S'jemi të pagabueshëm,por fuqia jonë 
qëndron te aftësia për të ndryshua

S'jemi të pagabueshëm,por fuqia jonë <br />qëndron te aftësia për të ndryshua
Unë besoj se 18 qershori sa duket afër aq është edhe larg dhe kemi mjaft sfida të tjera ku do të na duhet për përqendrohemi më shumë.

Përpara se sa të flasim për rezultatin LSI-së në 18 qershor dhe mbi të gjitha duhet të kujdesemi për rezultatin e Shqipërisë në 18 qershor, kjo është më e rëndësishmja.

Sepse rezultati i Shqipërisë në zgjedhjet e 18 qershorit është mjaft jetik për të ardhmen e vendit tonë dhe për realizimin e të gjithë atyre angazhimeve të mrekullueshme që dëgjuam nga të gjithë kolegët.

Sepse rezultati i Shqipërisë në 18 qershor, pra standardi i zgjedhjeve dhe legjitimiteti i tyre është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e Shqipërisë pas 18 qershorit.

Sepse rezultati i zgjedhjeve lidhur me standardin e tyre në 18 qershor është vendimtar për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

Standardi i zgjedhjeve të 18 qershorit është një standard i panegociueshëm për të ardhmen e Shqipërisë në BE-së ndaj duhet të kujdesemi më shumë sot për rezultatin që zgjedhjet e vendit tonë do të marrin më 18 qershor.

Sepse rezultati i 18 qershorit është shumë i rëndësishëm për legjitimitetin e të gjithë institucioneve ligjvënëse dhe qeverisëse në Shqipëri pas 18 qershorit.
Sepse, standardi i këtyre zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për të ecur në zbatimin me sukses dhe besueshmëri të reformës në drejtësi që është mjaft jetike për Shqipërinë e dekadave që vijnë.

Ndaj unë do t’i kërkoja edhe kolegut tonë Luan Rama si përfaqësues tashmë në komisionin e reformës zgjedhore që të përpiqemi ta shfrytëzojmë edhe këtë muaj të shtyrë të këtij komisioni, të bëjmë çdo gjë që të plotësojë maksimumin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-t, dhe çdo propozim konstruktiv dhe transparent të gjithë forcave politike për të përmirësuar klimën, me të cilën shkojmë drejt zgjedhjeve, për të rritur besimin e qytetarëve shqiptarë se vota e tyre do të jetë e lirë, se vota e tyre do të jetë e barabartë, dhe votën e tyre askush nuk mund dhe nuk duhet ta cenojë, ta shantazhojë, ta tjetërsojë apo ta blejë.

Dhe kjo është një betejë shumë e rëndësishme, jo në emër të LSI-së, por në emër të Shqipërisë pas 18 qershorit, sepse kemi çështje mjaft të rëndësishme që lidhen me cilësinë e këtyre zgjedhjeve.

Klevi Pojana citoi Kenedy-n, unë do të citoj Kejdin. Kejdi Mehmetaj në Konventën që ne patën më 3-4 dhjetor, më bëri përshtypje një shprehje fare e thjeshtë që thoshte: “Shqipëria është e vogël kur është e ndarë, por mund të jetë shumë e madhe dhe bujare kur punon me drejtësi dhe me dashamirësi ndaj saj”.

Dhe vazhdimisht ne habitemi se si shpjegohet që mbas 26 vitesh tranzicion, demokraci, reforma, t’i quajmë si të duam, por u bë një kohë shumë e gjatë, ne kemi kaq shumë konflikt, kemi kaq shumë energji që i shterojmë në mënyrë armiqësore ndaj njëri-tjetrit, aq sa edhe përfaqësuesja e politikës së jashtme kishte deklaruar që konflikti politik është një sport mjaft popullor në Shqipëri.

Në fakt, konflikti politik është një sport besoj i urryer në Shqipëri, por është popullor në qarqe mjaft të ngushta, pasi ne shohim që qytetarët shqiptarë janë mjaft tolerant me njëri-tjetrin, ndryshe nga fillimi i viteve 1990, kur shoqëria jonë vinte pas ndarjes me një regjim, i cili kishte lënë pasoja të jashtëzakonshme përsa i takon të drejtave të njeriut. duke i shtypur dhe mohuar ato.

Dhe prapë, ne vazhdojmë dhe flasim dhe sillemi sikur të ishim të fillim të viteve 1990, me një retorikë mjaft armiqësore dhe mjaft përjashtuese.
Me një retorikë që helmon çdo ditë mjedisin publik, që helmon çdo ditë besimin tek institucionet, besimin te njëri-tjetri, dhe në fakt edhe mosbesimin tek zgjedhjet, apo te kontestimi për zgjedhjet. Më shumë se sa çështje e Kodit, është çështje e mosbesimit dhe e mungesës së krijimit të kulturës politike për të pranuar zgjedhjet e lira dhe për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve pavarësisht nëse i fiton apo i humbet ato.

Të gjithë e dinë se LSI është një forcë, e cila ka qenë në gjendje të bëjë beteja të jashtëzakonshme dhe shumë të mëdha që në fillimet e saj në emër të interesave shumë të mëdha edhe kombëtare, edhe publike.

Ashtu sikurse të gjithë e dinë dhe e vlerësojnë se konflikti është i papranueshëm për LSI-në, bashkë edhe me arrogancën, bashkë edhe me frymën e përjashtimit. Sepse ne e kemi kulturën e dialogut, kemi kulturën e bashkëpunimit dhe kemi kulturën e zgjidhjes së problemeve, dhe jo të shtimit të problemeve përmes konflikteve.

LSI nuk është për qëndrime partizane, bardhezi, është për qëndrime dhe zgjidhje racionale të qëndrueshme dhe afatgjata që i shërbejnë vendit.
LSI është kundër retorikave fajësuese, shfajësuese, sepse këto krijojnë vetëm tym dhe mjegull dhe nuk i krijojnë mundësi askujt për të kuptuar thelbin e problemit dhe mbi të gjitha për të gjetur mekanizmin për zgjidhjen e tij në interes të qytetarit dhe të vendit dhe të funksionimit të institucioneve.
LSI ka qenë më e qartë se askush tjetër për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe për domosdoshmërinë e realizimit të saj. Dhe nëse do të ishin dëgjuar qëndrimet dhe vlerësimet publike të LSI-së, reforma do të kishte filluar zbatimin me kohë dhe vendi nuk do të kishte harxhuar aq shumë energji me retorika të padobishme.

LSI theksoi që në fillim se nuk kishte asnjë interes për të mbrojtur sistemin e degraduar të drejtësisë herë nga drejtësia edhe nga politika në këto 20 vjet, por njëkohësisht deklaroi se nuk kishte asnjë interes për të kapur sistemin e ri të drejtësisë.

Të gjithë ata që me keqardhje do t’i quaja sharlatanë apo papagaj që përsërisin, në qoftë se i keni vënë re nëpër ekrane prej një viti e gjysmë, që LSI ka frikë nga reforma, që LSI nuk e do reformën, etj. Thonë të gjithë të njëjtën fjalë, të njëjtin mesazh, ndërkohë që qëndrimi i LSI-së ka qenë një qëndrim mjaft parimor, mjaft publik dhe vendimtar për suksesin e reformës të paktën deri tani. Të gjithë këta po t’u bësh vettingun do të dalin shumë keq dhe asnjë nuk do ta kalojë ventingun. Përveç ndonjërit që ka bindjen e tij mbi bazë të një perceptimi të gabuar.

LSI luftoi me një vullnet të pashoq për konsensusin, sepse themi që reforma bëhet për integrimin evropian të Shqipërisë dhe e kam thënë unë, e ka thënë LSI, e kemi thënë kudo përpara të gjithëve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, se reforma kushtetuese në drejtësi pa konsensus do të thoshte ndërprerje e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe sot Shqipëria nuk do të kishte rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Cilido që thotë se reforma mund të ishte kaluar edhe në mënyrë të njëanshme, unë po ju them përsëri me keqardhje që është vetëm një mashtrues i rëndomtë, që nuk njeh as kriteret e Kopenhagenit, ku dialogu politik është një kusht dhe standard i panegociueshëm.

Prandaj, është detyra që në këto momente kur, siç e shohim, situata politike në vend po shkon drejt përshkallëzimit të një retorike edhe më konfliktuale, për shkak edhe të zgjedhjeve që po afrohen, duhet të bëjmë çdo gjë që kjo reformë të ecë përpara me sukses të plotë dhe me transparencë maksimale.
Në mënyrë që askush, duke filluar edhe nga Kryetari i Parlamentit që është këtu përpara jush, të mos ketë mundësi jo vetëm të zhbëjë konsensusin historik, që e përshëndeti edhe sot znj. Mogherini, të votës unanime të 21-22 korrikut, por as të zhbëjë me manovra të papranueshme, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim me ligjet që kemi miratuar edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, këtë reformë e cila duhet të prodhojë një drejtësi të besueshme për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Në këtë drejtim ne do të vazhdojmë me transparencë maksimale, edhe unë si Kryetar i Kuvendit deri ditën e fundit që do të jem në këtë detyrë mjaft të rëndësishme, por jam i bindur që edhe Grupi Parlamentar dhe përfaqësuesit e LSI-së në të gjithë institucionet. Zbatimi transparent, në respekt të Kushtetutës së vendit, në respekt të ligjeve të miratuar, është mbrojtja më e mirë që mund t’i bëhet ecurisë dhe suksesit të kësaj reforme nga çdo përpjekje për të gjetur pretekste për ta bllokuar, për ta dëmtuar dhe për ta dështuar atë.

LSI është një shans për të gjithë dhe këtë e kuptova jo vetëm kur dëgjova profesor Luigjin, i cili kohët e fundit i është bashkuar LSI-së, por këtë e përforcova akoma edhe më shumë në veten time kur i dhashë dorën Anilës, një pedagoge të nderuar të Universitetit Bujqësor, të cilës unë i jam shumë mirënjohës, sepse më ka dhënë një rekomandim të paparë, kur ne nuk e kishim krijuar apo zyrtarizuar ende Lëvizjen Socialiste për Integrim si forcë politike. Anila më rekomandoi një profesor të nderuar, me eksperiencë dhe kulturë të jashtëzakonshme dhe ky profesori ishte Edmond Panariti.
E përmenda profesorin për të përforcuar këtë mesazh, që LSI-ja është një shans dhe një mundësi për të gjithë, nga njerëzit e thjeshtë e deri tek intelektualët më të spikatur dhe më me vlera të shoqërisë sonë.

Ishte një shans që atëherë kur me të drejtë ishin të shumtë ata që e paragjykonin mundësinë e ekzistencës, të mbijetesës dhe të afirmimit të një force të re politike si Lëvizja Socialiste për Integrim. Dhe ne kemi vënë re se nga viti në vit, nga zgjedhjet në zgjedhje, nga sfida në sfidë Lëvizja Socialiste për Integrim po bëhet një shans për shumë e shumë qytetarë shqiptarë, njerëz të thjeshtë, intelektualë, njerëz të cilët duan të kenë një shans për t’u angazhuar, të kenë një shans për tu dëgjuar, të kenë një shans për tu përfshirë, të kenë një shans për të kontribuar, të kenë një shans për të marrë në dorë fatet e vendit të vet.

Ndaj unë dua t’i falënderoj të gjithë që bashkohen me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe dua t’i ftoj të gjithë kolegët e mi në drejtimin e LSI-së që të jemi më të hapur, më përfshirës, që ky trend në rritje të jetë i pandalshëm, sepse rritja dhe fuqizimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëkohësisht rritja e cilësisë së përfaqësimit dhe të performancës së saj në të gjitha nivelet e përfaqësimit politik, partiak, publik, është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme, në radhë të parë, për vetë stabilitetin e vendit dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të qeverisjes.

Ne nuk jemi një forcë e pagabueshme, ne nuk jemi një forcë e pakritikueshme, përkundrazi, por fuqia jonë është tek aftësia për të reflektuar, për të ndryshuar dhe për tu përmirësuar duke i dëgjuar njerëzit dhe duke qenë gjithnjë pranë tyre dhe shqetësimeve që ata kanë për të sotmen dhe të nesërmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Dhe do të vazhdojmë në këtë mënyrë edhe në të ardhmen. Fuqia jonë vjen nga dashuria për vendin dhe nga besimi ynë, që ky vend do të bëhet dhe ky vend do të bëhet, në radhë të parë, nga shqiptarët dhe nga të rinjtë dhe të rejat tona.

Ndaj dhe ne kemi pasur gjithnjë prioritet fuqizimin e LRI-së dhe edukimin e këtyre të rinjve me dashurinë më të madhe për vendin dhe njëkohësisht socializmin e tyre dhe rritjen me frymën e solidaritetit, të bashkëpunimit dhe të ekipit.

Individualizmi, egoizmi dhe cinizmi janë disa nga sëmundjet më të rrezikshme të politikës sonë, të cilat sjellin edhe arrogancën, edhe përjashtimin, edhe konfliktin dhe këtyre do t’i kundërvihemi, duke zgjeruar dhe fuqizuar solidaritetin përfshirjen dhe frymën e bashkëpunimit me njëri-tjetrin, por edhe më gjithë të tjerët.

Sepse Shqipëria është një vend modest, por për ne është vendi më i madh në botë dhe për çdo njeri që ka minimumin e dinjitetit, vendi i tij është vendi më i madh dhe më i rëndësishëm në botë.

Dhe besoj se jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se duke qenë të ndarë dhe përjashtues me njëri-tjetrin bëhemi edhe më të vegjël edhe më të parëndësishëm dhe më të bezdisshëm, jo vetëm për vetën tonë, por edhe për partnerët tanë që duam që të na mbështesin.

Ashtu sikurse jetojmë në një rajon të vështirë dhe njëkohësisht kemi edhe fqinjë modest si puna jonë dhe në rast se jetojmë edhe me ta në konflikte dhe në probleme të panevojshme edhe rajonin ku jetojmë e bëjmë më të vogël e bëjmë më të parëndësishëm dhe e bëjmë më të pasigurt për të ardhmen.
Ndaj stabiliteti i vendit që vjen nga fryma e bashkëpunimit në radhë të parë, stabiliteti i rajonit që përsëri vjen nga dialogu dhe nga bashkëpunimi për ne janë mjaft të rëndësishme, sepse gjithashtu janë standarde të panegociueshme edhe për ecjen përpara të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

E di që është bërë një puna e madhe në të gjithë territorin e Bashkisë së re të Tiranës për të ardhur te kjo Konventë, ku ju nuk jeni 2300 anëtarë, por jeni 2300 drejtues të LSI-së në Bashkinë e Tiranës. Secili prej jush përfaqëson një organizatë të LSI-së apo të LRI-së, përfaqëson një komunitet dhe unë besoj në aftësitë tuaja përfaqësuese dhe drejtuese.

Njëkohësisht nuk mund të mos them fjalët më të mira për angazhimin e ekipit të deritanishëm drejtues të Tiranës me profesor Shezai Rrokajn në krye dhe të gjithë të tjerët, edhe drejtuesit e njësive. Sepse Tirana ka arritur suksese të rëndësishme gjatë këtyre viteve, një rritje të jashtëzakonshme që u demonstrua sidomos në zgjedhjet vendore, ku rezultati i LSI-së në kryeqytet ishte spektakolar, duke na dhënë mundësinë të kemi si asnjë herë tjetër edhe një grup shumë domethënës dhe të jashtëzakonshëm të këshilltarëve të LSI-së, të cilët kanë qenë mbrojtës të interesit publik dhe qytetar gjatë këtyre dy viteve dhe do të vazhdojnë të jenë akoma më shumë edhe në të ardhmen.

Kështu që ta falënderojmë profesor Shezaiun me një duartrokitje dhe të gjithë ekipin e deritanishëm, ai nuk ndahet dot nga Tirana dhe as nga LSI e Tiranës, por ai si vlonjat që është ka një dëshirë dhe një ëndërr që ta çojë LSI-në e Vlorës në nivele edhe më të larta se LSI e Tiranës. I urojmë suksese edhe në këtë sfidë të re që ai do të ketë.

Së fundmi, dua t’ju them se ne jemi një forcë politike shqiptare pjesë e këtij realiteti, por ne kemi një avantazh të jashtëzakonshëm, kemi LRI-në. Secili nga ne, si puna ime apo e Luan Ramës, jemi edhe pjesë e një trancizioni të ashpër, të vështirë, edhe pa eksperiencën e duhur dhe do të jemi edhe të kritikueshëm sot dhe në të ardhmen.

Dhe unë jam i bindur që ajo që ne kemi bërë si më të mirën tonë dhe që jo vetëm LSI-ja në të ardhmen kur ne të mos jemi më në drejtimin e saj, sepse nuk do të jemi të përjetshëm, por e gjitha Shqipëria do të na jetë mirënjohëse është që kemi bërë çdo gjë për t’i edukuar, për t’i mbështetur këto të rinj dhe të reja të mrekullueshëm, për t’i dhënë shpresë të gjithë gjeneratës së tyre se e ardhmja e të rinjve është në Tiranë, e ardhmja e të rinjve është në Shqipëri.

Nëse ka diçka që kurrë askujt nuk duhet t’i shkojë mendja që të japë me koncesion, është dinjiteti i Shqipërisë dhe dinjiteti i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Sepse ata nuk kanë asnjë kompleks nga e kaluara e tyre, sepse ata janë të pashantazhueshëm nga kushdo, sepse ata sot nuk kanë vetëm dëshirën, nuk kanë vetëm pasionin, por kanë vetëm eksperiencën dhe aftësinë për t’i dalë zot vendit të tyre.

Dhe unë jam i bindur se edhe zgjedhjet e 18 qershorit do ta konfirmojnë këtë fuqi vullkanike të rinisë shqiptare. Jam i bindur se LSI Tiranë do të jetë një model gjithnjë i suksesi i rritjes i përgjegjshmërisë dhe atdhedashurisë. 

Fjala e kryetarit të LSI në Konventën për Tiranën*

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Pakistan/ 82 njerëz të vrarë në 3 ditë si pasojë e dhunës sektariane

Pakistan/ 82 njerëz të vrarë në 3 ditë si pasojë e dhunës sektariane