Roland Tasho, qëndron në derën e galerisë FAP aty ku vetëm për pak ditë ekspozohen fotografitë e tij. Pret vizitorët dhe mediat, i gatshëm për të shpjeguar gjithcka, ndonëse fotografitë duket se ia kanë marrë fjalët.

Brenda objektivit kanë mbetur të fiksuara kohët dhe rrethanat, momentet e parapërgatitore për një seancë shkrepjesh, udhëtimet e gjata në projektin e tij për të gjurmuar shqiptarë në njohur nëpër botë. 120 personazhet e tij, këtë herë janë vecuar për nga gjinia dhe kanë nga një pasqyrë të së shkuarës, duke u kujtuar jo vetëm atyre, por edhe njerëzve se koha kalon, ëndrrat ndryshojnë, por edhe plotësohen, tiparet formësohen që nga dita e parë e shkollës deri në diplomimit, apo jeta ndryshon dhe nuk ngurron ta lërë pas skenën apo karrierën e një jete.

Dhe meqë makina e kohës ende është një ëndërr joshëse për shkencëtarët, fotografia mund të na cojë pas, duke na dhënë pasqyrën që pa magjinë e objektivit do të konsiderohej e humbur. Kështu rikthehet koha për arstiste, aktore, këngëtare, shkrimtare, fëmijë artistësh, doktore shkencash, ekonomiste e shumë gra të cilat fotoreporteri i gjurmoi dhe i fotografoi. “Gjatë punës si fotoreporter në vitet 1982-1990 kam fotografuar vajza e gra të njohura në fusha të ndryshme, mjekësi, arsim, shkencë,art dhe në fusha të tjera si dhe shumë studente të mira në universitete.

Ato përveçse të dalluara ishin dhe pjesa më e bukur e Tiranës së asaj kohe. Mbas ndryshimeve politike që ndodhën në vendin tonë, të viteve 1991 shumë nga këto vajza u larguan në vende të ndryshme të botës. Duke u marrë prej vitesh me emigracionin shqiptar në botë, ritakoj këto vajza të cilat me punë e përkushtim të madh janë të njëjtat në profesione pune si kanë qenë dhe në Shqipëri. Njëkohësisht kanë krijuar familjet e tyre. Janë të sistemuara në punë në vendet ku jetojnë, por “kokën e kanë prapa” në vendin e tyre për të cilin duan të kontribuojnë e të ndihmojnë me eksperiencat e tyre. E kam ndjerë këtë në takimet që kam patur dhe shumë shpesh presin një telefonatë, një ftesë….”

Kështu shprehet Roland Tasho të cilin kur e pyesim për ato udhëtime që kanë shoqëruar këto fotografi tregon: “Janë takime interesante se i kam fotografuar para viteve 90 dhe tani mbas viteve 2010. I kam fotografuar ditën e parë të shkollës me lule në dorë dhe tani me diplomë në dorë, të marrë në universitete prestigjoze në botë me rezultate të shkëlqyera.”. Dhe ai përmend mes takimeve interesante atë me Brikena Çabej në Paris… “Në vitet e rinisë Brikena ishte modeli i femrës perëndimore, intelektuale me sharmin e saj dhe mënyrën e prezencës së saj…..Kur ia them këto ajo qesh…dhe i duket paksa e habitshme që ne djemtë e bordurave flisnim për të….”

Pasi tregon këtë vështrimi përqendrohet më shumë tek foto e dikurshme e Brikenës dhe ora e kthyer mbrapsht në kycin e dorës së majtë, është një detaj që të rinjtë e atyre kohëve e pikasin menjëherë. Dhe Roland Tasho e pohon atë pozicion të orës si një modernizëm të asaj kohe.

Femrat e suksesshme jashtë artit

Anisa Markajan e cila kishte ardhur në një ekspozitë të fotoreporterit në Paris, Huejda El Sajed, mbesa e Tefta Tashko Kocos në të njëjtën pozë si gjyshja e saj, Merita Halili,e shumë emra artistësh të njohur ndajnë suksesin me mjaft emra që pak njihen nga publiku për vetë faktin se nuk ushtrojnë një profesion të lidhur me artin. Këtu ësthë meraku i fotoreporterit që sqaron:”Unë e kam ndërtuar ekspozitën tek vajzat e suksesit dhe jo thjesht të artit”. Emra si Blerta Maliqi, Viola Trebicka etj janë për të shembulli i një karriere të sukseshme në disa profesione të rëndësishme.

Justina Aliaj dhe foto e papublikuar

Në foton e fiksuar para viteve 90, këngëtarja Justina Aliaj duket në ecje, pranë lulishtes se Skënderbeut me sfond Ministrinë e Energjitikës. Me një fustan të shtrënguar në mes nga një rrip i gjerë, duket kaq pranë modës së sotme, ndërsa në anë të fotos tre djem të ulur dhe një copëz bordure. Bordurë nga ajo e famshmja ku djemtë shikonin vajzat e hidhnin ndonjë fjalë a kompliment. “Justina as që nuk e di ekzistencën e kësaj fotografie. E kam fiksuar rastësisht…Ajo ishte e persekutuar atëherë dhe nuk mund të botohej në revistën “Ylli”- thotë Tasho. Del fotoja për herë të parë. Ashtu si edhe fotot e mbesave binjake të Liri Belishovës, të cilat gjitashtu ishin me “cene” në biografi.

Vace Zela dhe flamuri

Vace Zela nga skena ku duket mjaft e re dhe plot energji gjate interpretimit të një kënge del në një foto me ngjyra me bashkëshortin, në shtëpinë e tyre në Zvicër. Fotoja i përket vitit 2007. “Ajo që më bëri përshtypje ishte flamuri. Këngëtarja mbante në shtëpinë e saj flamurin. ” shpjegon Tasho vendin ku është shkrepur foto.


Inva, ylli që dihej

“Me sa më kujtohet Inva sapo kishte mbaruar fakultetin dhe sapo ishte emeruar në teatrin e operas. Bëhet fjalë për vitet 88- 89 dhe unë për revistën “Ylli” fotografoja sukseset e vajzave në atë periudhë. Për kohën fotoja është pak si shumë tolerante por gjithsesi në ambjentin pranë punës. Ka lirshmëri” komenton Tasho fotografinë e sopranos të sapodiplomuar. Në krah të vajzës në bardhë e zi me sfondin dhe veshjet e kohës, rri një Inva e sofistikuar në cdo detaj dhe tashmë sfondi nuk janë nëntëkatëshet, por opera e Parisit.Foto është shkrepuar në kuadër të ciklit të shqiptarëve në Francë dhe Tasho tregon se “punuam gati dy orë dhe bëmë disa shkrepje dhe u zgjodh njëra. Këtu del lëvizja thjeshtësia, background i vendit ku ajo punon”.


INTERVISTA/KUR ME BUSTIN E HOXHES BINTE FRIKA

Kontakti juaj i parë me aparatin ju kujtohet? Shkrepja e parë dhe kur vendosët t’I kushtoheshit fotografisë?
Kam filluar te merrem me profesionin e fotografisë që në 1982 krejt rastësisht. Me kohë u dashurova me profesionin dhe kjo dashuri vazhdon dhe sot. Më kujtohet që kisha shumë dëshirë ta vendosja filmin në aparat. Ky është një proces i zakonshëm ,por mua me pëlqente shumë. Më dukej sikur komunikoja me filmin i cili përgatitej për të fiksuar ngjarjen e radhës. Njëkohësisht më pëlqente edhe zhurma e shkrepjes së aparatit pasi veshi të mësohet me këtë lloj melodie.

Cili është parimi kryesor i një fotografi profesionist? Po i juaji?
Për parimin e një fotografi profesionist duhet një shpjegim i gjatë. Për mendimin tim një fotograf profesionist duhet të niset nga ideja, mendimi. Një foto të bukur e bën dhe një amator, ndërsa një foto të menduar që përcjell ide i takon një profesionisti.

I përksini brezit që kemi parë ndërrimin e sistemeve dhe padyshim disa ngjarje të mëdha të kohës kanë hyrë në objektivin e aparatit tuaj? Cilat janë momentet më historike që keni arritur të fiksoni?
Padyshim një nga momentet më të bukura dhe profesionale është periudha e ndërrimit të sistemit, ngjarjet e viteve ‘90 që unë pata fatin të isha me aparat në dorë. Momenti i rrëzimit të Hoxhës ishte një moment i cili do të më mbetet gjatë në kujtesë. Deri atëherë njerëzit kishin pak a shumë frikë të fotografoheshin. Ndërsa në momentin kur ra busti më kujtohet që të gjithë mu afruan që t’i fiksoja në fotografi me dy gishtat lart. Pra ra frika dhe njerëzit u liruan... Më kujtohet një djalë i ri që nxori një flamur pa yll dhe ishte hera e parë që pashë një gjë të tillë.

Fotografia më e vështirë për tu realizuar për ju cila është?
Po ta duash profesionin vështirësitë zvogëlohen megjithatë fotot që kanë dhimbje brenda janë më të vështirat. Sidomos me kalimin e viteve dhe kur bëhesh vetë prind të bëjnë përshtypje lypësit e vegjël nëpër rrugë.

Kanë “teka” njerëzit kur fotografohen? Cila është teka që hasni më së shumti?
Nëse arrin të bësh një punë përgatitore edhe me personazhin më të vështirë mund të bësh fotografi lirshëm. Pra puna përgatitore është shumë e rëndësishme në procesin e fotografimit. P.sh një personazh që ishte i vështirë për tu fotografuar ishte dhe përkthyesi Robert Shvarc. Megjithatë unë kam një libër me fotografitë e tij. Pra e rëndësishme që ti shpjegosh personazhit përse duhet dhe cfarë qëllimi ke ti për të bërë fotografi.


Shkrimi u publikua në Suplementin Fundjava, në gazetën Shqiptarja.com(print), 15 Mars 2013
(v.gj/shqiptarja.com)