TIRANE, 4 Maj/ATSH/- Përfaqësues të Sekretariatit të SEETO-s (Observatori i Transportit për Europën Juglindore) vlerësuan progresin e arritur në vendin tonë, në sektorët e transportit dhe infrastrukturës, si në fushën e legjislacionit edhe në kuadrin e reformave rregullare dhe ngritjes së kapaciteteve.
Kjo u evidentua gjatë takimit të zhvilluar këtë të hënë në Tiranë të përfaqësuesve të sekretariatit të SEETO-s me Drejtoreshën e Përgjthshme të Integrimit pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe përfaqësuese e Shqipërisë në Komitetin Drejtues të SEETO-s, Argita Totozani.
Objektivi i këtij takim është rritja e visibilitetit dhe prezencës së SEETO-s në rajon, si dhe forcimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet Sekretariatit dhe autoriteteve kombëtare të vendeve anëtare të SEETO-s. Në të njëjtën kohë kjo vizitë shërben për të berë një vlerësim dhe identifikim të zhvillimeve aktuale në vend në fushën e transportit dhe infrastrukturës.
Bisedimet e sotme u fokusuan në projektet prioritare rajonale, krijimi i Rrjetit Kryesor të SEETO-s, përditësimi i studimit rajonal REBIS, dokumentet strategjike dhe planet për të ardhmen, vlerësimet e rrjetit gjithëpërfshirës rrugor, ajror, detar dhe hekurudhor i SEETO-s, ecuria e proçesit të shkëmbimit të të dhënave, asistenca teknike e BE 2014/2015, inisiativa e akseve të përzgjedhur si model (Flagship Axes) etj.
Zj. Totozani dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës mirëpritën organizimin e vizitës rajonale në Tiranë dhe theksuan se këto aktivitete janë të rëndësishme, sa i takon shkëmbimit të informacioneve të fundit dhe forcimit të kanaleve të komunikimit, duke e mundësuar SEETO-n të ndjekë nga afër zhvillimet e transportit në rajon.
Rëndësi të veçantë ju kushtua pjesëmarrjes aktive të Shqipërisë në SEETO. Shqipëria ka bërë progres në fushën e rrjeteve Trans-Evropiane duke marrë pjesë aktive në Proçesin e Berlinit dhe duke mbështetur përfshirjen e disa prej pjesëve të Rrjetit Rajonal
Gjithpërfshirës të SEETO-s në Rrjetin Kryesor TEN-T të Evropës, për të çuar në rritjen e standardeve të rrjetit kombëtar të Shqipërisë, me qëllim përputhjen e tij me standardet evropiane.
Nga ana e përfaqësuesve të Sekretariatit u vlerësua progresi i arritur në sektorët e transportit dhe infrastrukturës, si në fushën e legjislacionit edhe në kuadrin e reformave rregullare dhe ngritjes së kapaciteteve.
Në mbyllje të takimit ekspertët shqiptare u angazhuan për një pjesëmarrje akoma më aktive në SEETO dhe vazhdimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit me qëllim paraqitjen e projekteve prioritare me interes rajonal në Samitin e Vjenës, që do të zhvillohet fund të Gusht 2015. /a.gjonaj/ /a.ke/