44 deputetë të opozitës ridërgojnë në Kushtetuese mandatin e Xhaçkës, u bashkohen PL dhe dy ‘tradhtare’ të Bashës (EMRAT)

Mandati i deputetes socialiste Olta Xhaçka, edhe pse ka një vendim kundër të Parlamentit, është ridërguar në Gjykatën Kushtetuese nga 44 deputetë të opozitës.

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, pasi depozitoi kërkesën deklaroi për mediat se çështja duhet marrë në shqyrtim nga Kushtetuesja me urgjencë, pasi sipas tij bëhet fjalë për dinjitetin e tyre.

‘Bashkë me kolegët e grupit parlamentar jemi paraqitur në GJK për të depozituar kërkesën e 44 deputetëve të opozitë skundër vendimit politik të Ramës për ti dhënë mbrojtje politike Olta Xhaçkës. Për herë të parë Kuvendi ka shpallur veten sovran. Kjo është një çështje që nuk ka të bëjë më me 1/10 e për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë. Ka të bëjë me autoritetin e GJK-së. Është në nder të GJ-së që duhet të mblidhet me urgjencë për të rivendosur në vend dinjitetin e përdhosur nga GJK. Nuk ka ndodhur kurrë, pavarësisht kundërshtimeve që të hidhen në kosh me votë politike vendimet e GJK-së.

Së dyti ndodh për herë të parë që ndërsa SPAK po heton grabitjen e 11 m2 tokë nga familjarë të ish-ministres Olt Xhaçka, Kuvendi i përcjell një mesazh që refuzon të zbatojë vendimet e  drejtësisë. Shkelje flagrante e Kushtetuese dhe e vetmja mënyrë për ta rivendosur në vend këtë të drejtë është ankimi në GJK. Në këtë kërkesë janë bërë bashkë gjithë deputetët e opozitës. Gjithë deputetët e opozitës që e kanë pasur seriozisht mocionin e paraqitur për të konstatuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës.’- tha Bardhi.

Kërkesa është firmosur edhe nga deputetët të rreshtuar krah Lulzim Bashës, si Oriela Nebiaj si dhe nga Eralda Tase. Kjo e fundit në një reagim në rrjetet sociale thotë se vota e saj kundër Xhaçkës nuk do të thotë se është pozicionuar me Rithemelimin. Firmës e kanë hedhur edhe deputetët e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili.

Më herët kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e quajti nonsens këtë veprim të deputetëve pasi sipas tij kjo çështje u shqyrtua një herë në Gjykatën Kushtetuese. Basha e ka cilësuar një lojë, ndërkohë që kushtetuesja ka qenë e qartë. Për kryedemokratin Presidenti duhet të kishte shpërndarë parlamentin. Këto deklarata Bardhi i konsideroi absurde dhe të lidhura me faktin se një bashkëpunëtore e Bashës ka miqësi me Xhaçkën.

Por çfarë kërkon Grupi Parlamentar i PD-së në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin për mandatin e deputetes Olta Xhacka.

Në Gjykatën Kushtetuese është kundërshtuar vendimi nr. 41/2024, datë 11.04.2024 i Kuvendit të Shqipërisë “Për mosdërgimin e Mocionit në Gjykatën Kushtetuese” dhe deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të këtij vendimi.

Gjithashtu, kërkohet zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve, duke përcaktuar mënyrën kushtetuese konkrete sesi zgjidhet ky konflikt dhe sesi ushtrohet e drejta kushtetuese e pakicës parlamentare (një të dhjetës së deputetëve) për të mos u penguar mocioni i tyre nga Kuvendi në kushtet e mosverifikimit të pengesave formale, në kushtet ku mazhoranca me votim ka vendosur moszbatimin e vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo mund të ripërsëritet në të ardhmen.

Si pasojë e këtij konflikti kushtetuese grupi parlamentar i PD kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të bënte edhe një interpretim përfundimtar të neneve 70, pika 1 dhe 4; 73, pika 1; dhe 132, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke individualizuar edhe përgjegjësinë e deputetëve në rastet kur pengohet zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Me 72 vota kundër të mazhorancës dhe 39 vota pro të opozitës, Kuvendi vendosi kundër dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Vetë Xhaçka mohoi çdo akuzë, për përfitime të paligjshme apo konflikt interesi, ndërsa theksoi se bashkëshorti i saj ka vetëm status të investitorit të asistuar dhe jo atë të investitorit strategjik të veçantë.

Deputetet që firmosen
Gazment Bardhi
Lefter Gështenja
Ferdinand Xhaferraj
Ilda Dhori
Zheni Gjergji
Lindita Metalia
Emilja Koliqi
Agron Gjekmarkaj
Isuf Çela
Edi Paloka
Bledion Nallbati
Flamur Noka
Albana Vokshi
Tritan Shehu
Xhelal Mziu
Luan Baçi
Ludovik Hasani
Bujar Leska
Qani Xhafa
Greta Bardeli
Elda Hoti
Ramadan Lika
Saimir Korreshi
Oerd Bylykbashi
Asllan Dogjani
Ervin Salianji
Ina Zhupa
Edmond Spaho
Kastriot Piroli
Jorida Tabaku
Petrit Doda
Dhurata Çupi
Orieta Nebija
Flamur Hoxha
Eralda Bano
Petrit Vasili
Erisa Xhixho
Monika Kryemadhi
Helidon Bushati
Agron Shehaj
Kasem Mahmutaj
Vangjel Dule
Sorina Koti

 

Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:44
Zbardhet kërkesa e opozitës dërguar ‘Kushtetueses’ për mandatin e Xhaçkës: Të përcaktohet mënyra kushtetuese si zgjidhet ky konflikt

1709652081_gjykatakushtetuese.jpg

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar sot kërkesën në Gjykatën Kushtetuese kërkesën lidhur me vendimin për mandatin e deputetes Olta Xhacka.

Në Gjykatën Kushtetuese është kundërshtuar vendimi nr. 41/2024, datë 11.04.2024 i Kuvendit të Shqipërisë “Për mosdërgimin e Mocionit në Gjykatën Kushtetuese” dhe deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të këtij vendimi. Gjithashtu, kërkohet zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve, duke përcaktuar mënyrën kushtetuese konkrete sesi zgjidhet ky konflikt dhe sesi ushtrohet e drejta kushtetuese e pakicës parlamentare (një të dhjetës së deputetëve) për të mos u penguar mocioni i tyre nga Kuvendi në kushtet e mosverifikimit të pengesave formale, në kushtet ku mazhoranca me votim ka vendosur moszbatimin e vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo mund të ripërsëritet në të ardhmen.

Si pasojë e këtij konflikti kushtetuese grupi parlamentar i PD kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të bënte edhe një interpretim përfundimtar të neneve 70, pika 1 dhe 4; 73, pika 1; dhe 132, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke individualizuar edhe përgjegjësinë e deputetëve në rastet kur pengohet zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Në kërkesën e zbardhur, 44 deputetë të opozitës, konstatojnë se vendimi i Kuvendit për të penguar dërgimin e papajtueshmërisë me mandatin të deputetes Olta Xhacka, është antikushtetuese, sepse:

(i). Bie ndesh me parimin e ndarjes dhe balancës mes pushteteve, si dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur mosmarrëveshjet kushtetuese/bërë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, duke cenuar nenet 4, 7, 124, 131/1/e dhe 132 të Kushtetutës.

(ii). Bie ndesh me të drejtën e 1/10 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për të inicuar një proces kushtetues të kontrollit të papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti të vetë Kuvendit të Shqipërisë, duke cenuar nenin 70, pika 4 e Kushtetutës dhe duke krijuar konflikt kompetencash midis shumicës dhe pakicës parlamentare.

(iii). Bie ndesh me nenin 70, pika 1 të Kushtetutës, sepse ka shtrirë efektet e parimit të “mandatit jodetyrues të deputetit” edhe për të bërë të paaplikueshëm detyrimin për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke cenuar nenin 132 të Kushtetutës dhe duke u fshehur pas parimit të parashikuar në nenin 73, pika 1 e Kushtetutës.

Grupi Parlamentar i PD ka kërkuar edhe shqyrtimin me përparësi të kësaj çështje, për shkak se paraqet një interes të lartë publik, për garantimin e parimeve të shtetit të së drejtës, si dhe për të ruajtur autoritetin e Gjykatës Kushtetutese, dhe besimin e publikut tek kjo gjykatë.

44 deputetët e opozitës theksojnë se ky rast merr përmasat e një mbrojtje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK. Nga ky hetim rezulton e provuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur që një tokë bujqësore, me një sipërfaqe në total prej 10.592 m2, e ndodhur në Dhërmi/Vlorë, në pronësi shtet, të tjetërsohet përmes transaksioneve tek të tretët në favor të subjektit privat në pronësi të bashkëshortit të deputetes Olta Xhacka.

Duke e konsideruar të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhacka, duke penguar zbatimin e vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetutese, deputetët nënshkrues e konsiderojnë këtë një veprim që përbën minim të demokracisë dhe rrënon besimin e qytetarëve tek Gjykata Kushtetuese dhe sistemi i drejtësisë.

Ora 12:57
Bardhi akuza Bashës: Bashkëpunëtorja jote miqësi me Olta Xhaçkën, të kërkoi që të pengosh mocionin

Gazment Bardhi i është përgjigjur akuzave të Lulzim Bashës se dërgimi i çështjes së Xhaçkës sërish në Gjykatën Kushtetuese i shërben Ramës. Nga dera e Kushtetueses ku dorëzoi padinë e firmosur nga 44 deputetët e opozitës, Bardhi hodhi akuza ndaj Bashës se një bashkëpunëtore e tij që ka miqësi me Xhaçkën ka ndërhyrë dhe i ka kërkuar që të pengojë mocionin kundër Xhaçkës në qershor 2022. 

“Çdo deputet i opozitës ka patur detyrë ta ndjekë këtë çështje deri në fund. Ju keni ndonjë dyshim që Nebiaj, Tase apo me radhë nuk janë deputetë opozitarë? Janë deputetë opozitarë, do bëjnë gjithmonë opozitë. Basha, individ që i ka hyrë në qef të flasë me vete. Kam parë që i shkon ky model. Basha s’ka firmosur as herën e parë, arsyet i di mirë. S’ka pranuar të firmosë edhe mocionin që në nisje të kësaj procedure. Arsyet shkoni pyesni Bashën se kush janë bashkëpunëtorët e tij që kanë miqësi me Xhaçkën dhe që i kanë ndërhyrë Bashës për të penguar mocionin kundër Olta Xhaçkës.

Janë 44 deputetë që kanë firmosur, lajmi nuk është a ka firmosur Ori Nebiaj apo jo? Po ka firmosur. Çdo deputet që e ndjen veten në opozitë, do të bëjë opozitë dhe do t’i shkojë gjërave deri në fund ka firmosur. Çdo kush tjetër që që në nisje ka dashur të marrë në mbrojtje Xhaçkën, ai s’ka firmosur dhe as ka lejuar ata që ka në influencë. Ka firmosur edhe Kryemadhi.

Nuk i përgjigjem askujt që flet me vete, i shkon ky pozicion. E vetmja rrugë për të zgjidhur krizat kushtetuese është kjo derë. Kush do të varrosë çështjet dhe ti bashkohet aksionit të Ramës për t’i dhënë mbrojtje politike Xhaçkës, mund të shkojë te byrektorja e Bashës.

Basha ka refuzuar nënshkrimin e mocionit kundër Xhaçkës që në qershor 2022. Arsyet i di ai, do duhet t’i shpjegojë. Është miqësia e një prej bashkëpunëtoreve të tij me Olta Xhaçkën. Politika nuk është Pazar, aq miqësi, është parim kushtetutshmëri”, tha Bardhi.

M.Q./B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kime: 24/04/2024 16:14

    Bravo! Korrupsioni ne burg, majtas djathtas!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës vitin e ardhshëm

Presidenti Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës vitin e ardhshëm