Sami Frashëri: Shqiptarët në kohën
e sundimit të sulltanëve osmanë

Sami Frashëri: Shqiptarët në kohën<br />e sundimit të sulltanëve osmanë
Vepra e cila e bëri Sami Frashërin shkencëtar në suaza ndërkombëtare; vepra e cila e kishte shty të shëtisë bibliotekat e shumta të kohës dhe të gjurmojë edhe librat të cilët i kishte mbuluar pluhuri; vepra e cila e kishte lodhur më së shumti, pa dyshim është: KÂMÛS AL-A'LÂM.

Kjo është vepra më vëllimore dhe më e rëndësishme e Samiut. Është e shkruar në gjuhën turke të asaj kohe, d.m.th. me alfabet arab, në gjashtë vëllime me gjithsej 4830 faqe. Është enciklopedi historike-gjeografike.

Me këto fjalë e prezanton këtë vepër të Sami Frashërit studiuesi Mehdi Polisi në botimin e vitit 1992 realizuar nga Rilindja Prishtinë. Vepra  në gjuhën shqipe mban  titullin  “Personalitete shqiptare  në KÂMÛS AL-A'LÂM TË SAMI FRASHËRIT” dhe është publikuar së fundmi edhe në librarinë dixhitale Dielli.net. 

Në këtë libër të vyer është përfshirë edhe studimi i Sami Frashërit “Shqiptarët”, pjesën e pare të të cilit e botuam dje në gazetën Shqiptarja.com, ndërsa sot sjellim pjesën e dytë të tij.
 
 
Nga Sami Frashëri
(Vijon nga dje)
Ja pra, në këtë gjendje ishin shqiptarët kur në pjesën e Rumelisë shkeli këmba e sulltanëve Osmanë dhe luftëtarëve muslimanë. Sado që disa prej princave deridiku rezistuan, shumë prej tyre, duke parë forcën dhe potencialin ushtarak, u dorëzuan pa luftë, prandaj gati të gjithë princat ende mbetën në vendet e tyre. Këta kishin disa privilegje dhe të drejta në Shtetin Osman. Mirëpo, më pastaj Skënderbeu i mblodhi të gjithë këta princa, të cilët vetë e njohën atë për prijës dhe komandant të tyre. Duke qenë një njeri jashtëzakonisht trim, i aftë dhe me përvojë luftarake, Papa dhe mbretërit e tjerë të krishterë të Evropës, me qëllim që ta prëdorin si mbrojtës, atë e trimëronin dhe e stimulonin të luftojë kundër turqve osmanlinj. Ndonëse i premtonin se do t'i shkonin prapa dhe se do t'i ndihmonin, këtë nuk e bënë kurrë.

Skënderbeu hyri në luftë me Osmanlinjtë. Luftoi 40 vjet rresht. Duke u bazuar në pozitën strategjike natyrore të vendit dhe, duke besuar në premtimet e Papës dhe të mbretërve evropianë, ndonëse e shihte se ata dëshirojnë ta përdorin si një mjet, të futet në zjarr, bëri që Shqipëria të gjendet në zjarr e flakë plot gjysmë shekulli. Pastaj, me vdekjen e Skënderbeut, tërë Shqipëria ra në duart e pushtetit Osman. Edhe gjatë asaj kohe disa qindra-mija shqiptarë u shpërngulën për në Kalabri dhe Siqeli të Italisë, e një pjesë prej tyre u shpërdanë nëpër Venedik, Gjenevë, Marsej, bile edhe në Spanjë. Vetëm se ata që u vendosën në Kalabri dhe Siqeli, meqë formuan fshatra të pastra shqiptare, kanë ruajtur deri më tash gjuhën racën dhe fenë e tyre, numri i të cilëve arrin përafërsisht 250 mijë (dyqind e pesëdhjetë mijë). Kështu, pasi shqiptarët hynë nën administratën osmane, të gjithë bejlerët dhe njerëzit autoritativë menjëherë e pranuan fenë e drejtë islame.

Pas pranimit të Fesë islame nga ana e tyre, gradualisht edhe të tjerët filluan ta pranojnë, kështu, për një kohë të shkurtër 2/3 e popullit shqiptar u bënë muslimanë, kurse 1/3 që mbetën u ndanë, gjysma në ortodoksë dhe gjysma në katolikë. Shqiptarët që nuk iu bindën shtetit romak dhe bizantin dhe që deri diku nuk e dëgjuan Lekën e Madh, i cili ishte bashkëkombës i tyre, u bënë të përbashkët me osmanlinjtë, kaluan në ngritjen dhe famën e Shtetit Osman, u bënë shumë dashamirës dhe nidhmës në zgjerimin e pushtimeve osmane dhe islame. Deri në kohën e formimit të ushtrisë së rregullt e të organizuar të gjithë shqiptarët ishin pjestarë të ushtrisë së armatosur të përhershme të shtetit.

Kur urdhëronin këta, ashtu të armatosur, ishin të gatshëm të shkonin deri në shkretëtirat e Sudanit. Edhe shteti (Osman), duke i çmuar lartë shërbimet dhe miqësinë e tyre, ua besonte pozitat më të larta shtetërore. Shqiptarët morën pozita të larta në shtetin Osman; vetëm pashallarë, të cilët u bënë sadriazema (kryeministra) ishin 25, madje, në mesin e tyre kishte të tillë që në kohën e Sulltan Selimit të parë dhe Sulltan Sulejmanit, arritën të bëhen sadriazema nga pesë herë. Sinan Pasha, i cili me flamurin osman arriti në Jemen e Amman dhe në Açin e Sumatra, vende këto të panjohura deri në atë kohë, e shpëtoi Shtetin Osman nga shkatërrimet më të mëdha, pastaj, Qypërli Mehmed Pasha me fëmijët dhe nipërit e tij, me ndihmën e Zotit, patën sukses të ngadhënjejnë në rrethimin e Vjenës dhe Shtetit Osman t'ia kthejnë përsëri renomenë e mëparshme, pastaj, Ferhad Pasha e të tjerët, ishin personalitete të këtij populli trim dhe të sinqertë (të popullit shqiptar - M.P.).

Shqiptarët në përgjithësi janë shtatlartë, ashtgjerë dhe me nerva të forta dhe veçanërisht dallohen me kokën e tyre të madhe dhe ballin e lartë, gjë që vërteton zgjuarsinë e madhe natyrore të tyre. Me të vërtetë fëmijët shqiptarë që dërgohen për të mësuar dhe për t'u edukuar, ndonëse kanë mësuar në gjuhë të huaja, është parë që për një kohë shumë të shkurtër kanë përparuar. Kombi shqiptar ka dhënë njerëz të mëdhenj, si p.sh. Ali Efendi Gjakovën dhe Hoxha Tahsinin, të cilët vdiqën tash vonë, pastaj edhe shumë shqiptarë që u dalluan me zgjuarsinë dhe dituritë e tyre të cilët ishin të barabartë me ata të Universitetit të Athinës dhe Romës. Janë dëshmuar edhe aftësitë e shqiptarëve të krishterë të Greqisë dhe të Italisë. Kapedanët, kryetarët dhe shumë e shumë të tjerë të cilët në mënyrë vetëmohuese morën pjesë në revolucionin për pavarësinë e Greqisë, prej të cilëve më të dalluarit; Boçari, Xhavella, Kanari, Bollgarisi, Bubulina, ishin shqiptarë. Sikurse këta, edhe shumë prej atyre që ia zbardhën fytyrën dhe i ndihmuan Garibaldit në bashkimin nacional italian ishin shqiptarë të Italisë.

Pra, ashtu sikurse janë, kryesisht, shqiptarë ata që ende udhëheqin Greqinë, e sidomos ata që e kanë drejtuar flotën e tyre, poashtu edhe nga shqiptarët që janë në Itali ka shumë njerëz të ditur, të vyeshëm, poetë, shkrimtarë etj. Nga ky popull arritën të bëhen edhe papë, siç është Klemani i njëmbëdhjetë. Mendoj që mjafton të përmendet se nga ky komb është zotëri Krispi, i cili e udhëheq diplomacinë e Italisë edhe në ditët e sotme. Shqiptarët nga stërgjyshërit e tyre i kanë ruajtur doket dhe moralin, nderin dhe krenarinë, kanë ruajtur edhe çështjen e mbajtjes së premtimit që e quajnë “besa”. Ata janë të gatshëm gjithnjë të japin jetën e tyre për mbrojtjen e kombit, fisit, familjes, madje dhe vetëm për të ruajtur fjalën e tyre të dhënë. Vetëm se për pak gjë dhe për çështje shumë të parëndësishme bien në mosmarrëveshje. Janë seriozë dhe të sinqertë, nuk duan shaka të tepruara, tallje dhe fjalë të parëndësishme. Ecin shumë shpejt dhe lehtë. Kanë lëvizje elegente dhe qëndrim krenar.
Gratë shqiptare janë shumë të bukura dhe shtatgjate, sidomos janë të bollshme dhe pak me fytyrë burrërore. Në çështje të moralit janë shumë të vendosura, të ashpra. Vajza ose gruaja, e cila, sado pak del jashtë moralit, pamëshirshëm dënohet nga më të afërmit. Gratë shqiptare janë shumë punëtore dhe të denja. Në shtëpi kanë pavarësi të plotë, kurse burrat konsiderohen si musafirë.

Meqë i kushtojnë shumë rëndësi çështjes së prejardhjes së familjes (sojit), të gjithë, për t'i dhënë vajzat e veta, duke kërkuar dikë të të njëjtit rang, shpeshëherë i japin larg. Nuk e kanë zakon t'u japin vajzave të tyre pjesë nga pasuria e trashëguar, madje teshat e nusërisë bëhen nga ana e burritTPF 7 FPT. Edhe pse bindjet fetare i kanë shumë të forta, më shumë i kushtojnë rëndësi punës dhe nuk kanë fanatizëm. Janë të ruajtura dhe të pranishme edhe sot disa zakone dhe rite të mbetura nga feja e vjetër, qoftë te muslimanët, qoftë te ortodoksët. Në mes njerëzve që u takojnë feve të ndryshme ka një dashuri dhe mirëkuptim të plotë. Edhe pse për nga gjuha ndahen në dy degë-në gegë dhe toskë, nuk bëjnë dallime, por të gjithë krenohen me emrin shqiptar. Gegët janë të vendosur në pjesën veriore të Shqipërisë, kurse toskët në pjesën jugore të saj.

Lumi i Shkumbinit që kalon pranë Elbasanit është si vijë dalluese e tyre. Dialektet e gegërishtes dhe të toskërishtes dallohen në mes tyre vetëm në të shqiptuar, në theks dhe në disa shprehje, kurse në thelb, gjuha është e njëjtë, prandaj shumë mirë e kuptojnë njëri-tjetrin. Në këtë gjuhë ekzistojnë disa libra në prozë dhe poezi me tematikë fetare katolike të shkruara para 400-500 vjetësh; poashtu ekzistojnë disa këngë popullore të ruajtura që nga shekulli XV. Dallimet e tyre nga gjuha e sotme qëndrojnë vetëm në atë se janë përdorur në atë kohë; tash në vend të tyre muslimanët përdorin disa fjalë e shprehje arabe, kurse të krishterët disa fjalë e shprehje greke. Edhe pas pranimit të Islamit në Shqipëri kemi shumë poetë e shkrimtarë. Ata kanë thurur divane, poema, me tema të ndryshme nga lëmi fetar: këshilla, ligjërata fetare (vaize), pastaj mevludin për Muhammedin a.s., për tragjedinë e Qerbelasë etj. Të gjitha këtyreve mund t'u thuhet, zakonisht, një letërsi.

Mirëpo, meqë muslimanët kanë shkruar me alfabet arab, ortodoksët me alfabet grek dhe katolikët me alfabet latin dhe, meqë veprat e tyre janë të mbushura me fjalë dhe shprehje të huaja dhe, meqë ndjekin shembullin e letërsisë të popujve të huaj, letërsia kombëtare shqiptare nuk ka mundur të zë vendin e saj të meritueshëm. Veprat e shkruara para 4-5 shekujve ose që, së paku, kanë mbetur prej asaj kohe e të përmbledhura më vonë, kanë mundur të zënë këtë vend. Ortodoksët, të krishterët toskë, ishin duke u greqizuar, sepse, që atëherë, vazhdimisht punonin dhe mësonin sipas shkencës greke. Edhe institucionet greke ndihmuan në këtë dhe, sado që te një pjesë arritën deri diku të ndikojnë të harrojnë gjuhën e tyre amtare, këta botuan libra mësimorë me alfabet shqip që i kanë sistemuar më vonë. Në Toskëri janë hapur disa shkolla të posaçme për të mësuar shqip, gjë që edhe këta kanë ndikuar në ruajtjen e kombit. Pas nxitjeve dhe stimulimeve kundër tyre, vazhdimisht filluan ta urrejnë dhe të largohen nga Greqia. Kështu, në kohën e Sulltan Abdylmexhidit të Dytë edhe shqiptarëve, iu bë e mundshme të shkruajnë gjuhën dhe letërsinë e tyre, filluan të përparojnë. Shqiptarët që janë në shtetin Osman janë rreth 2 milionë, prej tyre 2/3 janë të besimit islam.

Edhe shqiptarët që janë në Greqi dhe në Itali janë mbi 500 mijë. Shqiptarët, zaten, meqë janë të vendosur më tepër në vendet malore dhe në vendet jopjellore, vendet e tyre nuk mund t'i furnizojnë me gjëra ushqimore, prandaj shumica prej tyre merren me zanate dhe tregti. Duke marrë rrugën e kurbetit në çdo anë të shtetit Osman, pastaj duke shërbyer me rrogë në ushtrinë osmane dhe në xhandarmëri, shkojnë deri në Egjipt, Sudan e bile edhe në Jemen. Duke qenë larg grave të tyre, duke u martuar, sipas zakonit të tyre, vonë, e disa duke u martuar jashtë vendit të tyre, duke u shpërngulur e duke marrë pjesë vazhdimisht nëpër luftëra bëri që numri i tyre të mos jetë i madh. Nga të parët që e kanë bërë të njohur në Evropë kombin shqiptar, origjinën dhe gjuhën e tyre, kanë qenë dr. Hahni, i cili një kohë të gjatë ka qëndruar në Janinë e në Shkodër si konsull i Austrisë; linguisti i famshëm Bopi, Dora d'Istria, e cila është vetë shqiptare dhe rrjedh nga Gjikajt që kanë sunduar si princa në Rumani, pastaj shqiptarët e Italisë Dorsa, zotëri Krispi, Kamarda, De Rada e të tjerë, të cilët kanë shkruar shumë vepra në gjuhët gjermane dhe italiane, përkitazi me shqiptarët.
dosieri abdyl frasheri
DOSIER
dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ ‘Kuqezi në ajër’, surpriza e pilotëve dhe stjuardesave për udhëtarët në ditën e Pavarësisë

FOTOT/ ‘Kuqezi në ajër’, surpriza e pilotëve dhe stjuardesave për udhëtarët në ditën e Pavarësisë