Sa e vështirë të flasësh kundër Berishës, edhe me Shqipërinë të gjithën mavi

Sa e vështirë të flasësh kundër Berishës, edhe me Shqipërinë të gjithën mavi

Kur shoh egërsinë e fjalës së përdorur ndaj Roland Bejkos nga gazetarë të mirëpaguar të ekranit shqiptar dhe në të njëjtën kohë, tulatjen, përuljen që vazhdojnë të kenë të njëjtët, ndaj humbësit të madh Sali Berisha, vazhdoj ta besoj se sa e vështirë është akoma të flasësh si shqiptar kundër tij. Nuk mjafton edhe një Shqipëri e tërë e bërë mavi për të hequr frikën ançestrale që ekziston tashmë ndaj njeriut legjendë të kërcënimeve, shpifjeve, shantazheve, shkatërrimeve. Njeriut me emrin Sali.

Mjafton të dëgjojmë për të qindtën e sekondës se si ja vendos çmimin dhe akuzon “të shiturin” Alibeaj se ka marrë 220 mijë Euro nga Edi Rama. Nuk janë 100 mijë, as 200 mijë rrumbullak, mjeshtri i akuzave e di mirë që 220 mijë euro ngjit më mirë, është më e besueshme. Ashtu siç e di mirë që të jesh italian, është kollaj të ngjisë dhe sharja mafioz, apo të jesh në pushtet “hahet” fare kollaj se je hajdut, apo të jesh grua, besohet se shkon mirë ta konsiderosh dhe k…

Enkelejd Alibeaj është tashmë në atë nivel evolucioni që mund t’i përgjigjet Sali Berishës me të njëjtën monedhë: “Nuk jam si Zeni që paguhet për çdo gjë”… por ndërkohë 220 mijë eurot u thanë dhe në trurin e një militanti tashmë kanë zënë rrënjë.

Do të vazhdojë të jetë akoma e vështirë si për Alibeajn, si për Bejkon, si për të tjerë të Partisë Demokratike që ndanë rrugët me liderin suprem. Ata nuk do ta ofendojnë asnjëherë, por ofendimet, shpifjet, këecënimet do të vazhdojnë t’i kenë të shumëfishuara mbi kurriz, jo vetëm nga Berisha vetë, por edhe nga të klonuarit e tij.

Tani jemi në fazën që kërkon të bindë se iu vodhën votat duke u justifikuar se kush është në qeverisje i ka të gjitha mjetet për të blerë votat dhe për të bërë presion. Një logjikë primitive që ndiqet, sigurisht, edhe nga gjithë klonët e tij. Sikur, në një botë demokratike zgjedhjet dhe votimet nuk bëhen mes një force politike që është në qeveri dhe tjetrës në opozitë. “Nuk bëmë fushatë në kushte të barabarta” bërtasin, ngaqë me siguri, do të donin në logjikën e tyre alla berishiane që zgjedhjet dhe votimet të bëheshin ose mes partive në pushtet me njëra tjetrën, ose mes partive në opozitë. Një logjikë që bëri të qeshë edhe gjithë Shkodrën, gjithë Tropojën, gjithë Durrësin e deri në Sarandë. Pra gjithë Shqipërinë.

Forcat politike që futen në zgjedhje, normalisht nuk janë në kushte të barabarta loje, dihet, është me e avantazhuar e më me shumë mjete dhe interesa forca që është në pushtet. Por opozita, ajo e duhura, e vërteta dhe e drejta, duhet të ketë marrë jo paratë, por shpirtin e gjithë votuesve apo të shumicës prej tyre për të fituar. Ky shpirt, kjo e drejtë, kjo frymë i mungoi Berishës dhe të tijëve, jo paratë, që dihet, i ka me tepricë.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Report Tv/ Nëse votohet sot, 52% e zgjedhësve të vendosur do të votonin për PS-në! 30% për PD-në e Berishës

Sondazhi i Report Tv/ Nëse votohet sot, 52% e zgjedhësve të vendosur do të votonin për PS-në! 30% për PD-në e Berishës