Pas reagimit të një dite më parë ku tha se po priste që KFOR të dilte në konkluzione në lidhje me arrestimin e 3 efektivëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot e thekson se ata duhet të kthehen menjëherë në shtëpi. Kreu i qeverisë shqiptare bën me dije se që prej ditë se djeshme janë 100 të fokusuar tek lirimi i tyre.

Për Ramën, s’ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri. Prioritet nënvizon kryeministri Edi Rama mbetet de-eskalimi dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike, sipas kryeministrit duhet të përmbushen një orë e më parë.

‘1.Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.

2. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!

3. Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre

4. Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri! 

5. De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë!’- shkruan Rama.

Tre efektivë të Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe në veri. Kosova ka bërë thirrje për t’i liruar menjëherë, por sipas Serbisë ata janë arrestuar pasi janë gjetur duke patrulluar 1.8 km larg kufirit me veriun.  Pas mbledhjes së këshillit të Sigurisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbajti një konferencë në lidhje me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Kurti e quan rastin agresion ndaj Kosovës dhe hakmarrje ndaj policisë, e cila po lufton krimin në veri.