Aksi Qukës-Qafë Plloçë vijon të jetë i bllokuar prej disa ditësh për shkak të shembjes së dherave dhe inerteve.

Firma kontraktore ka kërkuar dy javë kohë për rikthimin në funksion të këtij aksi të inauguruar në shtator të vitit të kaluar. Megjithatë kjo duket e vështirë për shkak të rrëshqitjeve të vazhdueshme të dheut.

Edhe në Bashkinë e Pogradecit janë raportuar rrëshqitje dherash në segmente të ndryshme të rrugëve nacionale e rurale.

Në Bashkinë Selenicë, qarkullimi kryhet me kufizime në disa akse rurale për shkak të rrëshqitjes së dheut.

Rruga e Qafës së Çajupit në Gjirokastër, mbetet e bllokuar, ndërsa po punohet për përforcimin e argjinaturës së lumit Drino.

Rruga e Arbrit vijon e hapur pavarësisht ngricave të shumta, ndërkohë që edhe fshatrat që lidhen me Iballën në Pukë janë izoluar për shkak të dëborës.

Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave thotë se ngricat do të jenë edhe nesër prezente veçanërisht në zonat malore, ndërsa temperaturat do të zbresin deri në -10 gradë.