Rrethimi i pestë i Krujës

Rrethimi i pestë i Krujës

Policia rrethon selinë e PD-së, pas dhunës së ushtruar nga protestuesit në 8 janar

Sulltanëve Osmanë ju desh ta rrethonin tri herë Krujën, për ta marrë pastaj në rrethimin e katërt. Ajo që ndodhi para pak ditësh me rrethimin e SHQUP-it, mund të quhet e të hyjë pa frikë në historinë e arbërve, si Rrethimi i Pestë i Krujës.

Le të shohim pse nuk ju vajti mbarë sulmonjësve ky rrethim.

Më i madhi gabim strategjik i rrethuesve kësaj rradhe, ishte që, pasi të vendosnin rrethimin, lejuan që jashtë rrethimit të mbeteshin forca që, në momentin vendimtar mund të ndërhynin në favor të të rrethuarve.

Sulltan Murati II e provoi fort mbi lëkurën e vet se ç’do të thoshte kjo gjë. Duke sjellë një ushtri gjigande përreth Krujës, ai lejoi që jashtë saj të mbetej masa kryesore e trupave të Skënderbeut, të cilat sa herë që Osmanët nisnin sulme kundër mureve të qytetit, t’i godisnin në shpinë.

Por gabimet e rrethuesve kishin nisur që më parë. Ndër parimet bazë strategjike të përdorura qoftë në rrethime e qoftë ndër betejat fushore, është: “Kurrë mos lufto me një lumë në shpinë”.

Këtë parim shtabi i luftës e injoroi, duke i pozicionuar masivisht trupat e veta midis kështjellës së Shqupit dhe Lanës. Kjo bëri që, kur ju desh të tërhiqeshin nën sulmin e policisë, të detyroheshin të shpërndaheshin pa rregull ose të dorëzoheshin për të mos u mbytur në ujërat aspak të pastra të Lanës.

Por që në krye, përgatitja e fushatës kishte shfaqur problemet e veta. Plaçka që synohej të fitohej gjatë rrethimit të Krujës ishte shumë e vogël, krahinat përreth ishin djegur e plaçkitur me kohë dhe këto bënin që ushtarët turq të sulmonin muret e Krujës pa entusiazëm, pasi ishin të ndërgjegjshëm që brenda saj pak gjë kishte për të plaçkitur.

Edhe në rastin e Shqupit, entuzizmi i sulmuesve bazohej kryesisht mbi poste hipotetike (policë, doganierë, inspektorë, etj) të disponueshme në pritje të një fitoreje të ardhme, ndërsa plaçka e menjëhershme nuk dukej asfare premtuese: ca karrige, ndonjë kompjuter, llambadarë, etj.

Rrethuesi duhet gjithmonë të sigurojë në mos miqësinë, të paktën neutralitetin e popullsisë përreth kështjellës së rrethuar. Në rastin e Krujës, popullsia e krahinave përreth ishte masakruar keqazi, ndërsa ajo e mbetur ishte e etur për hakmarrje. Kjo bënte që sulltan Murati të gjendej vazhdimisht midis një mjedisi që mezi priste t’i binte në shpinë, e jo ta ndihmonte.

Edhe në rastin e Shqupit, popullsia përreth ishte përgjithësisht e irrituar, bllokimi i rrugëve, zhurma dhe kaosi i krijuar, perspektiva e zymtë në rastin e fitores së sulmuesve, etj. Duke mos patur mbështetjen e popullsisë vendase, rrethuesve ju munguan edhe informacionet nga terreni që, në çastin e sulmit të Policisë do të kishin qenë shumë në nevojshme.

Edhe përsa i përket armatimit dhe pajimeve, nuk u mbajt parasysh mësimi që nxorri sulltan Murati II në rrethimin e parë dhe sulltan Mehmeti II në rrethimin e dytë të Krujës, ku garnizoni i rrethuar ishte i pajisur me armët më moderne të kohës, pasi ishte i përbërë kryesisht nga ushtarë profesionistë napolitanë dhe venecianë me armatimet moderne në dispozicion.

Nga pikëpamja llogjistike rrethimi i Shqupit ishte i përgatitur mirë, pasi trupat e sulmit ishin të pajisura me armë dhe mjete rrethimi konvencionale (shkallë, qysqi, varè, shtiza, gurë, litarë, trarë, hunj, drunj, çakmakë, etj). Por nga ana tjetër edhe të rrethuarit ishin të pajisur me mjete moderne, madje nga ato që ju mungonin rrethuesve, si fikëse zjarri, gaz lotsjellës, sprai djegës. E vetmja gjë që ju mungonte ishte të kishin edhe një sasi zifti të valuar.

Mësimi tjetër shumë i rëndësishëm strategjik, që nuk u mbajt parasysh nga rrethuesit, ishte: “Kështjellat nuk merren me sulm, por me rrethim”. Historia e luftrave na mëson se vetëm 20% e kështjellave janë marrë me sulme frontale, pjesa tjetër, mbi 80%, janë pushtuar me rrethime të gjata, duke pritur me durim kur të rrethuarve t’u sosen të ngrënat, ose të bëjnë duva për marrëveshje.

Por sulltan Murati në kushtet e Arbërisë, gjendej në situatën që kishte shumë pak kohë, një ose dy muaj të beharit për të rrethuar Krujën, se pas kësaj kostot njerëzore dhe financiare, fillimi i sezonit të shirave, etj, e bënin të pamunduar vazhdimin e rrethimit. Në këto kushte ai detyrohej që pasi të vendoste rrethimin, të fillonte sulmet e pasosura ndaj mureve të thepisura, sulme që nuk i bënin fajde dhe e bënë të plaste nga marazi.

Edhe rrethuesit e Shqupit e injoruan këtë mësim. Duke dashur të mbaronin punë sa më shpejt, ata u mjaftuan të lëshonin sulme të dëshpëruara kundër mureve, pa patur asnjë mundësi të mposhtnin lartësinë e tyre, madje edhe të zmbrapsesim në një apo dy raste, kur elementë të avancuar ja dilnin të kapnin pika të veçanta të avancuara mbi mure.

Do të ishte dashur që sulmuesit të instalonin një kamp rrethimi sipas gjithë rregullave ushtarake, me çadra fushimi, roje e shpalosje, duke mbajtur parasysh që edhe eksperienca për këtë zanat nuk ju mungonte, nga ngritja e çadrave në Bulevard gjatë rrethimeve të mëparshme të Kryeministrisë.

Skënderbeu dikur, për të shkurajuar sulmuesit, kishte përdorur edhe taktikën e “fallco ngopjes”, sipas të cilës, në kulmin e urisë që po mbërthente të rrethuarit, rrokullisi që lart mureve poshtë një mushkë të ushqyer plot me grurin e fundit të mbetur në kështjellë. Barku i plasur i mushkës prej nga derdhej gruri i sapongrënë, shërbeu për të dekurajuar turqit, të cilët menduan se Kruja i kishte ende hambarët plot ushqime, qëkur e harxhonte grurin edhe për mushkat.

Këtë taktikë e përdorën me sukses edhe të rrethuarit e Shqupit, duke filluar të flakin jashtë bedenave mallra me vlerë, si tavolina e karrige, apo duke shprazur gaz lotonjës paprerë në hava, sikur të kishin aty brënda fabrikën e gazit.

Të vijmë tani në pikën kyçe të rrethimit. Më së fundmi rrethuesit ja dolën të çajnë barierat mbrojtëse të katit të parë, por aty u gjendën përpara pamundësisë për të depërtuar në katin e dytë dhe vijuan të humbasin kohë duke ardhur vërdallë nëpër korridore dhe duke u dhënë pas plaçkës së momentit.

Një njësi e veçantë e tyre (në rolin e jeniçerëve të qëmotit) pasi shkatërroi portën anësore të blinduar të kalasë nga ana e Xhamisë, u sul brenda për t’u gjendur pastaj në një sheshpushim të vogël, përmes të cilit me shkallë shkohej në katin e dytë. Por mu në majë të këtyre shkallëve, u gjendën përpara një porte të dytë të blinduar dhe që në kushtet e pjertësisë, ngushticës dhe errësirës do të ishte shumë e vështirë të çahej.

Dhe këtu ishte harruar një nga principet më të thjeshta dhe të njohura të ndërtimit të kështjellave: “Portat e dyfishta me oborr ndërmjetës”. Zor se mund të gjendet kala në botë, që hyrjen e saj nuk e ka të ndërtuar me sistemin “Portë e jashtme – oborr – portë e brendshme”. Ky sistem e bën shumë të vështirë pushtimin e kështjellave në pikën e tyre më delikate, që është porta.

Me ç’duket, të rrethuarit e Shqupit, duke studiuar me laps në dorë librat e moçëm të rrethimeve mesjetare, e zbatuan këtë parim duke ndërtuar një portë të dytë në krye të shkallëve. Këtë portë rrethuesit, që nuk dukej të ishin nga ata që e shkonin kohën e lirë duke kënduar libra, nuk e dinin dhe nuk ishin përpjekur të mbanin një sistem spiunimi efikas që do t’ua kishte sjellë si informacion.

Të gjendur përpara kësaj porte të dytë, sulmuesve ju desh të humbasin shumë kohë dhe forca për të arritur t’ja gjejnë dermanin, por pikërisht në çastet e fundit kur kjo portë po binte dhe të rrethuarve nuk ju mbetej më mbrojtje dhe do të gjendeshin para kapitullimit, ata, të rrethuarit, bënë të fundmen gje që kishin në dorë, i ranë telefonit dhe kërkuan ndihmën e Policisë.

Ashtu sikundër dikur Gjergji, pas shënjave me flakë e tym që i bënin nga kalaja, zbriste nga malet me kalorësinë e tij në shpinë të hordhive turke në kulmin e sulmit të tyre mbi muret e Krujës. Dhe ashtu sikundër suksesi i Skënderit ishte i padyshimtë, edhe suksesi i Policisë ishte i sigurtë. Rrethonjësit u tërhoqën të çoroditur dhe të lodhur me policët në shpinë, pastaj u hallakatën keqazi buzë skarpatave të Lanës të pafuqishmë për të riorganizuar qëndresën.

Kjo ishte e gjitha. Historia është libri mëmë që duhet ta këndojnë të gjithë prijësit, në daç ata që janë e në daç ata që duan të jenë, edhe kur lëftojnë në shekullin e XV, por edhe kur lëftojnë në shekullin XXI sikur me qenë në shekullin XV.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë