më të mira”. Citimi i tretë është nga Dante: “Poca favilla gran fiamma seconda”, (Një shkëndijë e vogël, mund të shkaktojë një zjarr të madh). Mund të jetë një përfundim i përshtatshëm, për të medituar për të ardhmen e Shqipërisë. Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë